Pas miratimit të hartës së re administrativo-territoriale, që e ul numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, Partia Socialiste kërkon të nisë fazën e dytë të reformës.
Kjo fazë do të përqendrohet te mënyra se si funksionon pushteti vendor, kompetencat që ushtron dhe burimet financiare me të cilat ofron shërbimet publike.
Grupi Parlamentar i PS-së i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili do të shqyrtojë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe institucionale për organizimin e ri të qeverisjes vendore.
Kërkesa vjen pasi ndarja e re territoriale u miratua në Kuvend më 9 tetor, me 85 vota pro.
Sipas propozimit, komisioni do të përbëhet nga 16 anëtarë dhe do të ketë mandat nëntëmujor.
Faza e parë e këtij komisioni u zhvillua në tetor të 2025-ës deri në korrik të vitit 2026.
Pranë tij parashikohet të ngrihet një grup ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe një sekretariat teknik.
Në dokumentin e paraqitur nga socialistët, kjo fazë ndahet në tri fusha kryesore: funksionet dhe shërbimet vendore, financat e pushtetit lokal dhe niveli rajonal.
Cilat do të jenë detyrat e komisionit
Një nga detyrat e propozuara të komisionit është analiza e funksioneve, kompetencave dhe shërbimeve publike vendore, si dhe hartimi i propozimeve për thellimin e decentralizimit.
Kjo përfshin shqyrtimin e kuadrit ligjor aktual dhe të mënyrës se si ndahen përgjegjësitë mes qeverisë qendrore dhe bashkive.
Faza e dytë parashikon edhe rishikimin e sistemit të financave vendore, me synimin për të forcuar decentralizimin fiskal dhe qëndrueshmërinë financiare të bashkive.
Komisionit gjithashtu i kërkohet të zhvillojë konsultime me bashkitë, shoqatat e tyre, institucionet qendrore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Në përfundim të punës, ai duhet t’i paraqesë Kuvendit projektligjet dhe relacionet shoqëruese.
Haxhimali: Pa një drejtim të qartë, rrezikojmë një reformë të mirëfilltë të sistemit
Nëntë muaj mund të jenë të mjaftueshëm për të hartuar propozime konkrete për fazën e dytë të reformës territoriale, por jo domosdoshmërisht për të analizuar në tërësi sistemin e qeverisjes vendore dhe për të projektuar nga e para të gjitha ndryshimet që ai kërkon.
Ky është vlerësimi i ekspertit të qeverisjes vendore Agron Haxhimali, i cili e konsideron të rëndësishme vijimin e reformës pas miratimit të ndarjes së re territoriale, por ngre pikëpyetje mbi modelin që synohet të ndërtohet.
Sipas Haxhimalit, suksesi i komisionit të posaçëm nuk do të varet vetëm nga afati i përcaktuar për punën e tij, por edhe nga qartësia e objektivave, cilësia e analizave dhe përfshirja reale e aktorëve vendorë në proces.
“Pyetja thelbësore është nëse mazhoranca e ka të qartë modelin e qeverisjes vendore që kërkon të ndërtojë. Pa këtë qartësi, rrezikojmë që edhe nëntë muajt të përfundojnë me ndryshime ligjore të pjesshme, pa një reformë të vërtetë të sistemit”, vëren ai për Faktoje.al.
Sipas tij, duhet të përcaktohet nëse synimi është krijimi i një pushteti vendor më autonom, me më shumë kompetenca dhe burime financiare, apo thjesht riorganizimi administrativ i strukturave ekzistuese.
46 bashki në zgjedhjet e ardhshme
Afati nëntëmujor i komisionit ngre pikëpyetje për kohën kur do të përfundojnë ndryshimet ligjore, ndërsa zgjedhjet vendore pritet të mbahen në maj 2027.
Sipas ekspertit të qeverisjes vendore Agron Haxhimali, zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale, me 46 bashki dhe jo me hartën aktuale prej 61 bashkish.
Madje, në kërkesën e saj, Partia Socialiste parashikon që komisioni i ri të ndjekë zbatimin e ndarjes së re territoriale për ngritjen e bashkive të reja, me synimin që ato të nisin funksionimin pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Çfarë duhet bërë në fazën e dytë
Për Haxhimalin, faza e dytë duhet të shkojë përtej hartës së re dhe të trajtojë mënyrën se si organizohet, financohet dhe kontrollohet demokratikisht pushteti vendor.
Ai identifikon për Faktoje.al katër shtylla kryesore që duhet të përfshihen në këtë proces: shtylla territoriale dhe institucionale, shtylla funksionale, shtylla financiare dhe shtylla demokratike e zgjedhore.
Në planin institucional, sipas tij, duhet të qartësohen organizimi dhe funksionimi i 46 bashkive dhe 12 qarqeve, marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërvendor.
