BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë80 % e kandidatëve për kryebashkiakë pa program elektoral

80 % e kandidatëve për kryebashkiakë pa program elektoral

Pjesa dërrmuese e kandidatëve që garojnë për kryetar në 61 bashkitë e vendit nuk kanë publikuar programin elektoral. Edhe pyetjeve drejtuar partive të regjistruara në zgjedhjet e 14 majit, iu përgjigj vetëm njëra, se do publikonte programin elektoral. Faktoje përball gjetjet e hulumtimit mbi mungesën e programit elektoral të kandidatëve me argumentet e ekspertit Afrim Krasniqi, se si mungesa e projekteve konkrete të kandidatëve, po u shërben partive dhe jo interesave të qytetarit. Konkluzioni? Të dyja palët kërkojnë një qeverisje qendrore të madhe dhe qeverisje lokale fiktive, që është shtojcë e qeverisjes qendrore.

Patris Pustina

Kanë mbetur vetëm 9 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, por mbi 80% e kandidatëve nuk ka një program elektoral të aksesueshëm nga zgjedhësit. Ky ishte rezultati i kërkimit të Faktoje në lidhje me shpalosjen e programeve apo projekteve konkrete që ata u ofrojnë qytetarëve.

Qeveria vendore është i vetmi pushtet që zgjidhet direkt nga qytetari e, si rrejdhojë, lidhja midis individit të zgjedhur dhe votuesit është shumë më e fortë se në zgjedhjet parlamentare– thotë studiuesi dhe autori i raporteve mbi sistemet zgjedhore dhe ato partiake, Afrim Krasniqi, i cili thekson:

“Është sistem mazhoritar. Do të thotë, votohet individi, dhe, që të votohet individi duhet të ketë të gjitha cilësitë e përfaqësimit të një kryetari bashkie. Një nga kriteret kryesore të votës për një individ është çfarë ky individ ofron dhe cila është kontrata e tij me qytetarët”.

Më 12 prill 2023, Faktoje iu drejtua me kërkesa për informacion Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë, PDIU-së, dhe Lëvizjes Bashkë për t’u interesuar nëse këto forca kishin botuar programin e tyre elektoral.

Kërkesa për informacion dërguar nga Faktoje

E vetmja përgjigje që morëm ishte nga Lëvizja Bashkë, e cila na informoi se do të ketë një platformë (program politik) për zgjedhjet e 14 majit, e cila do të publikohet pas pak ditësh në faqen zyrtare të partisë.

Duke qenë se partitë e tjera nuk na vunë në dispozicion informacion mbi programet e tyre, Faktoje bëri një hulumtim të imtësishëm mbi programet e kandidatëve për këto zgjedhje vendore. Nga verifikimi rezultoi se, megjithëse kandidatët e përmendin të paturin e një programi me premtime konkrete si meritë të tyren krahasuar me kundërshtarët, vetëm 17 kanë botuar një program të aksesueshëm online.

7 nga 143 kandidatë që garojnë për zgjedhjet vendore kanë botuar programe vetëm për çështje specifike, si bujqësia apo infrastruktura, e si rrjedhojë vlerësohen si të paplotë.

Ndërsa 119 prej kandidatëve, duke përfshirë edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, nuk i ofrojnë zgjedhësve asnjë lloj platforme elektorale ku përshkruajnë planet dhe premtimet e tyre për bashkitë për qeverisjen e të cilave kandidojnë.

Përse kandidatët i shamangen një “kontrate” të shkruar me qytetarin?

Eksperti Krasniqi shpjegon këtë fenomen:

“Në tërësi, kandidatët janë emëruar nga liderët politikë dhe nuk janë individë që kanë patur pasion dhe projekt për të konkurruar. Nuk kanë qenë të përgatitur përpara për konkurrim, po për shkak se partia i ka nxitur. Ata më shumë janë të deleguar politikë, si Sekretari i Parë në kohën e vjetër, sesa një njeri që vërtet ka një projekt për qytetin e caktuar.”

