I manipuluar ky takim mes kancelarit Merz dhe të rinjve afrikanë

14

Pretendimi: Ky imazh tregon kancelarin gjerman Friedrich Merz me dy të rinj

Verdikti: E pavërtetë, Foto e modifikuar

———————————————————————–

Një imazh (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon kancelarin gjerman Friedrich Merz përqafuar me dy të rinj me ngjyrë. Foto shoqërohet me një postim për “afrikanizimin” e Gjermanisë falë politikave të ish-kancelares Merkel.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është manipuluar nga foto origjinale duke shtuar kancelarin Merz në të.

Foto origjinale është shkrepur 8 vite më parë, në shtator 2018, në Saint-Martin ishullin francez në Karaibe. Ajo nuk tregon kancelarin gjerman, por presidentin francez Emmanuel Macron duke takuar të rinjtë vendas në ishullin e largët në Antile dhe jo emigrantë të ardhur në Francën kontinentale.

Foto u shkrep gjatë një vizite katërditore të presidentit francez në Saint-Martin, ku ai takoi familje dhe banorë vendas të prekur nga uragani Irma që kishte goditur ishullin në shtator 2017.

Macron mori kritika për një tjetër foto nga e njejta vizitë, ku ai shfaqet krah një të riu që po bën një gjest të pahijshëm me gishtin e mesit.

Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen në atë kohë e përshkroi postimin si “të pafalshëm.”

Macron e mbrojti foton duke thënë: “I dua të gjithë fëmijët e Republikës [franceze], cilëtdo qofshin problemet e tyre.” Ai tha se fotografia ishte nxjerrë nga konteksti dhe se njëri nga të rinjtë që shfaqej në të ishte liruar së fundmi nga burgu. Udhëheqësi francez tha se më pas e kishte nxitur ish-të burgosurin në foto që “të mos bënte më marrëzira” dhe të shmangte bërjen e “gabimeve të tjera” në jetë. “Nëna jote meriton më shumë se kaq”, tha ai.

Duke i mbrojtur të rinjtë, Macron tha se ata kishin çuar te ai një vajzë me “aftësi të kufizuara fizike” pasi ishte shkrepur fotografia. Ata ishin “të aftë ta bënin atë sepse unë u tregova besim, sepse i respektova. Kjo është republika jonë”, tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron bisedon me një të ri në lagjen “Quartier d’Orléans” gjatë një vizite në ishullin francez të Karaibeve, Saint-Martin. Foto: Eliot Blondet/Reuters