BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë provë shkencore mbi bimën që shëron kancerin

Asnjë provë shkencore mbi bimën që shëron kancerin

Historitë personale të shërimit nga sëmundje të ndryshme të rënda, duke zëvendësuar ilaçet e rekomanduara nga mjekët me produkte bimore çudibërëse, janë kthyer në “modë” për portalet që “gjuajnë” klikime. Ky duket se është rasti i lajmit në “Gazeta Korrekte” ku njoftohet ekzistenca e një bime që shëron kancerin.

Jona Plumbi

Rrëfimet personale të situatave shëndetësore shpesh herë ofrojnë këshilla që shkojnë kundër rekomandimeve të mjekëve, duke rrezikuar shëndetin e lexuesit. Lajmi i publikuar nga “Gazeta Korrekte” mbi vetitë çudibërëse të bimës së shtogut (lat. sambucus nigra) mbi sëmundjen e kancerit bën pikërisht këtë.

“Faktoje” verifikoi informacionin e publikuar dhe rezulton se historia personale, e cila nuk i përmend emrat e personazheve që e tregojnë këtë histori, nuk mbështetet shkencërisht.

Artikulli i shperndarë nga “Gazeta Korrekte” ofron një recetë të mënyrës se si duhet konsumuar bima e shtogut, sipas saj, për të patur rezultatin e personazhit të historisë. “Ilaçi kishte ndihmuar, ata, të cilëve, mjekët u kishin dhënë edhe 2-3 muaj jetë. Muajt po kalonin e personi që e kishte filluar përdorimin e ilaçit ishte ende gjallë. Rezultatet e kontrollit kishin vërtetuar se kanceri ishte zhdukur.” – shkruhet në artikull.

Në fakt, edhe pse shumë vëzhgime kanë vërtetuar efektin pozitiv që kjo bimë ka për shëndetin e njeriut për shkak të antioksidantëve që përmban, studimet tregojnë se deri më sot “ekstrakti i shtogut nuk është studiuar mbi kafshë apo njerëz, ndaj, efektet e saj në parandalimin dhe trajtimin e kancerit janë të panjohura”.

Në kërkimet e deritanishme in vitro, rezulton se “ekstrakti mund të ketë disa veti modeste antikancerogjene, por nuk duhet harruar se janë raportuar efekte anësore të tilla si të vjellje dhe diarre, zakonisht si rezultat i mbidozimit, përdorimit të frutave të papjekura ose përdorimit të një pjese të bimës që është toksike”.

Lajme të tilla, që trajtojnë tema delikate të shëndetit të qytetarëve, duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe një informacion të plotë për lexuesit, në mënyrë që të mos rrezikojë shëndetin e tyre. Fatkeqësisht, në raste te tilla mbizotëron dëshira për marrjen e sa më shumë klikimeve, përpara misionit për të informuar në mënyrë të saktë lexuesit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img