Pretendimi:  Italianët po hedhin mbeturinat e kampit të azilkërkuesve në rrugët e Gjadrit

Verdikti: E pavërtetë

Publikimi i një videoje nga portali “JOQ”, në 17 tetor, në të cilën pretendohet se tregohen  mbeturinat e hedhura nga “italianët e kampit të azilkërkuesve në Gjadër në rrugët e fshatit”, ka tërhequr vëmendjen e lexuesve duke mbledhur mbi 95 mijë klikime.

Një pjesë e mirë e komentuesve shprehin shqetësimin e tyre për këtë sjellje, që shton më shumë dyshimet për ngritjen e kampit të azilkërkuesve në Shqipëri.

Ky postim mund të ndikojë në rritjen e paragjykimeve të banorëve të zonës ndaj refugjatëve afrikanë që do të strehoen në qendër. Gjithashtu, ky pilotim për problemin e emigrantëve të paligjshëm në Evropë është në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare dhe debateve politike në Itali. Përpara se video të shfaqet në mediat italiane, vendosëm të bëjmë një verifikim të mëtejshëm të disa detajeve që duken të dyshimta në pretendimin e publikuar.

Së pari, nga pamjet në video dallohet që filmimet e mbeturinave janë bërë në një territor të shtruar me pllaka katrore betoni, të zakonshme për pistat e aeroporteve. Në një moment, shfaqen gjithashtu edhe disa blloqe katrore betoni të vendosura në rrugën që bën makina nga ku po filmohet, duke konfirmuar më tej se kemi të bëjmë me pistën e aeroportit ushtarak të Gjadrit.

Blloqet e betonit në pistën e Gjadrit, majtas pamjet aktuale të blloqeve të betonit, përkrah imazheve të montimit të tyre në vitin 2014

Në maj 2014, pas alarmit të ngritur për mundësinë e përdorimit të pistave ushtarake për trafikun e ngarkesave me kanabis, ministria e Mbrojtjes u detyrua që të bllokonte uljen e avionëve duke vendosur këto blloqe betoni.

Krahasimi me pamjet e publikuara në vitin 2014, konfirmon se pamjet janë filmuar në pistën e braktisur ushtarake dhe jo në rrugët e fshatit Gjadër, ashtu sic pretendohet. Nëpërmjet Google maps mund të konfirmohet vendndodhja në distancë midis kampit të azilkërkuesve, banesave të fshatit Gjadër dhe pistës ajrore që dikur ishte krenaria e ushtrisë shqiptare.

Duke analizuar më tej pamjet në videon e publikuar, ashtu siç kanë nënvizuar disa prej komentuesve, mbeturinat janë hedhur kohë më parë se të niste punë kampi. Pavarësisht se marrëveshja mes dy qeverive është zyrtarizuar prej 6 nëntorit 2023, me firmosjen e Protokollit për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, punimet në terren për kampin kanë nisur në mars 2024.

Siç dëshmojnë edhe këto imazhe satelitore të publikuara nga media zvicerane

Imazhet satelitore, të publikuara nga media zvicerane NZZ, konfirmojnë këtë pamundësi të kampit për të prodhuar mbeturina kaq të hershme sa ato në pamjet e publikuara.

Shënim: Data 7 nëntor 2024 portali JOQ e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.