Në Shtator 2026, Faktoje botoi 40 artikuj verifikues lidhur me pretendime që qarkulluan në rrjet këtë muaj.
Një e katërta e tyre kishin të bënin me përmbajtje të gjeneruara me programe të inteligjencës artificiale (AI). Shumicën e rasteve, këto përmbajtje janë shpërndarë nga dy ose më shumë llogari të ndryshme dhe të marra së bashku kanë marrë mijëra ndërveprime, me raste duke arritur shpërndarje virale. Përmbajtjet e gjeneruara kishin të bënin me përmbytjet vdekjeprurëse në Nepal, persona të trilluar që përdoren në skema mashtrimi, dhe, ironikisht, robotë që pretendohej se dilnin jashtë kontrollit.
Këshillat keqinformuese dhe skema mashtrimi për shëndetin (12.5%) vijojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale shqipfolëse me ilaçe e përzierje ‘mrekullibërëse’ që ofrohen si kura për kancerin. Duket se skemat e mashtrimit që përdorin histori e personazhe të trilluar për të bërë marketing kanë nisur të përdorin përmbajtje të gjeneruara krejtësisht me AI dhe sa vjen e po shënjestrojnë të moshuarit.
Pëmbytjet në Nepal dhe Tibet më 26 gusht 2026 (12.5%), siç pritet në raste katastrofash natyrore, u shoqëruan me keqinformim në formën e pamjeve që pretendohej në mënyrë të rreme se tregonin ngjarjen dhe pohime të pavërteta mbi shkakun e përmbytjeve.
Më pak e pritshme është përhapja (12.5%) e keqinformimit lidhur me konfliktet ku përfshihet Izraeli dhe zjarrvënie të pretenduara nga turistë izraelitë. Një ‘lajm’ që spikat ishte pretendimi se ekzistonte një plan sekret për dhënien e shtetësisë shqiptare 100 mijë izraelitëve.
Gjatë Shtatorit, Faktoje ka verifikuar gjithashtu skema mashtrimi (7.5%) dhe pretendime të ndryshme lidhur me luftën në Ukrainë (5%), virusin Covid-19 dhe vaksinën kundër tij (5%), emigrimin dhe emigrantët (5%), komunitetin LGBT (5%), teori konspirative (5%), presidentin amerikan Donald Trump (5%), ndryshimet klimaterike dhe energjinë e gjelbër (2.5%), Bashkimin Europian (2.5%) dhe Kosovën (2.5%).






