Pretendimi: Ky imazh tregon vërtet kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kreun e parlamentit izraelit Amir Ohana duke këqyrur një hartë me dy flamuj të mëdhenj izraelitë në sfond
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe kreun e parlamentit izraelit Amir Ohana duke vështruar së bashku një hartë, ndërsa dy flamuj izraelitë shfaqen në sfond.

Imazhi shoqërohet me thirrje për t’iu bashkuar protestës mbarëkombëtare të thirrur në Tiranë më 28 nëntor në orën 10 “që e ardhmja e Shqipërisë të mos i ngjajë Palestinës së sotme.”
Rama ka takuar Amir Ohana, kryetarin e parlamentit izraelit, të quajtur Knesset, në janar të këtij viti gjatë vizitës së tij në Jeruzalem.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kreu i kuvendit izraelit Amir Ohana në parlamentin izraelit, 27 janar 2026
Megjithatë, imazhi që po qarkullon në rrjete sociale nuk është shkrepur gjatë kësaj vizite. Ai në fakt është gjeneruar me anë te programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Një foto e gjeneruar me AI, e cila u nda në rrjetet sociale në fundin e muajit maj, nën pretendimin se toka në bregdetin e Zvërnecit ishte kthyer në pronë izraelite, ngjalli narrativa antisemite në Shqipëri dhe në disa vende të tjera.






