BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSenati amerikan nuk e rrëzoi kandidaturën e ambasadorit Kostelancik

Senati amerikan nuk e rrëzoi kandidaturën e ambasadorit Kostelancik

Propozimi nga presidenti amerikan Joe Biden i diplomatit David Kostelancik si ambasador amerikan në Shqipëri dhe shtyrja e votimit në Senat të tij dhe 42 kandidaturave të tjera, është interpretuar në mediat shqiptare si “refuzim i kandidaturaës” së presidentit. Një verifikim i Faktoje tregon se në fakt, Senati nuk është shprehur ende me votë për kandidaturën në fjalë dhe Biden mund t’i qëndrojë kësaj kandidature.

Jona Plumbi

Rikthimi i kandidaturës së propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden si ambasador në Shqipëri është keqinterpretuar në mediat shqiptare. Në lajmin e publikuar në datë 4 janar, mediat kryesore në vend dhe më tej shumë portale, folën për një refuzim apo rrëzim të kandidaturës së David Kostelancik.

Senati në SHBA nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Mësohet se Senati i ka kërkuar Presidentit të SHBA, Joe Biden, që të miratojë një kandidat të ri për këtë pozicion.shkruan Euronews Albania.

Për referencë të lajmit Euronews Albania jep një adresë në rrjet të kongresit Amerikan, ku në fakt, informacioni se senati ka kërkuar një kandidat tjetër për këtë pozicion, nuk gjendet.

Media të tjera kanë raportuar refuzimin nga Senati të kandidatit për ambasador, por duke shpjeguar në brendi lajmin, që nuk përputhet aspak me titullin.“Senati refuzon emrin e Biden/ Bllokohet ambasadori i ri amerikan në Shqipëri”  – shkruan titulli i lajmit të shpërndarë nga Top News, për të vijuar duke shpjeguar se në fakt kandidati nuk mori miratimin në senat, duke u kthyer përsëri tek presidenti, i cili mund të propozojë përsëri të njëjtin person.

Lajmi është përsëritur nga disa media.

Në fakt emri i David J. Kostelancik ishte një ndër dhjetra të tjerë që nuk arritën të votohen fare në Senatin amerikan gjatë sesionit që sapo u mbyll. Kandidatura e propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden në 23 Janar 2023 i kaloi fazat proceduriale dhe hyri në kalendarin ekzekutiv të Senatit në 27 Prill 2023.

Pas kësaj, senati do duhej ta përfshinte në rendin e ditës votimin e kandidaturave për ambasadorë, gjë e cila nuk ndodhi. Nisur nga ky fakt, me mbylljen e sesionit të punimeve të senatit për vitin 2023, kandidatura iu rikthye Presidentit, i cili mund të propozojë sërish të njëjtin emër, ose një emër alternativ.

Kjo procedurë njihet si Rregulli i Senatit XXXI për Kthimin e Propozimeve tek Presidenti, paragrafi 6 ku thuhet se “Nominimet që nuk janë konfirmuar as refuzuar nga Senati, në kohën kur Senati mbyllet pa caktuar një datë për mbledhjen e rradhës, ose për një periudhë prej më shumë se 30 ditësh, i kthehen Presidentit në përputhje me Rregullën XXXI të Senatit, pika 6”.

Nëse presidenti do të ridërgojë të njëjtën kandidaturë, dosja që do të shqyrtohet nga Senati do të duhet të rifreskohet edhe me të dhëna të reja që nga janari i kaluar si dhe përditësimet e deklaratave financiare për vitin 2023.

Zëri i Amerikës ka mësuar se mes 43 kandidaturave të bllokuara në Senat, ajo e ambasadorit në Shqipëri është bllokuar nga senatori J.D.Vance nga Ohajo. Artikulli vijon duke shpjeguar se kjo formë bllokimi është një praktikë e zakonshme e betejës politike në Washington.

Fakti qëndron që Presidenti Biden mund të ridërgojë të njëjtët emra për ambasadorë, përfshi atë për Shqipërinë, gjë që do kërkojë nisjen e procedurës në senat nga e para.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img