Pretendimi: Ligji i ri i hap rrugë abortit tek adoleshentet, mund të kryhet pa dijeninë e prindërve 

Vlerësimi: E pavërtetë

Adoleshentet lejohen të kryejnë abort, sipas projektiligjit të hedhur për konsultim nga Ministria e Shëndetësisë, por duhet miratimi nga prindërit. Ndryshe nga çfarë pretendohet në portale, konfirmimi për abortin nuk do të kërkohet në rastet kur ky vendim do ta vinte vajzën në rrezik përballë familjes.

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, i hedhur për konsultim nga Ministria e Shëndetësisë, ka ngjallur mjaft reagime. Mirëpo, nuk kanë munguar as rastet, kur disa pika të tij janë keqinterpretuar nga mediat online.

Në portale thuhet se ky projektligj u jep mundësinë adoleshenteve që të kryejnë abort pa dijeninë e prindërve.

Ligji i ri i hap rrugë abortit tek adoleshentet, mund të kryhet pa dijeninë e prindërve”-raportojnë mediat online.

Artikujt e shpërndarë në mediat online

Por, çfarë thotë projektligji për këtë çështje? Ndryshe nga çfarë pretendohet, vajzat nën moshën 16 vjeçe mund të kryejnë abort vetëm me miratimin e prindit, ndërsa ato mbi 16 vjeçe mund ta japin vetë pëlqimin, por njëri prej prindërve duhet të jetë në dijeni për këtë vendim.

Përjashtim bëjnë rastet kur vajzat mbi 16 vjeçe konfirmojë se informimi i prindërve mbi këtë vendim do t’i vinte në rrezik.

Saktësisht, projektigji përcakton: “Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:

a) Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog. 

b) Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë.

c) Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç. 

ç) Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet të informohen për vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje”.

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”

Hartuesit e legjislacionit, bazuar në praktikat më të mira evropiane, kanë parashikuar që të ketë trajtime të rasteve bazuar në situatat që mund të krijohen duke mos krijuar detyrime përgjithësuese që mund të sjellin pasoja përtej shëndetit për vajzat e reja.

Projektligji njeh të drejtën për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose privat. Aborti mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë disa kërkesa.

Pas reagimeve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, u shpreh se projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” është ende në fazë konsultimi dhe pret ende të marrë rekomandime me qëllim që të ndihmojë në përthithjen dhe reflektimin e mëtejshëm të opinioneve të grupeve të interesit.

Artikulli paraprakNdihma amerikane për Tajvanin nuk po përdoret për armë biologjike
Artikulli tjetërPresidenti gjerman nuk u injorua nga Erdogan gjatë vizitës në Turqi
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.