Pretendimi: Kjo video dokumenton përmbytjet e 26 gushtit 2026 në kufirin Nepal-Tibet.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Në momentet e para pas katastrofës natyrore në Nepal dhe Tibet në rrjetet sociale qarkullon një video e shkurtër që tregon një valë të fuqishme balte, uji dhe shkëmbinjsh, që shkatërron shtëpi dhe rrëmben gjithçka në rrugën e saj. Pamjet publikohen si pjesë e një raportimi me përshkrimin se të paktën 95 persona kishin humbur jetën në Nepal dhe qindra të tjerë, përfshirë turistë të huaj, rezultonin të zhdukur.

Më 26 gusht 2026, një përmbytje katastrofike goditi zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, veçanërisht distriktin Rasuwa. Bilanci i viktimave dhe personave të zhdukur vazhdon të jetë në rritje. Raportimet më të fundit nga Al Jazeera flasin për mbi 797 të vdekur në Nepal dhe rreth 3000 mijë të zhdukur, përfshirë turistë të huaj.
Një kërkim i kundërt i imazhit të videos përmes Google Lens tregon se pamjet nuk i përkasin tragjesisë së fundit. Rezultatet e identifikojnë skenën si rrëshqitjen katastrofike të baltës që goditi fshatin Dharali, në shtetin indian Uttarakhand, në Himalajet indiane. Sipas kërkimit, shkaku ishte një shi i rënduar që shkaktoi një përmbytje të papritur në përroin lokal Kheer Ganga, duke dëmtuar rëndë ndërtesat banuese dhe infrastrukturën.
Kjo përputhet me raportimet e mediave indiane dhe ndërkombëtare nga 5 gushti 2025. CBC News përshkroi si një “rrymë uji, balte dhe shkëmbinjsh” goditi me forcë fshatin Dharali, duke rrëzuar ndërtesa nga themelet dhe duke varrosur shtëpi. Sipas India TV, katastrofa u shkaktua nga një shpërthim reje shiu mbi rrjedhën e sipërme të përroit Khir Ganga, që u derdh mbi tregun lokal të Dharalit, duke shkatërruar plotësisht disa hotele dhe dhjetëra shtëpi. Autoritetet indiane, sipas News on Air, raportuan disa viktima dhe dhjetëra persona të zhdukur menjëherë pas ngjarjes, ndërsa ushtria dhe forcat e shpëtimit nisën operacione kërkimi. Ngjarja njihet zyrtarisht si përmbytja e papritur e Uttarakhandit e vitit 2025.
Katastrofa e 26 gushtit është e vërtetë dhe e dokumentuar gjerësisht nga media ndërkombëtare, por jo nga videoja që po qarkullon si ilustrim i saj. Për këtë arsye Faktoje gjykon se pretendimi që videoja paraqet pamje nga përmbytjet në Nepal është një keqinterpretim i ngjarjeve reale.






