Ai që nisi si një tubim paqësor, me kërkesa për kushte më të mira në auditore dhe konvikte, përfundoi në një protestë të përgjakshme me dhjetëra studentë dhe qytetarë të shoqëruar dhe lënduar.
Zona para Ministrisë së Arsimit u kthye në një fushë betejë të vërtetë, ku situata precipitoi pas rreth një ore nga nisja e protestës.
Studentët, të cilët në kor kërkuan dorëheqjen e qeverisë Rama, nisën të godisnin me vezë drejt godinës së ministrisë, bojë të kuqe dhe gurë.
Siç shihet edhe nga fotot e dokumentuara nga Faktoje.al. xhamat u thyen dhe pjesa e kangjellave të institucionit në krahun e rrugës së Durrësit u shkatërruan. Deri në ato momente nuk kishte asnjë kordon policie që rrethonte ministrinë e Arsimit. Hapësira mes protestuesve dhe ndërtesës se ministrisë ishte e lirë.



Pas goditjes me vezë, gurë dhe pllaka të shkulura nga trotuarët drejt ministrisë, policia nxorri efektivët me skafandra dhe shkopa gome për të zmbrapsur të rinjtë, ku disa prej tyre mbanin kapuçë të zinj në kokë.
Pesë makina policie u shfaqën me sekonda, ndërsa ishin pozicionuar më herët në rrugët dytësore.
Ndaj protestuesve u hodh gaz lotsjellës dhe ujë me presion që përfshiu edhe qytetarë të pranishëm, të cilët qëndronin mbi trotuare.
Më pas, grupe agjentësh civilë dhe me uniformë, nisën të kapnin dhe arrestonin disa nga protestuesit që drejtonin tubimin, ne disa raste në mënyrë shporporcionale.
Mes të ndaluarve dhe shoqëruarve pati edhe persona të lënduar që nuk kishin lidhje me protestën.
Pas rreth një orë betejë, protestuesit duket sikur u shpërndanë.


Por të organizuar me dy grupe, një pjesë te Ministria e Arsimit dhe një pjesë te zona pranë kafe “Florës”, u ribashkuan dhe nisën përplasjen me forcat e policisë, duke bërë që protesta të zgjaste gjatë mbi katër orë.
Sërish policia u përgjigj me gaz lotsjellës, këtë herë më të organizuar për të zmbrapsur studentët protestues.
Edhe pse u promovua si protestë e studentëve, nuk munguan eksponentë të politikës. Deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i pranishëm gjatë përplasjeve me policinë, denoncoi dhunën ndaj të rinjve, duke publikuar foto në rrjetet sociale.
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Jamarbër Malltezi, i cili ishte në terren, duke ndarë video nga protesta, denonconte arrestimin e të rinjve, duke debatuar me policinë herë pas here.



Policia e Shtetit njoftoi nga ana e saj se gjatë tubimit pranë Ministrisë së Arsimit, disa protestues dëmtuan rrethimin, portën hyrëse dhe fasadën e godinës, si dhe sulmuan efektivët me molotovë, gurë dhe sende të forta.
Policia njoftoi (deri në publikimin e ketij lajmi) se kishte ndërhyrë për rivendosjen e rendit duke shoqëruar 23 persona.
Gjatë protestës, u lënduan gjithashtu 6 punonjës policie dhe një gazetare, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.



“Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë, duke theksuar angazhimin për garantimin e së drejtës për tubim paqësor”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Në orët e mbrëmjes, rruga e Durresit ishte krejtesisht e paralizuar. Protestuesit i vunë zjarrin koshave të mbeturinave dhe në vende të caktuara përdorën edhe mjete rrethanore për vënien e zjarrit.

Policia ndërkohë devijonte qytetarët të kalonin në rrugë dytësore, trafiku gjithashtu u paralizua, ndërsa rruga kryesore ishte blinduar me makina policie dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, që u panë dendur dhe dukshëm gjatë orëve të mbrëmjes.