Më tej, kjo mungesë e theksuar e programeve konkrete elektorale vjen natyrshëm si pasojë e mungesës së interesit dhe rëndësisë që kanë zgjedhjet vendore për partitë e mëdha politike.

Krasniqi jep tre argumenta përse kandidatët për kryebashkiakë i shmangen një kontrate të shkruar me qytetarit:

“Së pari, nëse do ta kishim këtë program, fokusi i debatit do të ishte mbi përbërjen e programit dhe mbi pikat dhe nuk do të ishte mbi politikën e madhe. Partitë kanë më shumë interes ta zhvendosin vëmendjen tek politika e madhe dhe tek replikat e mëdha politike. 

Së dyti, vetë partitë dhe lidershipi i partive nuk janë individë që kanë fokus qeverisjen lokale dhe e shohin si shtojcë të zgjedhjeve parlamentare. Nuk e shohin si një qëllim në vetvete që Shqipëria të ketë një autonomi. 

Së treti, koncepti i liderëve kryesorë është që qeveria qendrore kontrollon gjithçka. Për shembull, zoti Rama thotë, në mënyrë të vazhdueshme: “Nëse ju votoni kundër, qeveria nuk do t’ju përkrahë”, që është anti-ligjore dhe nuk shkon me standardet demokratike, por është tipike e mentalitetit të një vendi që nuk e honeps dot qeverisjen vendore, nuk e pranon pavarësinë vendore, dhe nuk e respekton votën. Nga ana tjetër, zoti Berisha dhe zoti Meta thonë: “Ne do ndryshojmë qeverinë qendrore, që të ndihmojmë qeverinë vendore”. Praktikisht është e njejta gjë. Ata nuk thonë që qeveria e re që ne duam të krijojmë nuk do përfshihet në punën tuaj dhe do të respektojë qeverisjen vendore. Ata thonë që ne duam të ndryshojmë kryeministrin që ne të marrim të njëjtin rol që ka kryeministri sot. 

Do të thotë, të dy palët kërkojnë një qeverisje qendrore të madhe dhe qeverisje lokale fiktive, të vogël, që është shtojcë e qeverisjes qendrore.”

Të dhënat e mbledhura nga Faktoje mbështesin dhe ilustrojnë argumentin e Krasniqit. Shumica e kandidatëve të tri partive të mëdha (Partia Socialiste, Koalicioni Bashkë Fitojmë dhe Partia Demokratike) nuk u ofrojnë zgjedhësve një program elektoral.

Vetëm 6 nga 61 kandidatë të Koalicionit Bashkë Fitojmë kanë botuar një program elektoral. 

Njësoj, vetëm 5 nga 60 kandidatë të Partisë Socialiste kanë një program elektoral

Vetëm 2 nga 14 kandidatë të Partisë Demokratike kanë një program elektoral.

Kjo neglizhencë politike ndaj zgjedhjeve vendore njëherazi ndikon dhe ndikohet nga fuqia që qeveria vendore ka në marrëdhënien me qeverinë qendrore. Krasniqi shpjegon:

“Të gjitha investimet e mëdha në territorin e Shqipërisë, që nga Lungomare ose Aeroporti, e deri tek projekti i madh i Shkodrës dhe i Velipojës, janë projekte që i ka marrë qeverisja qendrore. Do të thotë, i ka imponuar ndaj qeverisjes vendore. Nuk janë projekte të kryetarëve të bashkive. 

Koncepti i rajonalizimit ka dështuar dhe nuk ka asnjë rajon në Shqipëri që ka bërë projekte të përbashkëta dhe si fill, kandidatët atje, jo vetëm që nuk paraqesin projekte, por nuk kanë mundësi për të paraqitur projekte. E kuptojnë që pjesa e pasur e zonave të tyre do të kontrollohet nga Tirana, kështuqë ata ngelen si ‘kryepastrues’ të zonës, kryetarë që kontrollojnë shirat, tërmetet, fatkeqësitë natyrore, zjarret, punësimin e ujësjellësve, shërbime të vogla funerali, pastrimi i qytetit, dhe jo si menaxherë realë të qytetit.”

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img