Kujdes nga këshilla për konsumin e sodës së bukës si parandalues të kancerit

19

Pretendimi: Përzierja e mjaltit dhe sodës së bukës kuron kancerin

Verdikti: E paprovuar

————————————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se marrja e një përzierjeje e thjeshte me mjaltë dhe sodë buke rregullisht tre herë në ditë lufton kancerin. 

Sipas pretendimit, kjo përzierje funksionon sepse bikarbonati i natriumit (NaHCO3), njohur si soda e bukës, parandalon rritjen e qelizave kancerogjene dhe ul nivelet e sheqerit në trup, ndërsa mjalti ndihmon në ruajtjen e qelizave të shëndetshme.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Deri më tani nuk ekziston një kurë e vetme e vërtetuar për kancerin, megjithëse ka pasur përparime të konsiderueshme në trajtimin e kancereve.

Një numër studimesh kanë shqyrtuar nëse bikarbonati i natriumit mund të përdoret për të ndryshuar nivelet e pH-së së tumoreve, të cilat, siç kanë treguar studimet, zhvillohen në mjedise acide. Bikarbonati i natriumit është alkalin, ose bazë, që do të thotë se ul aciditetin.

Një studim të tillë sugjeronte se bikarbonati i natriumit “mund të ndikojë te kanceret e transplantuara te minjtë ose te qelizat e kultivuara në laborator, duke neutralizuar aciditetin në mikromjedisin që rrethon drejtpërdrejt tumorin.”

Një përmbledhje shkencore e vitit 2020 shqyrtoi gjithashtu përdorimin e bikarbonatit të natriumit si një formë “terapie tampon” për të ulur aciditetin e tumorit, por paralajmëroi se “nuk ka prova të mjaftueshme klinike që mbështesin idenë se terapia rutinë kundër kancerit mund të zëvendësohet me konsumimin e ujit që përmban sodë buke.”

Sipas Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për kërkimin e kancerit, “nuk ka pasur prova klinike të publikuara mbi përdorimin e bikarbonatit të natriumit si trajtim për kancerin.”

Dr. Thomas Drake, studiues klinik në Universitetin e Edinburgut, tha për Full Fact se “konsumimi i bikarbonatit të natriumit ose i një diete të pasur me ushqime ‘alkaline’ bazohet në idenë se mund të ndryshoni aciditetin ose alkalinitetin e të gjithë trupit tuaj në varësi të asaj që hani. 

Ndonëse është e vërtetë se në një enë laboratori kushtet alkaline vrasin qelizat kancerogjene, këto kushte vrasin gjithashtu edhe qelizat normale. Si qelizat normale ashtu edhe ato kancerogjene nuk mund të rriten në kushte acide ose alkaline.

Konsumimi i sasive të mëdha të bikarbonatit të natriumit nga goja ka pak gjasa të ketë ndonjë dobi për trajtimin ose rrezikun e kancerit dhe nuk ka shije aspak të mirë. Në fakt, konsumimi i sasive të mëdha do të çojë thjesht në eliminimin e tij përmes urinës dhe mund të jetë potencialisht i dëmshëm, veçanërisht për njerëzit me probleme të veshkave.”

Dr. Suzanne Zaremba, pedagoge e ushqyerjes në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Dundee, tha se “nuk ekziston literaturë shkencore që mbështet konsumimin e sodës së bikarbonatit ose dietave alkaline për kurimin e kancerit. Individët që jetojnë me kancer janë jashtëzakonisht të cenueshëm nga ‘kurat për kancerin’ që nuk mbështeten nga prova shkencore dhe, rrjedhimisht, nuk përfshihen në udhëzimet klinike të trajtimit. Këto praktika kalimtare dhe të modës janë potencialisht shumë të rrezikshme për shëndetin.”

Terapitë e paprovuara kundër kancerit kanë një ndikim negativ në shëndet. Disa studime kanë zbuluar se përdorimi i terapive të paprovuara kundër kancerit shoqërohet me një rrezik në rritje të vdekjes tek pacientët me kancer, pasi ato i bëjnë pacientët të refuzojnë terapitë mjekësore të pranuara kundër kancerit.

Në vitin 2012 një ish-onkolog italian i quajtur Tullio Simoncini nuk u lejua të vazhdonte praktikën, sepse kishte përdorur bikarbonatin e natriumit në vend të kimioterapisë. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Tullio Simoncini u dënua për vrasje të paqëllimshme në vdekjen e një pacienti, tumori në tru i të cilit u trajtua pa sukses me sodë buke.