Shqipëria ka hartuar plane veprimi me angazhime konkrete në lidhje me komunitetin e LGBTI. Nga një vëzhgim i planit të veprimit 2021-2027 rezulton se një pjesë e vogël e angazhimeve është përmbushur, ndërsa të tjerat janë ende larg realizmit. Rol thelbësor në këtë aspekt ka edhe qasja e shoqërisë, ndërsa përhapja e narrativave për zhdukjen e familjes tradicionale, përdorimi i gjuhës së urrejtjes apo aktet e dhunës ndaj anëtarëve të komunitetit, e vështirëson këtë proces.
Alba Ahmetaj
“Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në vitet e fundit lidhur me njohjen e të drejtave të personave LGBTI+, ka një komunitet të konsoliduar dhe aktiv në mbrojtje të të drejtave të tyre, ndërsa kanë vazhduar përpjekjet për ndërgjegjësimin e publikut.”- shkruhet në hyrje të dokumentit me 64 faqe ku përmblidhet plani i veprimit të qeverisë shqiptare 2021-2027 për personat LGBTI.
Hartimi i këtij plani veprimi është rrjedhojë e projektit ‘’Promovimi i diversitetit dhe barazise në Shqipëri’’ të financuar nga programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin nie Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022’’ dhe me ndihmën teknike të UN Women. Ky plan është i mbështetur edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, asokohe nën drejtimin e Ogerta Manastriliut e cila shprehej: “Hartimi i këtij plani mbetet sfidë. Së bashku jemi të angazhuar të vazhdojmë punën si deri më sot’’
Për ata që janë të hapur ndaj kureshtjes, duhet ditur që komuniteti LGBT+ në Shqipëri ka ekzistuar gjithmonë, por ka pak më shumë se 12 vite që është i zëshëm dhe publik për meritë të disa aktivistëve të guximshëm që vazhdojnë të sakrifikojnë veten për të çelur rrugën drejt lirisë, mirëqenies, pranimit nga vetja, familja dhe shoqëria për brezat e ardhshëm.
LGBT+ merr forma dhe akronima të ndryshme që mund t’i shtohen në varësi të kontekstit, por përtej lezbikeve, gejve, biseksualëve dhe transeksualëve ka edhe përkufizime të tjera si Interseks, Queer, Jo-Binar, Panseksual, Aseksual. Identitetin gjinor për gjininë që ne i përcaktojmë vetes, orientimin seksual që nënkupton dëshirat tona seksuale për partnerë, apo shprehinë e gjinisë që do të thotë se si ne e shprehim gjininë tonë.
Çështja ndahet në aspektin e mendësisë së shoqërisë në përgjithësi dhe atë ligjor, që shkojnë dorë më dorë me njëri-tjetrin. Në aspektin ligjor në vendin tonë, institucione kyçe aleate janë Komisioneri kundër Diskriminimit dhe Avokati i Popullit që luajnë një rol thelbësor në mbrojtjen nga diskriminimi dhe dhuna. Të dy janë institucione të pavarura, por me forcë ndëshkuese vendimmarrëse.
Në përvojën tonë, kjo është ajo çka vështirëson pranimin e vetvetes nga ana e personave LGBT+ në Shqipëri, dhe më vështirë daljen hapur tek familja për identitetin gjinor apo orientimin seksual. Konkretisht, në rastin personal që mori vëmendje publike më janë dashur plot 7 vite për të dalë hapur, ndërsa një ndër miqtë e ngushtë të është në një marrëdhënie me një djalë tjetër prej 5 vitesh dhe ende nuk ka mundur ta pranojë hapur. Kjo prej frikës nga gjykimi i familjes, humbjes së vendit të punës, gjuhës së urrejtjes dhe braktisjes.
Teksa punojmë përditë për të treguar të vërtetën e komunitetit LGBT+ me shpresën për të informuar dhe rritur vetëdijen e popullatës së gjerë, pritshmëritë janë se përpjekjet do të sjellin edhe ndryshim të perceptimit. Përsa i përket Kushtetutës, deri më sot ekziston vetëm ‘’ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi’’ që është i vetmi mbrojtës i drejtpërdrejtë për individët LGBT+.
Ndërsa kode dhe ligje të tjera si: Për Gjendjen Civile, Për Strehimin Social, Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti, Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë janë rregullatorë të tjerë për të garantuar barazi në trajtimin e individëve LGBT+ para administratës dhe institucioneve shtetërore.
Por pengesa të mëdha hasen sot në të gjithë ato çifte LGBT+ që duan të krijojnë familje prej vështirësive në birësim, bashkëprindërim apo lidhjen në martesë siç është edhe rasti i partneres sime me mua. Ne mund të bënim vetëm një ceremoni fetare për të kremtuar dashurinë tonë, dhe të familjes bashkë me dy bijat tona.
