Pretendimi: Filmi që parashikoi përmbytjet në Valencia është provë që rreshjet u shkaktuan qëllimisht
Verdikti: E pavërtetë
Bashkë me rreshjet katastrofike që përmbytën rajonin e Valencias në Spanjë erdhën edhe teoritë e konspiracionit që pretendojnë se këto fenomene natyrore janë të organizuara nga dora e njeriut. Një prej këtyre teorive që qarkullon në rrjet është edhe një serial i shfaqur në Netflix në muajin gusht 2024, në të cilin u parashikua sasia e rreshjeve të paprecedenta dhe numri i madh i viktimave.
Ashtu si në rastin e serialit vizatimor “The Simpsons”, edhe në këtë rast, postimet pretendojnë se ky parashikim është një provë që fatkeqësitë natyrore janë të organizuara nga një grup elitash që tentojnë të kontrollojnë njerëzimin.
Duke verifikuar më tej këtë pretendim, zbulojmë se seriali në fjalë është një prodhim spanjoll i titulluar “Respira”. Ngjarjet që po shkaktojnë interes në rrjet, përqendrohen në episodin e 8-të të sezonit të parë, i cili zhvillohet në spitalin fiktiv “Hospital Joaquín Sorolla” në qytetin e Valencias.
Episodi titullohet “Gota Fría” (Pika e ftohtë), e cila, siç shpjegohet nga Agjencia Shtetërore Meteorologjike Spanjolle është një term i paqartë dhe i vjetëruar për t’iu referuar episodeve të reshjeve intensive. Në media, ky fenomen është emërtuar më tej DANA, duke trashëguar të gjitha karakteristikat e Pikës së ftohtë, megjithëse nuk janë e njëjta gjë.
Episodi tregon historinë e një DANA që kalon nëpër Valencia, duke parashikuar se kanë rënë 400 milimentra shi në pak orë, duke përmbytur disa rajone dhe se si urgjenca bie në spital për shkak të numrit të të lënduarve dhe burimeve të kufizuara.
Pavarësisht këtij parashikimi të ngjashëm me eventet që do të regjistroheshin në muajin tetor, nuk ekziston asnjë provë që të mbështesë dyshimin se rreshjet që shkaktuan qindra viktima dhe shkatërruan një rajon të tërë ishin të organizuara nga dora e njeriut.
Ashtu siç kanë verifikuar edhe kolegët tanë në Spanjë, Maldita.es, autori i serialit Carlos Montero, filloi xhirimet në tetor 2023 në një nga studiot e Netflix në Spanjë. Të gjitha ngjarjet janë krijim artistik i grupit të skenaristëve që krijojnë situata të ndryshme të lidhura me emergjencat mjekësore në një spital.
Fenomeni i rreshjeve të forta në Spanjë është i njohur për shkak të pozicionit të saj midis Oqeanit Atlantik dhe Detit Mesdhe. Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa dhe frontet e ftohta takohen në një rajon ku malet favorizojnë formimin e reve të stuhisë dhe reshjeve.
DANA e javës së kaluar ishte një nga tre stuhitë më intensive të tilla të regjistruara këtë shekull në rajonin e Valencias, tha për Reuters Ruben del Campo, zëdhënës i agjencisë kombëtare të motit Aemet për Reuters.
Ndërsa ekspertët thonë se do të duhet kohë për të analizuar të gjitha të dhënat për të përcaktuar nëse kjo DANA e veçantë u shkaktua nga ndryshimet klimatike, shumica pajtohen se një rritje e temperaturës në Mesdhe dhe kushtet atmosferike më të ngrohta dhe më të lagështa kontribuojnë në prodhimin e episodeve ekstreme më të shpeshta.
“Ne do të shohim më shumë nga këto përmbytje të shpejta në të ardhmen. Kjo ka gjurmët e gishtërinjve të ndryshimit të klimës, këto reshje tmerrësisht të mëdha dhe këto përmbytje shkatërruese,” tha Hannah Cloke, profesoreshë e hidrologjisë në Universitetin e Reading.
Ajo tha se edhe paralajmërimet e hershme të shiut të dendur bazuar në parashikime të besueshme bënë pak për të parandaluar viktimat dhe njerëzit që duhej të kuptonin rrezikun e vërtetë. “Thjesht duke u thënë njerëzve se do të bjerë shumë shi, nuk është e mjaftueshme…Ne pamë përsëri qytetarët duke ngarë makinat në zonat e përmbytura duke mos kuptuar rrezikun nga uji.”
Përpara se termi DANA të krijohej në fillim të viteve 2000, çdo reshje e madhe në vjeshtë, karakteristikë e klimës mesdhetare, përdorej me emrin popullor “gota fria” (pika e ftohtë) në Spanjë dhe pjesë të Francës. Termi përdoret ende gjerësisht në bisedë.
Origjina e tij daton në 1886 kur shkencëtarët gjermanë prezantuan idenë e “kaltlufttropfen”, ose rënies së ajrit të ftohtë, për të përshkruar shqetësimin në lartësi të madhe, por pa reflektim të dukshëm në sipërfaqe.