Pretendimi: Ky është momenti kur arrestohet në Suedi Zylfie Haklaj

Verdikti: E pavërtetë, pjesë të imazhit të manipuluara

Historia e hakmarrjeve të përgjakshme në Tropojë në vitet 1997 dhe vigjiljen e luftën çlirimtare të Kosovës vijon të ngjallë interes në Shqipëri dhe Kosovë. Një prej dëshmitarëve të zëshëm në këtë dosje hakmarrjeje është dhe Zyflie Haklaj, vajza e familjes Haklaj, të përfshirë në hakmarrjet mes familjeve në Tropojë. Ajo vijon të intervistohet nga mediat shqiptare duke akuzuar edhe aktorët politikë të opozitës, ndërsa qëndron nën statusin e azilantit politik në Suedi.

Duke shfrytëzuar këtë interes të publikut, është ndarë së fundi nga profilet e portaleve kosovare dhe shqiptare lajmi për arrestimin në Suedi të motrës së Haklajve. Lajmi shoqërohet me një video të dy policëve me uniformë që ngjason me atë të policisë suedeze, të cilët mbajnë forcërisht për krahësh Zylfie Haklaj.

Postimi mbi arrestimin e Zylfie Haklaj në Suedi

Video është publikuar fillimisht në 26 prill nga profili PressKosova dhe më pas është ndarë në 27 maj nga profili Diaspora shqiptare në Suedi, nën titullin “Momenti kur u arrestua në Suedi Zylfie Haklaj”. Natyrshëm që video është klikuar mijëra herë nga përdoruesit që janë kuriozuar nga ky lajm.

Duke verifikuar më tej këtë lajm zbulojmë se bëhet fjalë për një riciklim të lajmit si dhe një montazh të pamjeve që shoqërojnë videon.

Më konkretisht, nga verifikimi në motorin e kërkimit në Google zbulojmë se audio e videos i përket një kronike televizive të televizionit Klan, që përmban edhe një pjesë nga konferenca e shtypit e policisë që njoftonte në 16 prill 2008 arrestimin nga policia suedeze të Zylfie Haklajt.

Ish-mësuesja e fizikës ndodhej në listën e Interpolit si një nga personat më të kërkuar nga policia shqiptare, pasi akuzohej për një krim si hakmarrje për vrasjen e vëllezërve. Sipas akuzës së prokurorisë, në 2 prill 2002 Zylfija qëlloi me një armë automatike në shëtitoren kryesore të Bajram Currit duke shkaktuar vdekjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit dhe duke lënë të plagosur kryetarin e gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha dhe Hysni Biberin.

Pas arrestimit, motra e Haklajve kërkoi që të mos ekstradohej në Shqipëri me argumentin se nuk do t’i garantohej një gjykim i pavarur për shkak se në drejtimin e vendit kishte ardhur në vitin 2005 Sali Berisha, personi kryesor i akuzuar nga Haklajt si nxitësi i nisjes së vrasjeve dhe zinxhirit të hakmarrjeve në ato vite në Tropojë. Drejtësia suedeze i cilësoi të drejta kërkesat e Zylfie Haklajt dhe sipas dokumentacionit që ka publikuar në daljet e saj publike, ajo ka përfituar statusin e azilantit politik dhe ka zgjedhur të gjykohet nga drejtësia suedeze për akuzat për vrasje të paramenduar. Deri më tani, Shqipëria nuk ka dërguar dokumentat ligjore për të nisur këtë gjykim ndaj saj.

Përsa i përket fotos të shfaqur në video dhe që pretendohet se i përket momentit të arrestimit, nëpërmjet motorit të Google Image, zbulojmë se bëhet fjalë për një montazh. Foto origjinale është ajo e një ndalimi të aktivistes ambjentaliste Greta Thunberg pas një proteste në Malmo të Suedisë në korrik 2023.

Foto origjinale e ndalimit të aktivistes Greta Thunberg

Autorët e montazhit kanë zëvendësuar foton e portretit të Gretës me atë të Zylfies për të krijuar këtë montazh dhe bërë më të besueshëm lajmin e arrestimit të  ‘Shotës së Tropojës”.

Artikulli paraprakDezinsektim pas dy vitesh mungese
Artikulli tjetërNisma për komisionin anti-korrupsion. A preket reforma në drejtësi?
Aimona Vogli
Aimona Vogli është Menaxher Editorial pranë Faktoje.al prej qershorit 2021. Aimona i bashkohet ekipit të Faktoje pas një eksperience 13-vjeçare në media, atë televizive, të shkruar e digjitale, por dhe pas një eksperience 3-vjeçare, si pjesë e shoqërisë civile në sektorin e Komunikimit & PR. Aimona e ka nisur karrierën e saj në 2005 në Gazeta Shqiptare, si gazetare ku ka mbuluar ndër të tjera çështjet sociale. Prej vitit 2010 Aimona ka qenë pjesë e Televizionin Kombëtar Klan, ku ka punuar si gazetare për disa programe televizive dhe më pas redaktore përgjegjëse e programit të pasdites “Rudina” me autorësi të Rudina Magjistarit. Për dy edicione radhazi (2015-2016) Aimona ka mbuluar dhe pozicionin e gazetares dhe përgjegjëse për Marrëdhëniet me Shtypin, për Festovalin Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”.