Pretendimi: Ndalohet hedhja e monedhave fatsjellëse në shatërvanin e Trevit
Verdikti: Mungon konteksti
Hedhja e një monedhe në shatërvanin e Trevit në Romë është një traditë e njohur në të gjithë botën. Sipas legjendës ky është një veprim që mundëson rikthimin si vizitor në qytetin ikonik të Romës.
Kjo traditë e hedhjes së monedhave do të ndalojë duke nisur prej vitit 2025 sipas disa artikujve të publikuar në mediat shqiptare. Lajmi pasqyron një plan ambicioz të bashkisë së Romës për të ndryshuar rregullat e menaxhimit të turistëve në këtë atraksion të njohur.
Plani ka ngjallur polemika të shumta në Itali, por ndryshe nga titujt e mediave shqiptare, duket se vizitorët do të kenë përsëri mundësi të plotësojnë hedhjen e monedhave duke uruar rikthimin në Romë.
Sipas njoftimit zyrtar të komitetit për organizimin e Jubileut 2025 në Romë, një ceremoni festive e Kishës Katolike, shatërvani i Trevit do t’i nënshtrohet rregullave të reja për të kufizuar dëmtimet në monument dhe ofruar një eksperiencë më të përshtatshme për vizitorët.
Plani synon të rrethojë me një xham transparent shkallaren e shatërvanit, i cili do të ndihmojë në kufizimin e aksesit fizik në brendësi të basenit ujor si dhe ruajtjen e estetikës së monumentit të njohur. Gjithashtu, do të krijohet një podium i ngritur në formë patkoi, i cili do t’u lejojë vizitorëve të afrohen më pranë ujit dhe të shijojnë bukurinë e veprës nga një këndvështrim më i mirë. Qasja në këtë podium do të jetë e kufizuar, me një numër maksimal vizitorësh që do të lejohet të hyjnë në çdo moment, për të shmangur mbipopullimin.
Përsa i përket traditës së hedhjes së monedhës në shatërvan, deklarata zyrtare sqaron se “tradita e monedhës do të vijojë, por në vend që të zhytet në ujin e shatërvanit, ajo do të “tingëllojë në fund të një shporte, duke mundësuar përsëri shpresën për t’u rikthyer në Romë”.
Kjo është një përpjekje për të parandaluar situatat e pakëndshme që shpesh ndodhin në këtë atraksion turistik, ku ndodh që turistët shtyhen për të gjetur këndin më të mirë për një selfie, apo disa të tjerë që tentojnë të futen në ujë, duke imituar aktorët në filmin ikonë “La dolce vita”.
Shatërvani i Trevi (Imazh arkivimi LaPresse).
Monedhat e hedhura në shatërvanin e Trevit përbëjnë një mundësi financimi për veprat bamirëse të Kishës Katolike. Filiali i Caritas në Romë që menaxhon këtë bamirësi, deklaroi se në vitin 2022 u mblodhën rreth 1.4 milionë euro të hedhura në formatin e monedhave nga turistët dhe vizitorët e tjerë në shatërvanin e Trevit.