Krijimi i qendrës ditore për moshën e tretë në çdo rajon të qytetit dhe ngritja e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë, ishin dy ndër premtimet e bëra përgjatë fushatës elektorale së zgjedhjeve të fundit vendore, nga kryetari aktual i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha. Por më shumë se një vit pas këtij premtimi, nuk është bërë asnjë hap përpara.

VJOLANDA PECA  

Gjatë mandatit tim në drejtimin e Bashkisë Vlorë do të punoj fort për: Krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë.”: premtoi gjatë fushatës së vitit 2023, kandidati socialist, sot kryetar i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.

Që në fund të vitit të kaluar, Faktoje, i drejtoi një kërkesë për informacion bashkisë Vlorë rreth planeve për vënien në jetë të premtimit të zotit Dredha. Përgjigja, shpjegonte se në qytet “është një qendër ditore për të moshuarit” dhe një “Qendër ditore multidisiplinare për të moshuarit”. Vetëm në njërin prej tyre ofrohet dhe ushqim, tre herë në javë.

Por të dyja këto qendra, ekzistojnë prej vitesh, dhe financimi i pjesshëm nga ana e Bashkisë, ka nisur që me administratat e kaluara lokale të qytetit. Ndërsa nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë investimi të ri.

“Qendra ditore e të moshuarve”

Gjatë verifikimit në terren Faktoje gjeti ambientet e “Qendrës ditore për të moshuarit” në të njëjtën godinë me ambientet e “Shkollës Industriale Pavarësia”.

Qendra është pjesërisht e financuar nga bashkia Vlorë e cila mbulon shpenzimet e qirasë së ambientit, ujë-drita dhe një sanitare. Pjesa tjetër mbulohet nga Kisha Katolike.

Gjatë një bisede me administratorin e Qendrës Gasper Marku, u shpreh se në ambiente nuk vijnë vetëm të moshuarit por të gjithë të varfrit, pasi çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, ofrohet ushqim. Çdo here, ata marrin ushqim me vete diçka dhe për ditën pasardhëse.

“Ne shkojmë nëpër familje dhe verifikojmë ata që janë në situatat më të vështira, i marrim dhe i sjellim për të ngrënë vaktet këtu.”-shtoi më tej z.Marku.

Qendra ditore e të moshuarve, e premte 20 shtator, ora 12:16

“Qendra ditore Multidisiplinare për të moshuarit”, Vlorë

E ngritur që në vitin 2008, “Qendra ditore multidisiplinare për të moshuarit” ndodhet e fshehur mes pallatesh, sa që ishte shumë e vështirë, edhe që ta gjeje vendndodhjen. Edhe shumica e banorëve përreth nuk e dinin ekzistencën e saj.

Qendra, ishte një ambient në të cilin afro 40 të moshuar, kalonin disa orë paradite duke luajtur domino, shah, letra apo duke lexuar gazeta.

Hyrja e pallatit ku ndodhet Qendrës ditore Multidisiplinare për të Moshuarit,Vlorë

Në qendër, të moshuarit vijnë që në oren 09:00 dhe qëndrojnë deri nga ora 11:00. Edhe këtu, njësoj si në qendrën tjetër, bashkia mbulon pjesërisht shpenzimet, duke financuar pagesat për dritat, ujin dhe qiranë e ambientit.

Sipas administratorit Asllan Hysaj, synimi, është të krijohet një mini kuzhinë, për t’u siguruar të moshuarve vaktin e mëngjesit dhe drekës.

“Ky objekt është restauruar shumë herët dhe kemi pasur probleme me ujin, por këto ditë është rregulluar. Ama duhen ndërhyrë dhe për muret e jashtme e hidroizolimin”-shprehet Hysaj.

Ambientet e brendshme të Qendrës, ora 13:02

Në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës, shpjegonte se në këto ambiente ofrohet dhe kujdes shëndetësor si: matja e diabetit e tensioni, të cilat realizohen po nga administratori.

Foto të ambienteve të brendshme të godinës.

Përfundim

Premtimi i bërë më 10 maj 2023, për krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë duket se ka ngelur në vendnumëro.

Për këtë arsye, bazuar në premtimin e kryebashkiakut te Vlorës, Ermal Dredha dhe verifikimeve të Faktoje në terren, ky premtim do të konsiderohet i pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.