Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si spekulim paraqitjen e buxhetit të vitit 2027 në vlerën 10 miliardë euro.
Sipas tij, kjo shifër nuk pasqyron rritjen reale të buxhetit, pasi ndikohet nga forcimi i lekut ndaj euros.
Për të mbështetur argumentin e tij, Berisha iu referua kurseve të këmbimit të viteve 2013 dhe 2015, duke pretenduar se, po të përdorej kursi i vitit 2013, buxheti do të ishte 5.5 miliardë euro, ndërsa me kursin e vitit 2015 do të arrinte në 6.5 miliardë euro.
Llogaritja
Faktoje bëri llogaritjen e vlerës së shpenzimeve të planifikuara për buxhetin 2027, prej 976 miliardë lekësh, duke përdorur kurset mesatare të këmbimit të dy viteve që përmend Berisha.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2013 një euro këmbehej mesatarisht me 140.30 lekë, ndërsa në vitin 2015 me 139.74 lekë.
Me këto kurse, e njëjta shumë prej 976 miliardë lekësh do të përkthehej në rreth 6.95 miliardë euro për vitin 2013 dhe 6.98 miliardë euro për vitin 2015.
Pra, llogaritjet nuk përputhen me shifrat 5.5 dhe 6.5 miliardë euro të deklaruara nga Berisha.

Eksperti: Shifra rekord e buxhetit ndikohet nga forcimi i lekut
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Ilir Ciko konfirmon për Faktoje se kalimi i pragut prej 10 miliardë eurosh ndikohet pjesërisht nga forcimi i lekut.
Sipas tij, nëse shpenzimet prej 976 miliardë lekësh do të konvertoheshin me kursin e këmbimit të dhjetorit 2021, kur një euro këmbehej me rreth 121 lekë, buxheti do të ishte afërsisht 8 miliardë euro.
Kjo tregon se vlera prej 10 miliardë eurosh ndikohet nga kursi aktual i këmbimit dhe nuk mund të interpretohet pa marrë parasysh këtë faktor.
Megjithatë, Ciko thekson se buxheti shënon edhe rritje reale në monedhën vendase. Shpenzimet janë rreth 7.6% më të larta se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe, pas zbritjes së inflacionit prej rreth 3%, rritja reale është afro 4.5%.
Ndërkohë, pesha e shpenzimeve në ekonomi rritet nga 32.5% në 33.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Buxheti 2027 është më i madhi në historinë e Shqipërisë, por jo i pari si i tillë. Në lekë, shpenzimet arrijnë 976 miliardë, rreth 7.6% më shumë se buxheti i rishikuar i 2026-s.
Çdo buxhet është rekord në shifra nominale, dhe kalimi i pragut prej 10 miliardë eurosh i detyrohet pjesërisht forcimit të lekut: me kursin e dhjetorit 2021, rreth 121 lekë për euro, i njëjti buxhet do të ishte rreth 8 miliardë euro. Pra rritja është normale, dhe zëri që rritet më shumë në projekt, investimet publike, është pikërisht ai që realizohet tradicionalisht më pak, p.sh. gjatë vitit 2025 rreth 41% e investimeve tyre u shlyen vetëm në muajin dhjetor”, deklaroi ai për Faktoje.
Përfundim
Berisha ka të drejtë kur argumenton se forcimi i lekut ndikon në paraqitjen e buxhetit në euro. Këtë e konfirmon edhe eksperti Ciko.
Por shifrat konkrete prej 5.5 dhe 6.5 miliardë eurosh që përmend kreu i opozitës nuk mbështeten nga llogaritja e së njëjtës shumë me kurset mesatare të viteve 2013 dhe 2015.
Prandaj deklaratën e tij e kategorizojmë gjysmë të vërtetë.