Plani i veprimit i hartuar nga Këshilli i Evropës dhe Ministria e Shëndetësisë që ecën në linjë me dokumenta të tjerë strategjikë, parime, bashkëpunëtorë dhe vizion ka për objektiva kryesorë:
– Përmirësimin e aksesit të personave LGBTI+ në shërbime publike dhe shërbime mbështetëse të specializuara efektive, cilësore dhe të disponueshme në mbarë vendin, në përputhje me nevojat specifike të tyre dhe me standardet kombëtare të harmonizuara me ato evropiane/ndërkombëtare.
– Garantimi i mbrojtjes dhe sigurisë për personat LGBTI+ përmes përmirësimit të kuadrit ligjor, zbatimit efektiv të tij, si dhe rritjes së aksesit të personave LGBTI+ në sistemin e drejtësisë.
– Krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse, pranuese dhe jo-diskriminuese kundrejt personave LGBTI+ në Shqipëri.
Këto objektiva sado 3-rrokësh apo ambiciozë mund të duken, patjetër janë të domosdoshëm që çdo individ LGBT+ në Shqipëri të ketë të drejta dhe mundësi të barabarta. Çka arrihet jo vetëm nëpërmjet adoptimit të kuadrit ligjor, por edhe zhvillimit të një mendësie më të hapur dhe respektuese për atë që nuk është identike me ne.
Një plan pune i ngjashëm është hartuar për periudhën 2016-2020 për t’u përmbushur deri në masën 24% sipas raportit vlerësues nga Këshilli i Evropës. Në 9 prej 38 objektivave për t’u arritur, është përmbushur zhvillimi i materialeve ose trajnimeve, miratimi i legjislacionit ose protokolleve. Ndërsa duket se ka qenë e vështirë përmbushja e objektivave që kanë të bëjnë me punën konkrete me personat LGBTI drejtpërdrejtë.
Një kërkesë për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, se në çfarë mase janë përmbushur angazhimet e planit në fjalë, mbeti pa përgjigje edhe pse kanë kaluar afatet ligjore.
Për planin 2021-2027 për të cilin jemi në gjysmë të ecurisë së tij, mund të themi se ashtu si paraardhësi, edhe ky plan pune ka çaluar. Më poshtë renditen disa prej rasteve madhore që kanë shenjuar sigurinë dhe mirëqenien e këtij komuniteti në Shqipëri.
– Kërcënimi me jetë që morëm unë, Alba Ahmetaj, dhe partnerja ime, Edlira Mara, nga një i panjohur në fillim të marsit, sipas screenshot ilustrues në vijim.
– Kërcënimet dhe dezinformimi publik nga Aleanca për Mbrojtjen e Familjes, ndërkohë që ndryshe nga ç’ thotë ky titull nuk ka një axhendë për shtimin e komunitetit LGBT+, apo për ndikimin tek fëmijët. Puna jonë e përditshme mbetet në edukimin dhe informimin për të drejtat e njeriut.
– Goditja me gurë e Paradës së Krenarisë 2024 dhe e aktivistes Xheni Karaj nga një grup të rinjsh.
– Mungesa e vazhdueshme e procedurave ligjore për terapitë hormonale për personat transgjinorë.
– Mijëra komente me gjuhë urrejtjeje në rrjete sociale pas daljeve në media për dasmën e mbajtur në datë 19 maj.
– Publikimi nga JOQ mbi modifikimin e parullës së Paradës së Krenarisë.
– Gjatë vitit 2023, Komisioneri kundër Diskriminimit ka shqyrtuar në total 6 çështje me objekt përdorimin e gjuhës së urrejtjes, nga të cilat 5 ankesa dhe 1 çështje ex-officio. Në 3 raste është pretenduar përdorimi i gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Këto raste, dhe të tjera të përditshme të cilat nuk denoncohen, janë shembull i mosfunksionimit me barazi të institucioneve arsimore, shëndetësore dhe administrative, çka cungon ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët LGBT+.
Dukshëm, mungesa e një përfaqësuesi LGBT+ në parlament, këshilla bashkiake apo institucione të tjera vendimmarrëse ndikon thellësisht në uljen e vullnetit të vendimmarrësve për shtyrjen dhe lobimin e përshpejtimit të procedurave ligjore apo emancipimin e mentalitetit të publikut për komunitetin LGBT+.
Si përfundim, Plani i Veprimit për personat LGBTI+ 2021-2027, deri më sot ka ndikim të ulët në jetën e secilit prej nesh, ama angazhimi ynë qëndron i fortë për ta bërë jetën e secilit më të denjë dhe të barabartë.
*Ky artikull është përgjegjësi autorit dhe jo domosdoshmërisht shpreh qëndrimin e Faktoje.