BallinaFaktometerE PavërtetëVaksinat kundër Covid nuk rrisin 7 herë rrezikun nga infektimi

Vaksinat kundër Covid nuk rrisin 7 herë rrezikun nga infektimi

Lajmi se vaksinat kundër Covid-19 e shtojnë 700 përqind rrezikun e infektimit nga Covid-19 rezulton i pabazuar në asnjë provë shkencore. Pavarësisht efekteve anësore që janë nën monitorim, të gjitha studimet aktuale dëshmojnë për efikasitetin e vaksinimit në uljen e pasojave të sëmundjes.

 

Portali “idealisti-al” ka publikuar më 14 tetor, në faqen e tij në Facebook, një postim të gjatë mbi “problemet” e vaksinës Pfizer dhe “skandalin” e transparencës së presidentes së Komisionit Europian Europian Ursula von der Leyen.

Studimet vërtetojnë se vaksina jo vetëm nuk mbron, por rrit me 7 herë (700%) rrezikun e infektimit. Statistikat tregojnë se kjo vaksinë ka shkaktuar më shumë vdekje e dëmtime të tjera se të gjitha vaksinat e tjera, së bashku, në 70 vjet.”- shkruhet në këtë postim, që citon në fund si burim, regjisorin dhe aktivistin e “Aleancës për Mbrotjen e Teatrit”, Kastriot Çipi.

Postimi në portalin Idealisti-al

 

“Faktoje” verifikoi më tej këtë postim me ndikim tek lexuesit, që vijojnë të përballen me dizinformim dhe teori konspirative në lidhje me një çështje kaq delikate, siç është vaksinimi kundër koronavirusit.

Në brendësi të shkrimit shihet që lajmi nuk ka asnjë referencë, as burime të cituara nga ana e ndonjë autoriteti apo eksperti shendetësor. Ashtu siç kemi theksuar edhe në rastet e tjera, të dhënat zyrtare nga organizmat shkencore ndërkombëtare tregojnë qartë se vaksinat janë të sigurta. Në lidhje me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se vaksinat kanë treguar një nivel të lartë efikasiteti në të gjithë popullatën, si dhe kanë rezultuar të efektshme edhe për personat me sëmundje të rënda. “Miliarda njerëz janë vaksinuar në mënyrë të sigurt kundër COVID-19. Të gjitha vaksinat e miratuara për COVID-19 janë testuar me kujdes dhe vazhdojnë të monitorohen”, raporton OBSH.

Revista mjekësore “Lancet” argumenton se miliona jetë në mbarë botën janë shpëtuar falë vaksinimit kundër Covid-19. “Bazuar në vdekjet zyrtare të raportuara nga COVID-19, ne vlerësuam se vaksinimet parandaluan 14·4 milionë vdekje nga COVID-19 në 185 vende dhe territore midis 8 dhjetorit 2020 dhe 8 dhjetor 2021”, shkruan ndër të tjera “Lancet”.

Postimi i portalit idealisti, ndalet edhe tek presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila është vendosur nën sulme për marrëveshjen me kompaninë Pfizer për blerjen e vaksinave anti-covid. Këto dyshime, i referohen një lajmi të publikuar më 28 prill 2021 nga New York Times, sipas të cilit von der Leyen dhe CEO i Pfizer, Albert Bourla, kishin shkëmbyer disa sms dhe telefonata private në lidhje me blerjen e vaksinave kundër Covid për vendet e Bashkimit Evropian.

Duhet theksuar, se këto komunikime ndodhën në muajt e parë të prodhimit të vaksinave nga Pfizer, kur të gjitha vendet nxituan të rezervonin dozat për qytetarët e tyre dhe kompania amerikane ishte në pozicionin e favorshëm për të vendosur kritere biznesi që në një situatë normale do të konsideroheshin jo fort “të ndershme”.

Megjithatë, në standartet tradicionale të konkurrencës së lirë dhe transparencës në Bashkimin Evropian, presidentja e Komisionit Europian është vendosur nën kritika së fundmi nga disa eurodeputetë dhe organizata, që kërkojnë që mesazhet në telefon të trajtohen si komunikime zyrtare dhe të bëhen publike.

Pas një sërë ankesash dhe kërkesash për sqarime nga palë të ndryshme, Komisioni Evropian nisi një hetim në përfundim të së cilit deklaroi se nuk mund të gjente komunikimet private të shkëmbyera ndërmjet presidentes dhe CEO-s së Kompanisë Pfizer, Bourla, për shkak se nuk ka qënë e detyrueshme ruajtja e tyre.

Zyra e Prokurorit Publik Evropian (Eppo), një organ i pavarur i Bashkimit Evropian që ka për detyrë të hetojë, ndjekë dhe gjykojë krimet kundër interesave financiare të BE-së, më 14 tetor 2022 deklaroi zyrtarisht se kishte nisur një hetim për blerjen e vaksinave kundër Covid në Bashkimin Evropian, të nxitur nga një “interes shumë i lartë publik”. Në këtë deklaratë, megjithatë, Eppo bëri të qartë se në këtë fazë të hetimit “nuk do të bëhen publike detaje të mëtejshme”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img