.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëRruga e fshatit Tërbaç mbetet projekt në letër

Rruga e fshatit Tërbaç mbetet projekt në letër

Projekti për rrugën e fshtatit Tërbaç ka prej vitit 2019 që mbetet në sirtarët e bashkisë së Himarës, që nga koha kur Jorgo Goro ishte në mandatin e tij të dytë në drejtimin e bashkisë bregdetare. Sot, premtimi për t’i siguruar fshatit rrugën vijon të mbetet në letër, pasi bashkia nuk arrin sigurojë dot financimin prej 317 milion lekë, që duhen për të bërë rrugën.

Jona Plumbi

Në 10 Maj 2023, kandidati socialist për Bashkinë e Himarës, Jorgo Goro njoftoi takimin elektoral me banorë të fshatit Tërbaç, të cilëve i premtoi rregullimin e rrugës që lidh fshatin me rrugën e Lumit të Vlorës.

Goro nuk i fitoi zgjedhjet vendore në Himarë edhe pse me një diferencë të vogël në vota me rivalin e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

*Rezultati i votimeve për kryebashkiak në himarë, zgjedhje vendore 14 Maj 2023

Por për shkak të mbajtjes në qeli të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i cili nuk u lejua të kryejë betimin për të marrë zyrtarisht mandatin, Goro ka vijuar të qëndrojë në krye të bashkisë.

Informacioni zyrtar

Nisur nga ky premtim elektoral ne pyetëm Bahskinë e Himarës lidhur me planin e saj për përmbushjen e këtij premtimi.

Në përgjigjen e saj Bashkia na informoi se projekti që lidh fshatin Tërbaç me rrugën e re Vlorë – Qeparo ekziston nga momenti kur po realizohej kjo rrugë.“Ky projekt është pjesë e arkivës teknike të Bashkisë Himarë dhe është  një nga prioritetet kryesore të qendrës Administrative Hor-Vranisht miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak.” – njofton bashkia Himarë.

*projekti për zbatimin e rikualifikimit të rrugës së fshatit Tërbaç

Rruga, që lidh rrugën Vlorë – Qeparo me fshatin Tërbaç është e gjatë 5.2 kilometra.

*rruga që lidh fshatin Tërbaç me rrugën kombëtare të Lumit të Vlorës (Vlorë – Qeparo)

Sipas preventivit të këtij projekti, punimet do të kushtojnë mbi 317 milionë lekë, ose ndryshe mbi 60 milionë lekë për çdo kilometër rrugë fshati.

*preventiv i punimeve për projektin e rrugës së fshatit Tërbaç

Pikërisht tek financimi i kësaj rruge bashkia Himarë tregon se deri tani e ka patur të pamundur të sigurojë financim, nisur nga fakti se vlera është e pamundur të mbulohet nga buxheti i vetë bashkisë.

Që në momentin e realizimit të këtij projekti dhe në vijim kemi kërkuar mundësinë për financimin e ketij projekti me buxhet shteti apo me financime të tjera por deri tani nuk është mundur të gjejmë një financim të suksesshem, kjo pasi Bashkia Himarë e ka të pamundur ta financojë me buxhetin e saj.” – njofton Bashkia.

Në fakt, premtimet e kryebashkiakut në detyrë në Himarë, Jorgo Goro për fshatin Tërbaç, kanë filluar në vitin 2019, kur ai njoftonte nisjen e punës për një projekt të rrugës së fshatit.

Verifikimi në terren

Për të mbërritur në fshatin Tërbaç të Himarës duhet marrë rruga që lidh Vlorën me Qeparoin, rruga e Lumit të Vlorës.

Pranë fshatit Brataj, pyetëm një bari për rrugën drejt fshatit Tërbaç. Ai na tregoi se janë dy të tilla. Kur pyetëm se cila është më e mirë, ai u përgjigj se: Mavri janë të tëra!

*kthesa për në fshatin Tërbaç nga rruga e re e Lumit të Vlorës

Rruga për në fshatin Tërbaç është ajo që kalon tek Memoriali i Brigadës së Pestë Komuniste.

