Pretendimi: Shkatërrimi i një dige në Nepal u shkaktua nga shpërthimi dhe jo nga përmbytjet natyrore
Verdikti: E pavërtetë, gjeneruar me AI
Në ditët e para pas përmbytjeve të 26 gushtit në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit, në rrjete sociale publikohen video të shumta të shkatërrimit apokaliptik që shkaktoi kjo tragjedi natyrore. Një prej këtyre materialeve filmike në platformën Facebook pretendohet se tregon një tjetër version për shkatërrimin e një dige në Nepal nga një shpërthim i fuqishëm dhe jo nga masa e ujit dhe baltës që zbriti nga shpatet e akullta të Himalajeve.

Faktoje krahasoi pamjet me burime të tjera nëpërmjet motorit të kërkimit të imazheve Google lens dhe arriti të verifikonte se videoja qarkullonte në rrjetet sociale që në maj 2026, disa muaj përpara përmbytjeve të gushtit në Nepal.
Një nga versionet më të hershme të gjetura është publikuar në Facebook më 10 maj 2026. Në këtë version shfaqet qartë një mbishkrim dallues që tregon se materiali është krijuar me AI, së bashku me shenjën “GEM” të krijuesit.

Një version tjetër është publikuar në Instagram më 13 maj 2026. Po ashtu, e njëjta video është përdorur në postime të tjera për të përhapur pretendimin se përmbytjet në Nepal u shkaktuan nga sabotimi ose bombardimi i një dige nga një avion luftarak F-16.
Sipas verifikimit të kolegëve të Lead Stories, videoja e shpërndarë me këtë pretendim përbëhet nga dy materiale të ndryshme. Pjesa e parë, rreth 21 sekonda, është videoja e krijuar me AI që qarkullonte që në maj. Pjesa e dytë, që tregon përmbytjet reale në kufirin Nepal-Kinë, është pamje e vërtetë e publikuar nga Associated Press më 27 gusht 2026.
Bashkimi i dy pamjeve reale dhe të krijuara me AI krijon përshtypjen e rreme se shpërthimi i digës dhe përmbytjet janë pjesë e së njëjtës ngjarje.
Për më tepër, kërkimi i pamjeve të ngjashme tregon se në të njëjtën periudhë po qarkullonin edhe video të tjera të krijuara me AI, ku avionë luftarakë shfaqeshin duke bombarduar diga ose duke kryer manovra mbi ujëra dhe zona malore. Disa prej tyre mbanin të njejtin shënim mbi imazh “GEM” dhe shenjën e AI.

Faktoje ka verifikuar së fundi një sërë videosh të tjera të gjeneruara apo ndara gabimisht nën pretendimin se dëshmojnë pasojat e përmbytjeve katastrofike në Nepal dhe Tibet.





