Pretendimi: Kjo këshillë e mjekut Pipero ju ndihmon të trajtoni variantet e fundit të Covid-19

Verdikti: Mungon konteksti, Riciklim

Që nga viti 2020 që u shfaq Covid-19, këshillat për shëndetin në internet dhe rrjetet sociale u kthyen në burimin kryesor të informacionit për publikun të ndodhur përballë situatave të panjohura. Sigurisht që këtë interes për shëndetin e përdorën edhe media dhe profile për të tërhequr klikime dhe rritur numrin e ndjekësve të tyre.

Një prej personazheve më të ndjekura për sëmundjen në periudhën e pandemisë ishte dhe mjeku Pëllumb Pipero. Këshillat e tij të qarta dhe gatishmëria për t’iu përgjigjur të gjitha mediave e bënë një prej mjekëve më të njohur në vend. Mesa duket ky popullaritet i tij vijon të tërheqë vëmendjen në rrjet edhe sot e kësaj dite.

Një artikull i postuar para dy vitesh, lidhur me hapat që duhen ndjekur për të mos nxituar drejt spitaleve pas simptomave të para të Covid-19, është rindarë në datë 28 tetor 2024 nga profili në Facebook “Super thënie të mëncura”.

Titulli “Mos merrni antibiotikë. Pipero tregon si të mbani temperaturën 38.5 me këto dy përbërës”, ka tërhequr mbi 285 mijë klikime dhe qindra komente pro dhe kundër në vetëm pak ditë.

Duke qenë se në titull mungon konteksti, krijohet trafiku i lexuesve që duan të dijnë se cilët janë dy përbërësit që mbajnë temperaturën e trupit deri në 38.5 gradë.

Në brendësi të artikullit citohet mjeku Pipero, i cili shpjegonte në fillimet e trajtimeve ndaj pandemisë se të prekurit nga Covid duhet të pinë lëngje kur kanë temperaturë si dhe paracetamol dhe ibuprofen.

Ky artikull risillet edhe njëherë për t’u lexuar në një periudhë kur mjekësia ka shumë më tepër eksperiencë ndaj sëmundjes si dhe janë prodhuar mjekime te reja.

Variantet e Covid-19, që qarkullojnë së fundi në vendin tonë, mund të kërkojnë gjithashtu trajtime të ndryshme nga ato të dy viteve më parë. Për këto arsye është e rëndësishme që këshillat mjekësorë në rrjete sociale të mos merren të mirëqëna nga lexuesit duke vendosur në rrezik shëndetin e tyre.