Antiparazitarët nuk janë provuar 84 % efektivë ndaj kancerit

18

Pretendimi: Ivermektina dhe Mebendazoli shëruan ose ndaluan përhapjen e kancerit te 84% e pacientëve, ndërsa CIA e kishte zbuluar këtë trajtim që në vitet ’50 dhe e kishte fshehur për më shumë se gjysmë shekulli.

Verdikti: Mungon konteksti

Përdorimi i antiparazitarëve të kafshëve si një kurë ndaj kancerit, një këshillë që qarkullon shpesh në rrjetët sociale, po argumentohet së fundi si provë e një studimi shkencore. Një intervistë e autorit të studimit ndahet edhe në profilet shqipfolëse duke pretenduar se “84% e pacientëve me kancer që morën antiparazitarët Ivermektinë dhe Mebendazol për 6 muaj thanë se kanceri i tyre ishte zhdukur plotësisht, ishte regresuar ose kishte ndaluar përhapjen”.

Në video pretendohet gjithashtu se CIA kishte fshehur një studim të viteve 1950, i cili tregonte se barnat antiparazitare ndalonin rritjen e kancerit.

Faktoje verifikoi burimin e shifrës 84%. Bëhet fjalë për një studim të publikuar në qershor 2026 në revistën Anticancer Research, me autor të parë Nicolas Hulscher, personi që flet në video, i cili identifikohet si epidemiolog në McCullough Foundation. Në studim morën pjesë 197 pacientë me kancer, të cilëve iu dha jashtë indikacionit një kombinim Ivermektinë dhe Mebendazol përmes një platforme telemjekësie në SHBA. 

Por 84.4% nuk do të thotë se Ivermektina shëroi 84% të pacientëve me kancer.

Nga 197 pjesëmarrësit fillestarë, vetëm 122 përfunduan ndjekjen gjashtëmujore. Në këtë grup, 84.4% u përfshinë në të ashtuquajturin “Clinical Benefit Ratio”. Ky tregues përfshinte pacientët që raportuan mungesë të shenjave të sëmundjes, regres të tumorit ose sëmundje të qëndrueshme. Konkretisht, 32.8% raportuan se nuk kishin më shenja të sëmundjes, 15.6% regres të tumorit, 36.1% sëmundje të qëndrueshme dhe 15.6% përparim të sëmundjes. 

Pra, edhe sipas vetë studimit, 48.4% raportuan regres të tumorit ose mungesë të shenjave të sëmundjes, ndërsa pjesa tjetër e “përfitimit klinik” përfshinte edhe raste ku sëmundja thjesht kishte mbetur e stabilizuar.

Studimi ishte i llojit vëzhgues, pa grup kontrolli, dhe rezultatet kryesore u bazuan në raportimet e pacientëve. Për më tepër, pjesëmarrësit përdornin edhe trajtime të tjera: 27.9% raportuan kimioterapi, 21.3% radioterapi dhe 19.7% kirurgji. Vetë autorët e përshkruan rezultatin si “hipotezë-gjenerues” dhe kërkuan prova të mëtejshme për të përcaktuar nëse kombinimi ka efekt real kundër kancerit. 

Pas publikimit, Anticancer Research botoi një njoftim zyrtar shqetësimi (Expression of Concern) për studimin. Revista thotë se janë ngritur shqetësime serioze mbi verifikueshmërinë e të dhënave, besueshmërinë statistikore dhe mbikëqyrjen etike të studimit.

Për këtë arsye revista ka nisur një auditim, për të verifikuar dokumentacionin etik, të dhënat klinike të 197 pjesëmarrësve dhe dokumentacionin objektiv që mbështet pretendimet për regres të tumoreve. Studimi nuk është tërhequr, por njoftimi i shqetësimit mbetet i bashkëngjitur publikimit. 

Ivermectin është një mjekim antiparazitar, i cili në fillim nisi të përdorej te kafshët, ndërsa Mebendazoli është një ilaç antiparazitar i përdorur gjerësisht për trajtimin e infeksioneve nga krimbat e zorrëve. Studimet paraklinike (studimet in vitro dhe në kafshë) kanë demonstruar efektet antikanceroze të Ivermektinës, duke përfshirë frenimin e përhapjes së qelizave kancerogjene në lloje të ndryshme kanceri. 

Faktoje ka shpjeguar më parë se nuk ka ende prova të mjaftueshme klinike që tregojnë se antiparazitarët mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit në mënyrë efektive.

Ndërsa sa i përket dokumentit të CIA-s, ai ekziston. Ky dokument daton në 1951 dhe titullohet “Biochemical Resemblance Between Endoparasites and Malignant Tumors”. Por ai nuk është një studim i CIA-s që zbuloi një kurë për kancerin.

Dokumenti është një përmbledhje e një artikulli shkencor sovjetik të vitit 1950, që shqyrtonte ngjashmëri biokimike mes parazitëve dhe tumoreve malinje. Në të përmenden edhe eksperimente të hershme laboratorike ku disa përbërje kishin aktivitet si ndaj parazitëve, ashtu edhe ndaj indeve tumorale.

Megjtihatë, dokumenti nuk thotë se kanceri shkaktohet nga parazitët, nuk paraqet Ivermektinën si kurë dhe nuk provon se CIA kishte zbuluar një trajtim që më pas e fshehu. Dokumenti ishte një përmbledhje e informacionit shkencor të huaj dhe është deklasifikuar vite më parë; ai nuk u publikua për herë të parë në vitin 2026.