I gjeneruar ky mjek kinez që ka sjellë në Shqipëri formulën sekrete për kockat

2

Pretendimi: Mjeku kinez 30-vjeçar Li Wei ka sjellë në Shqipëri formulën sekrete të përcjellë brez pas brezi që i ndihmon të moshuarit të ruajnë lëvizshmërinë e nyjeve

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————–

Një faqe interneti (arkivuar këtu) e dizenjuar për të ngjarë si një botim i mirëfilltë akademik mbi shëndetin pretendon se një kinez 30-vjeçar Li Wei ka sjellë në Shqipëri formulën sekrete të përcjellë brez pas brezi që i ndihmon të moshuarit të ruajnë lëvizshmërinë e nyjeve. Artikulli është i ndërtuar si një intervistë me Dr. Li Wei.

Megjithatë, e gjithë faqja, historia dhe personazhi i Dr. Li Wei janë të rremë. Ato janë shpikur me qëllim reklamimin dhe shitjen e një produkti që pretendohet se shëron dhimbjen e nyjeve tek të moshuarit.

Imazhi i “Dr. Wei” në krye të artikullit është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI), siç konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID. 

Njësoj, edhe imazhet e tjera që pretendohet se tregojnë mjekun gjatë vizitës së tij në Tiranë, stërgjyshin e tij në Kinë, dhe gjunjët e një zonje me artrozë rezultojnë të gjeneruara me AI.

Me gjasa, e gjithë faqja, përfshi dizajnin, tekstin, dhe imazhet, është gjeneruar me AI.

Duket se faqja është një version i skemave që përpiqen të mashtrojnë qytetarët duke përdorur artikuj, histori dhe mjekë të rremë me qëllim shitjen e një produkti, e krijuar, tashmë edhe më lehtë, me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).