Në mungesë të informacionit dhe të shkeljes së Ligjit për të Drejtën e Informimit, Faktoje, i është drejtuar gjykatës duke paditur 11 institucione të pushtetit qendror që refuzojnë të bëjnë transparente shpenzimet e krerëve të institucioneve, për udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në fund të gushtit 2019 Faktoje nisi publikimin e disa artikujve me fokus transparencën e institucioneve publike mbi shpenzimet për udhëtime pune jashtë Shqipërisë. Kërkesës për informacion iu përgjigjën vetëm disa ministri, ndërsa institucionet e tjera refuzuan të përgjigjen, ose përgjigja ishte e pashoqëruar me dokumentacionin e kërkuar.
Faktoje çon në gjykatë 11 institucione
Faktoje paditi 11 institucione të cilat refuzuan të japin informacionin thelbësor se sa kanë qenë shpenzimet e titullarëve dhe dokumentacionin mbështetës të tyre, sa i takon shpenzimeve për udhëtimet e zyrtarëve jashtë vendit. Në rastet kur informacioni u dha, ishte i përgjithshëm dhe nuk kishte vlerë për investigimin në fjalë.
Gjykata e shkallës së parë në Tiranë është shprehur me vendim për një prej tyre, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë duke pranuar pjesërisht padinë e Faktoje, e cila vendosi të vijojë në rrugë gjyqësore çështjen, me konsulencën ligjore nga qendra “Respublica”.
Gjykata çmoi se informacioni i dhënë nga ministria për Faktoje nuk është i plotë, pasi institucioni nuk ka dhënë koston e çdo udhëtimi.
Megjithatë, sipas gjykatës, pretendimi i Faktoje për dhënien e dokumenatve ilustruese për udhëtimet zyrtare është i pabazuar, sepse sipas vlerësimit të saj, me dhënien e këtyre dokumentave mund të ketë cënim të së drejtës private pasi përmbajnë të dhëna personale.
Pjesë nga vendimi
Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë të Faktoje e kanë ankimuar vendimin e gjykatës pasi argumentojnë se gjykata nuk ka hetuar se cilat të dhëna shkelen.
Roli i Komisionerit për të Drejtën për Informim
“Ky institucion nuk ka dalë me vendim për rastet e ankimuara nga Faktoje, kur nuk ka marrë informacion nga institucionet, por ka bërë të ditur qëndrimin e tij veçse në gjykatë, çka rezulton të jetë praktikë që vonon aksesin në informacion, por mbi të gjitha është e kundraligjshme”-thotë juristja Irene Dule nga Qendra Respublica.
Këtë e ka konstatuar dhe vlerësuar vetë gjykata në një rast të kolegut Artan Rama.
“Mosveprimi i palës së paditur (Komisioneri) për të dalë me akt mbi ankesën e paditësit është i kundraligjshëm”- u shpreh gjykata.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit rezulton të jetë një institucion pothuajse fiktiv edhe sipas një konstatimi nga një studim i Qendrës Respublica.
“E drejta e informimit 2019, kur Komisioneri për të Drejtën e Informimit reduktohet në monitorues” quhet studimi ku vërehet se kërkesat për informacion që lidhen me informacione sensitive zakonisht janë refuzuar, shpesh pa shkak. Tkurrja e rolit të Komisionerit në monitorues, përkthehet në kosto për gazetarët por edhe qytetarët.
Përkundër gjetjeve dhe analizës së studimit të referuar më sipër, në rezolutën e fundit të Kuvendit (mars 2019) citohet se “veprimtaria e Komisionerit ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit 119/2014”.
Çfarë gjeti Kontrolli i Lartë i Shtetit pas hulumtimit të Faktoje
Një vit më parë Faktoje publikoi disa artikuj mbi shpenzimet e titullarëve të disa ministrive. Edhe KLSH, në raportin e auditimit për vitin 2019 në Ministrinë e Drejtësisë gjeti se në pjesën më të madhe në zërin “shpenzime” ose rreth 33% e tyre, e zinin blerjet nëpërmjet sistemit të biletave të transportit ajror ndërkombëtar.
Në 7 procedura të audituara nga 32 gjithsej, dokumentacioni nuk arrinte të argumentonte numrin e nevojshëm të personave për pjesëmarrje në këto takime jashtë vendit. Në të gjitha rastet procedura realizohej në një afat shumë të shkurtër nga data e udhëtimit, duke sjellë si pasojë, mungesë të studimit të tregut dhe rriste riskun e përzgjedhjes së çmimit më të lartë, pasi biletat e avionit bliheshin ditën e nisjes apo ditë të afërt me nisjen.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë në nëntor 2019, duke i sjellë në vëmendje Ministrisë së Drejtësisë shpenzimet për udhëtime dhe dieta, i kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për kufizimin e numrit të pjesëmarrësve, pasi nga analiza e kryer nga kjo ministri mbi përdorimin e fondeve buxhetore ishin vërejtur rritje të konsiderueshme të nivelit të shpenzimeve në zërin udhëtime dhe dieta për periudhën Janar-Tetor 2019. Lidhur sa më sipër, (Ministria e Financave) ve në dukje nevojën për një qasje më të kujdesshme nga ana e hallkave përkatëse për përdorimin me ekonomicitet të fondeve shtetërore në këtë drejtim.
LEXO EDHE:
- https://faktoje.al/700-euro-nje-nate-ne-rome-per-ministren-e-drejtesise/
- https://faktoje.al/deklarate-publike-ne-lidhje-me-artikullin-e-faktoje-mbi-investigimin-e-faturave-te-udhetimeve-te-ministres-se-drejtesise/
- https://faktoje.al/cfare-po-ndodh-3-muaj-pas-kerkeses-per-faturat/
- https://faktoje.al/ministrite-hermetizohen-nuk-japin-faturat-e-shpenzimeve-te-ministrave/
- https://faktoje.al/sa-kane-shpenzuar-ministret-nikolla-e-shahini-ne-udhetimet-jashte-vendit/