.

.

BallinaFaktometerE vërtetëQeveria shpërblen me 5 mijë lekë pensionistët në prag zgjedhjesh

Qeveria shpërblen me 5 mijë lekë pensionistët në prag zgjedhjesh

Kryeministri Edi Rama u premtoi pensionistëve shpërblim nga paratë që buxheti do të arkëtonte përmes taksës së jashtëzakonshme të energjisë këtë pranverë. Por ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, vuri në pikëpyetje premtimin e kryeministrit, me argumentin se ‘nuk ka përcaktuar një politikë të dhënies së shpërblimi të menjëhershëm në muajin prill’. 24 orë më vonë, Rama u kujdes të theksonte se qeveria nuk është tërhequr nga premtimi i shpërblimit të mbi 600 mijë pensionistëve. Sot ai ‘vulosi’ angazhimin duke bërë të ditur se shpërblimi për pensinistët do jetë në vlerën e 5 mijë lekëve.  

Esmeralda Topi

“…Jo për të marrë një shumë të konsiderueshme fondesh në të ardhurat e shtetit, por për t’i përdorur dhe për t’ia kthyer njerëzve në formën e mbështetjes financiare duke filluar me pensionistët dhe ata që janë në nevojë.” – premtoi Kryeministri Edi Rama më18 tetor 2022, teksa lajmëroi vendosjen e taksës së jashtëzakonshme të energjisë për prodhuesit e mëdhenj.

Ndërsa në mbledhjen maratonë të qeverisë në fillim të vitit 2023, kryeministri bëri të ditur se shpërblimi i mbi 600 mijë pensionistëvë do të jepej në muajin prill.

“Në prill mblidhet kësti i parë i Taksës së Jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë që eksportojnë me fitime të ngritura nga lufta dhe siç jemi zotuar, kjo taksë do të shërbejë për të mbështetur në radhë të parë pensionistët, e sipas mundësisë dhe radhës kategori të tjera më në nevojë.” – pohoi Rama më 5 janar, duke e lënë të hapur mundësinë e shpërblimit edhe për kategori të tjera në nevojë.

Por dy muaj më vonë, një qëndrim publik i ministres së Financave Delina Ibrahimaj prodhoi paqartësi, duke vënë në pikëpyetje premtimin e kryeministrit për shpërblimet e penionistëve në muajin prill.

“Për momentin nuk kemi përcaktuar një politikë të dhënies së një shpërblimi të menjëhershëm në muajin prill.”deklaroi Ibrahimaj më 8 mars 2023, teksa i përgjigjej interesit të gazetarëve pas mbledhjes së qeverisë.

24 orë më pas, kryeministri Edi Rama u kujdes të shuante dyshimet e ngritura mbi premtimin e qeverisë, kur u tha gazetarëve nga oborri i Partisë Socialiste:

“Po pse duhet të tërhiqet qeveria nga kjo dhe kush e tha këtë? Pse duhet të krijoni histori nga hiçi?’

Teksa i mbetej fjalës së dhënë, Rama justifikoi edhe qëndrimin e ministres së Financave duke ironizuar:

“Nuk tha kështu, edhe ju kam thënë shpesh here, shqipja është gjuhë shumë e bukur. Duhet parë dhe duhet trajtuar me shumë kujdes se është pasuria më e madhe që kemi, edhe ministrja nuk ka thënë fare që nuk kemi politikë të tillë. E keni pyetur për shpërblimet tani. Ndërkohë që taksa, dhe po t’i referohemi atyre që kemi thënë, është që taksa e jashtëzakonshme do të mblidhet dhe do të shikohet në muajin prill, dhe pastaj mbi bazën e asaj që do të mbledhim do të bëjmë edhe dedikimin për pensionistët.”  

E gjendur përballë këtij fakti, Ibrahimaj u detyrua të ndryshonte qëndrim një javë pasi kishte deklaruar se ministria nuk kishte përcaktuar shpërblim të menjëhershëm për pensionistët në prill.

“Ne kemi deklaruar në krye të herës që taksa e jashtëzakonshme do të mblidhet dhe do të shpërndahet për qëllime sociale, dhe qëllimet sociale sigurisht përmbledhin qoftë pagesat për pensionistët apo për kategoritë në nevojë. Pra me të arkëtuar taksën e jashtëzakonshme ne do të mendojmë për skemën e shpërndarjes. Afati i arkëtimit është fundi i marsit, pra nga muaji prill ne do t’i bëjmë me dije për mbështetjen që do të realizohet për kategoritë më në nevojë nga arkëtimi i taksës së jashtëzakonshme.” – pohoi Ibrahimaj më 13 mars pas mbledhjes së radhës së qeverisë.

Nga ana tjetër, Rama përforcoi qëndrimin e tij edhe në urimin për ditën e verës, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë pensionistëve me këto fjalë:

“Dua t’ju bëj një urim shumë të veçantë pensionistëve dhe t’ju them që përtej të gjitha thashethemeve të përditshme dhe krejt të kota të politikës dhe të mediave, jo vetëm që nuk e kemi harruar premtimin për t’ju rishpërndarë pensionistëve një tjetër mbështetje speciale, duke shfrytëzuar si burim taksën e jashtëzakonshme mbi kompanitë e mëdha të energjisë që eksportojnë, por përkundrazi siç e kemi thënë, taksa mblidhet kësti i parë në prill dhe me t’u mbledhur taksa do të shikojmë menjëherë sesi kryesorja në administrimin e atyre të ardhurave do të jenë për pensionistët.”.

Edhe Agjencia për Media dhe Informim, në një përgjigje zyrtare për Faktoje bëri të ditur se qeveria nuk është tërhequr nga premtimi për shpërblimin e pensionistëve në muajin prill.

Kësti i parë i taksës së jashtëzakonshme do të mblidhet në muajin prill dhe menjëherë pas mbledhjes së taksës, do të shihet se si do të bëhet dhe ndarja për pensionistët. Në këtë mënyrë, pensionistët do të përfitojnë mbështetjen e radhës nga qeveria. Ju rikujtojmë se kjo taksë e jashtëzakonshme, referuar dhe deklaratave publike të mëparshme të Kryeministrit Rama, do të vendoset duke ndjekur direktivën evropiane mbi tre prodhues të mëdhenj të energjisë.” – bën të ditur Agjencia për Media dhe Informim.

Në Paketën Fiskale të këtij viti qeveria ka përcaktuar vendosjen e një taksë speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që eksportojnë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023, fitimet e realizuara nga prodhuesit e energjisë elektrike, të cilët, për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, do të tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%. Të ardhurat e pritshme në buxhet vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë, të cilat qeveria është e vendosur t’ia ndajë pensionistëve në formë shpërblimi prej 5 mijë lekësh.

“Sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por kemi edhe informimin konkret se për pensionistët do të ketë 5 mijë lek të reja ose 50 mijë lekë (të vjetra) që do të shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme.”– deklaroi Rama më 29 mars, pas mbledhjes së qeverisë.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img