*monumenti i brigadës së V-të, në hyrje të rrugës që çon në fshatin Tërbaç

Rruga deri në fshat diku ishte e shtruar me çakull, dhe diku tjetër dukej se nuk ishte vënë dorë prej kur është shtruar fillimisht.

Kur mbërrin më në fund në Tërbaç, pamja e mrekullueshme të lë pa frymë.

*pamje nga qendra e fshatit Tërbaç

Pesë kilometrat e pashtruara të rrugës që çojnë në fshat përfundojnë në qendër të Tërbaçit.

Aty fillon një segment i qendrës së fshatit që duket se ishte rregulluar rishtazi. Rruga, që zgjatet jo më shumë se 200-300 metra e shtruar me kalldrëm, stola të vendosur anës rrugës dhe sistemim i monumenteve aty pranë.

Rregullimi nuk kishte prekur godinat e vjetra në qendër të fshatit të cilat mbeteshin të rrënuara dhe jashtë përdorimit dhe as të gjithë segmentin e rrugës së qendrës së fshatit.

Edhe pse duken si punime të kryera në qendrat e fshatrave dhe qyteteve, njohur si rilindja rurale dhe ajo urbane, në fakt, me një kërkim në rrjet kuptojmë që fshati Tërbaç nuk ka qenë pjesë e listës së 100 fshatrave që do përfitonin nga projekti i rilindjes rurale. Pavarësisht ksaj, sipas një lajmi publikuar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, investimi në infrastrukturën e qendrës së fshatit janë bërë në vitin 2019.

Sapo përfundon pjesa e rregulluar e qendrës gjendemi në hyrje të shtëpisë së Qazim Abazit.

Zoti Abazi dhe bashkëshortja e tij, të dy pensionistë, kanë jetuar gjithmonë në Tërbaç në shtëpinë e tyre një katëshe, me një pamje madhështore të natyrës së zonës.

Kur e pyesim për rrugën, Qazim Abazi dhe zonja Abazi na tregojnë se tek rruga nuk është vënë dorë aq sa nuk mbajnë mend që kur.

I kemi fëmijët në Vlorë në qytet, por ne jemi pleq, aty ka shumë zhurmë nuk jetohet”. – tregon zonja duke u bërë gati të nxjerrë ujë dhe ushqim për pulat.

*Zotëri Qazim Abazi dhe zonja Abazi, pensionistë në fshatin Tërbaç të Himarës, 22 Dhjetor 2023

Të dy na tregojnë se në fshat kanë mbetur shumë pak njerëz, pasi nuk ka punë për të rinjtë, ndaj kanë ndënjur vetëm pensionistët dhe fëmijët e atyre që kanë ikur në emigracion.

Qazim Abazi, një shqetësim e kishte mbi gjithë të tjerat.

Kam punuar gjithë jetën dhe pas 35 vitesh punë marr vetëm 100 mijë lekë pension. Si të duket ty kjo? U biem në qafë fëmijëve. E përse? Nuk e kanë ata jetën e tyre që të merren me ne?” – tregon ai.

Përfundim

Një nga premtimet elektorale përpara zgjedhjeve të Majit 2023 të kryetarit në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro ishte rregullimi i rrugës që çon në fshatin Tërbaç.

Sipas dokumentave zyrtare të Bashkisë Himarë, projekti për rrugën rreth 5 kilomentra të gjatë ekziston por bashkia nuk ka arritur të gjejë fonde për këtë investim të papërballueshëm nga buxheti i bashkisë, me një total prej të paktën 317 milionë lekësh.

Gjatë verifikimit në terren kuptuam se banorët nuk ishin në dijeni të një investimi të pritshëm për rrugën tejet të amortizuar dhe diku-diku të rregulluar me çakull.

Nisur nga fakti që bashkia Himarë deri tani ka vetëm projektin e rrugës që çon në fshatin Tërbaç por jo paratë për t’a kryer këtë punë, premtimin e dhënë përpara zgjedhjeve të 14 Majit do e konsiderojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img