Pretendimi: Kjo video tregon shpikjen e një helmete me airbag të prezantuar në Kinë
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që ka marrë mbi 3 mijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon përdorimin praktik të një helmete me airbag, të prezantuar së fundmi si produkt në Kinë.

Në video, një airbag i bardhë del nga helmeta e një motoçiklisti që po rrëzohet, duke mbështjellë dhe mbrojtur nga rrëzimi të gjithë trupin e tij.
Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Kjo dëshmohet nga një sërë mospërputhjesh logjike që janë tregues të zakonshëm të përmbajtjeve të gjeneruara.
Për shembull, skena shfaqet ndryshe në ekranet e telefonave të dy personave që po e regjistrojnë, krahasuar me atë që shihet në video.

Më tej, kur motoçiklisti rrëzohet, në mbrojtësen e tij të gjurit duket një arnë e theksuar e kuqe. Megjithatë, kur ai del nga airbag i shfryrë, ngjyra e mbrojtëses së gjurit ndryshon në mënyrë të pashpjegueshme në të verdhë. Ndërsa airbag mbështillet rreth trupit të motoçiklistit, njëra nga krahët mbetet jashtë. Por, kur motoçiklisti rrotullohet, krahu që ndodhej jashtë zhduket.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar fillimisht në Facebook nga faqja Zero Gravity Gang. Një këqyrje e videove të tjera të postuara nga kjo llogari zbulon se ajo poston ekskluzivisht video konceptuale futuriste të krijuara nga AI, që shfaqin airbag të integruar.

Në përshkrimin që shoqëron videon origjinale nuk përmendet ndonjë helmetë me airbag nga Kina, por i referohet pajisjes si “kostum inteligjent me airbag.” Faqja ka postuar edhe video të tjera që duket se tregojnë të njejtën pajisje. Këto video janë etiketuar në mënyrë eksplicite si të gjeneruara me AI.

Kostumet dhe xhaketat e vërteta me airbag fryjnë qeska të brendshme ose të integruara ajri rreth zonave më delikate të trupit në vend që të formojnë një sferë të madhe të jashtme.
Një patentë për një helmetë me airbag është regjistruar nga kompania kineze Lanxi Yema Motorcycle Fittings më 24 maj 2022. Megjithatë, patenta në gjuhën kineze specifikon qartë se ky airbag për helmetë synon të mbrojë kokën dhe qafën, dhe nuk hapet si ai në video.