Ai thotë se një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe rolit të nivelit rajonal, në mënyrë që përgjegjësitë dhe marrëdhëniet e tij me bashkitë dhe qeverinë qendrore të jenë të përcaktuara qartë.
Kompetencat
Një tjetër çështje themelore është ndarja e kompetencave.
Haxhimali argumenton se duhet të përcaktohet më qartë se cilat funksione duhet të ushtrohen nga pushteti vendor dhe cilat duhet të mbeten përgjegjësi e qeverisjes qendrore.
Në të kundërt, ndryshimet ligjore mund të mos përkthehen në përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Për këtë arsye, financimi i kompetencave sipas tij duhet të jetë një nga çështjet kryesore të komisionit, së bashku me forcimin e autonomisë fiskale, rishikimin e transfertave dhe krijimin e mekanizmave të barazimit financiar mes bashkive.
“Ndër çështjet më urgjente do të veçoja tranzicionin institucional, vazhdimësinë e shërbimeve, përfaqësimin e territoreve të bashkuara dhe financimin e kompetencave.
Një reformë territoriale e plotë duhet të ndryshojë jo vetëm hartën, por edhe mënyrën si organizohet, financohet dhe kontrollohet demokratikisht pushteti vendor”, shton ai.
Përveç organizimit institucional dhe financave, Haxhimali e konsideron të rëndësishëm edhe rishikimin e sistemit të përfaqësimit vendor. Reduktimi i numrit të bashkive, sipas tij, e bën të nevojshme që të shqyrtohet mënyra se si përfaqësohen komunitetet brenda njësive të reja, si funksionojnë këshillat bashkiakë dhe çfarë roli kanë këshillat e qarqeve.
“Duhet të garantojmë që komunitetet e bashkuara të mos humbasin ndikimin e tyre në vendimmarrje”, thekson eksperti.
Më shumë autonomi, por edhe garanci financiare
Sipas Haxhimalit, decentralizimi duhet t’u japë bashkive më shumë autonomi për të përcaktuar prioritetet sipas nevojave të komuniteteve, por kjo duhet të shoqërohet me mbështetje financiare dhe institucionale.
Për shkak të kapaciteteve të ndryshme mes njësive vendore, pa mekanizma financimi dhe barazimi, disa bashki mund të mos kenë mundësi të ofrojnë shërbime cilësore.
“Zgjidhja e pabarazive nuk është kufizimi i autonomisë vendore, por krijimi i kushteve që çdo bashki të mund ta ushtrojë realisht atë”, shprehet ai.
Eksperti thekson se decentralizimi real kërkon edhe vullnet politik nga qeveria qendrore, respektim të pavarësisë institucionale e financiare të bashkive dhe mosndërhyrje në kompetencat e tyre ligjore.
“Reforma do të jetë e suksesshme vetëm nëse Qeveria është realisht e gatshme jo thjesht të riorganizojë pushtetin vendor, por t’i besojë atij më shumë pushtet, përgjegjësi dhe burime”, përfundon Haxhimali.
Opozita braktis Konferencën e Kryetarëve
Mëngjesin e së martës, opozita braktisi mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, duke kundërshtuar propozimin e PS-së për ngritjen e një komisioni të ri për fazën e dytë të reformës territoriale.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha se vendimi për pjesëmarrjen do të merret nga grupi parlamentar, ndërsa e cilësoi procesin e mëparshëm si të njëanshëm dhe pa konsensus.
Sipas saj, vendimi nëse opozita do të marrë pjesë apo jo në këtë Komision do të merret në mbledhjen e grupit të Partisë Demokratike.
“Opozita do ketë një mbledhje të grupit parlamentar, por unë mbajta qëndrimin për disa çështje që ishin transparente. Nëse ky komision nuk bëri detyrën, nuk e di pse duhet të ulemi sërish”, tha Tabaku.
Tabaku deklaroi se Partia Socialiste ka rikthyer për shqyrtim të njëjtën kërkesë për reformën territoriale, pavarësisht se procesi i mëparshëm, përfundoi pa konsensus dhe me një hartë të njëanshme.
“E njëjta kërkesë, me të njëjtën përmbajtje, për reformën territoriale që përfundoi në mënyrë të njëanshme dhe me një hartë, është risjellë sot nga PS për të vazhduar punën e komisionit. Bëjnë një produkt të njëanshëm dhe tani thonë: hajde se do të ndryshojmë edhe ligjet. Është tallje me Kuvendin dhe qytetarët”, u shpreh Tabaku.
Ndërsa e pyetur nese do ta çojnë hartën e re territoriale në Gjykatë Kushtetuese, Tabaku tha se do ta diskutojne dhe se ky variant është në tryezë, por solli disa shembuj duke theksuar se mazhoranca nuk zbaton vendimet e Gjykates Kushtetuese.






