Pretendimi: Kjo video tregon një sulm me raketa kundër aeroportit të Riyadh në Arabinë Saudite në tetor 2026
Verdikti: Gjysmë e vërtetë
————————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon pamje nga një sulm me raketa kundër aeroportit të Riyadh në Arabinë Saudite më 10 tetor 2026 që vrau vrau 13 persona dhe plagosi më shumë se 300.

Video e mësipërme përbëhet nga 3 klipe të bashkëngjitura.
Ndërsa njëri prej klipeve tregon pamje që janë botuar në media të besueshme ndërkombëtare në lidhje me sulme kundër aeroportit të Riyadh, ai tregon pamje nga sulmi i 8 tetorit, jo atij të të shtunës së 10 tetorit, që la 13 të vdekur.

Ndërsa klipi i parë, që duket se tregon shpërthimin e një avioni, ka tregues se është gjeneruar ose modifikuar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).
Asnjë nga imazhet që janë botuar nga mediat në kohën e botimit të këtij teksti nuk e tregon momentin kur raketa goditi avionin.
Më poshtë paraqitet një fotografi e publikuar nga media britanike The Telegraph. Qartazi vija e çatisë së kësaj pjese të terminalit dhe afërsia e avionit me ndërtesën në foton reale nuk përputhen me atë që shfaqet në videon e mësipërme.

Video që po qarkullon në rrjet (sipër) dhe foto reale (poshtë)
Shqyrtimi i videos së ngadalësuar zbulon gabime logjike pamore tipike për videot e krijuara me AI. Video më poshtë tregon një detaj nga skena me gjysmën e shpejtësisë së zakonshme. Një mjet shërbimi, me përmasat e një karroce golfi, pëson një shpërfytyrim ndërsa hidhet tutje nga shpërthimi. Ai duket më shumë si një maket i sheshtë kartoni sesa si një objekt solid tre dimensional. Ndërsa mbeturinat, tashmë tërësisht të panjohshme, rrokullisen mbi asfalt, ato bëhen gjithnjë e më të vogla. Kur ndalojnë së lëvizuri, ato kanë përmasat e një paneli të përparmë karrocerie.
http://faktoje.al/ëp-content/uploads/2026/10/Screen-Recording-2026-10-12-121309.mp4
Kjo analizë zbulon gjithashtu një keqinterpretim të skenës nga programi që shtoi efektet e shpërthimit. Mjeti i vogël i bardhë shfaqet me pjesën e përparme të verdhë, por kjo ngjyrë e verdhë është në fakt pjesë e një platforme ngritëse që, në atë skenë, mbivendoset vizualisht me mjetin e bardhë.
Më tej, shpërthimi ndodh menjëherë pas goditjes me raketë, pa u paraprirë nga ndonjë dëmtim strukturor i aeroportit.

Pavarësisht një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në intervalin kohor midis sekondës së dytë dhe të pestë, autobusi i aeroportit, automjetet me shkallë dhe automjetet e shërbimit që ndodheshin pranë avionit mbetën të paprekura, pa asnjë dëmtim.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti imazhin origjinal që duket se është përdorur për të gjeneruar këtë video.

Imazhi origjinal (majtas) dhe video e gjeneruar (djathtas)
Aeroporti i Riyadh është goditur katër herë gjatë pesë ditëve të fundit. Aeroporti ka qëndruar i mbyllur që nga sulmi i së shtunës, i cili ishte më vdekjeprurësi në vend që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në fund të shkurtit 2026.
Grupet Houthi në Yemen deklaruan se qëndronin pas sulmeve dhe paralajmëruan kompanitë ajrore e pasagjerët që të mos përdornin aeroportet dhe hapësirën ajrore të Arabisë Saudite.






