Diskutimi në parim i projekt-buxhetit të vitit 2027 në Kuvend u shoqërua me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët e Partisë Demokratike u larguan nga salla në momentin kur kryeministri Edi Rama mori fjalën për të prezantuar projektbuxhetin, në shenjë proteste ndaj zhvillimit të seancës dhe përjashtimit të 12 deputetëve të opozitës.
Largimi nuk ishte spontan. Pas përfundimit të fjalës së Ramës, kreu i PD Sali Berisha tha se deputetët kishin vendosur të mos qëndronin gjatë fjalimit të tij.
“Unë e dija që do fliste, prandaj dolëm. Thjesht ai nuk mund të dëgjohej”, deklaroi Berisha.
Rama: Buxheti prek 10 miliardë euro, ekonomia është trefishuar
Përpara largimit të opozitës, kryeministri Edi Rama e prezantoi buxhetin e vitit 2027 si historik, pasi, sipas tij, për herë të parë buxheti i shtetit prek nivelin e 10 miliardë eurove.
Rama e lidhi këtë rritje me zgjerimin e ekonomisë shqiptare, e cila, sipas shifrave që paraqiti në Kuvend, është trefishuar gjatë viteve të qeverisjes së tij, nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro.
Ai deklaroi se ekonomia po rritet me një ritëm rreth 4%, papunësia ka zbritur nën 10%, ndërsa paga mesatare ka arritur në 967 euro.
Megjithatë, Rama pranoi se rritja ekonomike nuk përkthehet automatikisht në përmirësim të njëjtë të jetesës për të gjitha familjet. Ai u ndal te çmimet e produkteve të përditshme, kostot e banesave dhe qiratë, duke pranuar se këto presione rëndojnë veçanërisht mbi familjet me të ardhura të zakonshme.
“Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e javës, nuk e bën llogarinë me prodhimin e përgjithshëm kombëtar”, tha Rama, duke shtuar se edhe një pensionist që numëron paratë për ilaçe dhe ushqime nuk e ndjen drejtpërdrejt rritjen e investimeve të huaja.
Sipas tij, pikërisht ulja e kostos së jetesës dhe rishpërndarja më e drejtë e të ardhurave janë në qendër të buxhetit të ri.
TVSH 6% për 54 produkte, Rama premton kontroll të çmimeve
Një nga masat kryesore të prezantuara nga kryeministri është ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë. Në listë përfshihen buka, qumështi, mielli, vezët, mishi, peshku, vaji, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat.
Rama deklaroi se kjo masë do të lërë rreth 150 milionë euro në vit në buxhetet familjare, përmes uljes së barrës fiskale mbi produktet e konsumit të përditshëm.
Megjithatë, ai pranoi se ulja e TVSH-së nuk garanton vetvetiu që konsumatori do të paguajë më pak në dyqan.
Për këtë arsye, sipas tij, masa do të shoqërohet me forcimin e transparencës së çmimeve dhe mekanizmave të kontrollit të tregut.
“Prova e vërtetë e kësaj politike të re nuk do të jetë përqindja që ne shkruajmë në ligj, por duhet të jetë çmimi që qytetari do të shohë në raftin e dyqanit”, u shpreh kryeministri.
Në të njëjtën kohë, qeveria parashikon rritjen me një pikë përqindjeje të normës standarde të TVSH-së, nga 20% në 21%, për mallrat që nuk përfshihen në shportën bazë. Rama e argumentoi këtë ndryshim me nevojën për të diferencuar taksimin e produkteve të domosdoshme nga ai i mallrave të tjera.

Ndryshime për pagat, dividendin dhe biznesin e vogël
Për rreth 32 mijë tatimpagues, pragu i pagës që përjashtohet nga tatimi do të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë, ndërsa pjesa e pagës mbi 700 mijë lekë do të tatohet me 30%.
Ndërkohë, tatimi mbi fitimin e kompanive mbetet 15%, por ai mbi dividendin rritet nga 8% në 15%.
Rama përsëriti gjithashtu se biznesi i vogël do të vijojë të përfitojë nga tatimi zero mbi fitimin deri në vitin 2029. Nga ana tjetër, pragu i regjistrimit në TVSH ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, me synimin për të nxitur formalizimin.
Taksa e qarkullimit hiqet nga çmimi i karburantit
Një tjetër ndryshim që Rama e cilësoi si lehtësim për qytetarët është heqja e taksës së qarkullimit nga struktura e çmimit të karburantit. Sipas tij, duke filluar nga 1 janari, kjo taksë do të zhvendoset te automjeti dhe nuk do të paguhet më përmes çmimit në pompë.
