Pretendimi: Kjo video tregon një izraelit, i cili po djeg qëllimisht pyllin në Kolumbi
Verdikti: E paprovuar
———————————————————————-
Një video e shpërndarë nga një profil shqiptar në Facebook pretendon se tregon një turist izraelit, i cili është filmuar duke i vënë zjarrin një zone me bimësi në Kolumbi. Publikimi e lidh videon edhe me raste të tjera zjarresh në Greqi, Kili dhe Argjentinë, duke lënë të kuptohet se turistët izraelitë ndjekin një model të përsëritur zjarrvënieje.

Faktoje ka verifikuar disa pretendime të tilla gjatë kësaj vere. Nuk kanë munguar as pretendimet për zjarret në Shqipëri.
Kërkimi nëpërmjet motorit të kërkimit të imazheve Google Lens çoi te publikimi i 23 gushtit 2026. Videoja ishte raportuar si e filmuar në zonën rurale të Jamundit, në departamentin Valle del Cauca, pranë Bosques de Potrerito dhe rezervatit Río Claro.
Në këtë video të shpërndarë në platformën X nga faqja “Colombia Oscura”, pretendohej se një person po ndizte zjarr qëllimisht. Publikimi dhe raportimet fillestare nuk e përmendnin Izraelin dhe nuk jepnin asnjë të dhënë për identitetin apo kombësinë e personit.

Gazeta kolumbiane El Universal raportoi se komuniteti dyshonte se zjarri mund të ishte ndezur për të lehtësuar zaptimin e paligjshëm të tokës. Kjo hipotezë nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Kapiteni Eduardo Sierra, nga Shërbimi Vullnetar i Zjarrfikësve të Jamundí, deklaroi për Semana se paraprakisht dyshohej për një zjarr të qëllimshëm. Zjarri preku rreth 10-13 hektarë, ndërsa Njësia Bashkiake e Menaxhimit të Rrezikut nisi hetimin për përcaktimin e shkakut. As ky raportim nuk e identifikonte personin si turist apo shtetas izraelit.
Videoja u ripublikua më pas në spanjisht me pretendimin se zjarri kishte ndodhur rreth 25 kilometra nga vendi ku punonin ekipet izraelite të shpëtimit pas tërmetit që goditi Kolumbinë. Megjithatë, vetë një nga këto publikime pranonte se: “Ende nuk dihet se kush është personi”.

Është e vërtetë se një brigadë prej 82 pjesëtarësh nga Izraeli mbërriti në Cali pas tërmetit të 10 gushtit 2026. Por afërsia e pretenduar gjeografike mes një zjarri dhe ekipit të shpëtimit nuk provon kombësinë e personit në video dhe as ndonjë lidhje me brigadën.
Pamjet nuk tregojnë asnjë element që e lidhë personin me Izraelin. Nuk është publikuar gjithashtu ndonjë njoftim nga policia apo autoritetet kolumbiane për identifikimin ose arrestimin e një turisti izraelit në këtë rast.
Postimi e vendos videon brenda një narrative më të gjerë që lidh incidente të ndryshme zjarresh me shtetas izraelitë. Edhe nëse raste individuale mund të kenë ndodhur në vende të tjera, ato nuk provojnë identitetin e personit në Kolumbi dhe as ekzistencën e një modeli të koordinuar.
Pretendimi se personi i filmuar është turist izraelit nuk mbështetet nga asnjë provë e publikuar.