Rama tha se synimi është ulja e çmimit të karburantit me rreth 32 lekë për litër, duke e afruar atë me çmimet e vendeve të tjera të rajonit.
Ai tha se kostoja e karburantit nuk prek vetëm pronarët e automjeteve, por ndikon edhe në aktivitetin ekonomik dhe në çmimet e produkteve e shërbimeve.
Mbështetje për familjet e reja, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe studentët
Nga 1 korriku 2027, bonusi i bebeve do të shtrihet deri kur fëmija të mbushë pesë vjeç. Paketa parashikon edhe dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe mbulimin e kontributeve shoqërore për kujdestarët e tyre.
Ndërkohë, bursa mujore për studentët nga familjet në nevojë do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë dhe do të përfshijë edhe ciklin e masterit.
Ndërsa për rritjen e pensioneve, buxheti parashikon 20 miliardë lekë, ndërsa 4 miliardë të tjera do të përdoren për indeksimin në prill. Rama tha se deri në fund të vitit 2027 skema do të prekë rreth 800 mijë pensionistë.
200 miliardë lekë investime publike
Për vitin 2027 janë planifikuar rreth 200 miliardë lekë investime publike në infrastrukturë, energji, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe hekurudha. Rama mbrojti gjithashtu rëndësinë e investimeve të huaja, duke kundërshtuar qëndrimet që, sipas tij, krijojnë klimë refuzuese ndaj tyre.
Në mbyllje, ai pranoi se buxheti nuk i zgjidh të gjitha problematikat: pensionet nuk janë ende në nivelin e synuar, kostoja e jetesës mbetet e lartë dhe strehimi i të rinjve kërkon më shumë ndërhyrje.
“Ne nuk shkojmë pas iluzioneve, ne shkojmë pas një vizioni”, tha Rama, duke e lidhur këtë vizion me synimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Rama për Tiranën: Këtu ka ulëritës që bëjnë lekë me pallate pa leje
Një pjesë të fjalës së tij Rama ia kushtoi edhe situatës në Tiranë, duke u ndalur te menaxhimi i Bashkisë, fondet e rindërtimit dhe debatet për ndërtimet e larta.
Rama deklaroi se një pjesë e fondeve të parashikuara për strehimin dhe rindërtimin në kryeqytet nuk është përdorur, ndërsa e lidhi këtë me mungesën e drejtimit të bashkisë gjatë dy viteve të fundit.
Ai mbrojti politikat e ndërtimit të kullave dhe kundërshtoi kritikat ndaj tyre, duke iu referuar personave që, sipas tij, përfitojnë nga ndërtimet pa leje.
“Këtu ka ulëritës që bëjnë lekë me pallate pa leje”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Në të njëjtën linjë, Rama foli për taksimin e apartamenteve dhe vilave që mbahen bosh, duke argumentuar se kjo masë synon të nxisë pronarët t’i nxjerrin banesat në tregun e qirave dhe të rrisë ofertën për strehim.
PD do të votojë kundër buxhetit
Partia Demokratike paralajmëroi votën kundër projektbuxhetit dhe paketës fiskale, duke i cilësuar si të hartuara në mungesë transparence dhe pa konsultim me qytetarët e biznesit.
Sipas Berishës, ndryshimet fiskale do të rëndojnë biznesin e vogël, profesionet e lira dhe shtresën e mesme, ndërsa rritja e taksës mbi divindenin dhe ndryshimet në TVSH do të sjellin pasiguri për sipërmarrjen dhe rritje të çmimeve.

Gjatë seancës, Berisha akuzoi mazhorancën se kishte humbur legjitimitetin për të diskutuar buxhetin, duke e cilësuar atë si një buxhet që favorizon një grup të kufizuar interesash.
Ai kundërshtoi gjithashtu mënyrën e përgatitjes së paketës fiskale dhe përmendi rezervat e shprehura nga Dhoma Amerikane dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë.
PD kërkoi dhe ndryshimin e rendit të ditës dhe heqjen e projektligjit për strehimin, por kërkesa u rrëzua me votat e mazhorancës.
Pas largimit të Ramës nga salla, Berisha mori fjalën në emër të grupit parlamentar demokrat, pasi Gazment Bardhi është mes deputetëve të përjashtuar.
Ai akuzoi Ramën për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike, duke përmendur inceneratorët, AKSHI-n, aeroportin e Vlorës, tunelin e Llogarasë dhe Portin e Durrësit.
“Padrino ia mbathi me bishtin ndër shalë. Është hera e fundit që paraqet buxhet në këtë sallë”, u shpreh Berisha, pasi Rama dhe deputetët e mazhorancës u larguan gjatë fjalës së tij.






