Nga 3 prilli, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri janë të detyruara të hapin llogari bankare falas për disa kategori të veçanta individësh- mes tyre dhe pensionistët. Hapja e llogarive bankare nuk është e detyrueshme, por disa media online kanë nxjerrë nga konteksti ligjin duke përhapur keqinformim. 

Pretendimi: Do të merren në bankë/ Çfarë ndodh nga 1 Prilli me pensionet

Vlerësimi: Jashtë konteksti 

“Do të merren në bankë/ Çfarë ndodh nga 1 Prilli me pensionet”- Ky është titulli i një artikulli të botuar në fund të muajit mars nga portali argjiroja.net.  

Lajmi i paraprin hyrjes në fuqi të ligjit për “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, por nëse nuk ke informacionin e duhur lidhur me të rejat që sjell ligji – teksti i artikullit nuk mund të sjellë ndonjë të re. 

Ndonëse titulli të fton për të kuptuar se çfarë do të ndodh më pensionet nga 1 prilli, pjesa dërrmuese e artikullit i dedikohet problematikave që hasin pensionistët, rritjen e pensioneve, apo propozimet e opozitës. Të gjitha këto informacione të ngatërruara për publikun i ofrohen publikur përmes zërit të dy ekspertëve. 

Fotografi nga artikulli i argjiro.net

I vetmi paragraf i shkrimit që lidhet me titullin gjendet në fund. Me një nëndarje ‘Çfarë do të ndodhë nga 1 prilli’ ndër të tjera shkruhet: 

“Ekspertja foli dhe për ndryshimet e pensioneve nga 1 prilli, për pjesën që të gjithë pensionistët do ta marrin në bankë”. 

Fotografi nga artikulli i argjiro.net

E vërteta është se marrja e pensionit në bankë është një mundësi që pensionistëve po ju ofrohet falas nga 3 prilli, datë që hyri në fuqi ligji për “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. 

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bankës së Shqipërisë për praktikën e bankave me pensionet dhe deklaratat e drejtuesve të qeverisë për ndryshimet që do të ndodhin me nisjen e prillit.

Në përgjigjen zyrtare, Banka e Shqipërisë sqaron:“Ky ligj synon rritjen e numrit të llogarive bankare të pagesave nëpërmjet afrimit drejt sistemit bankar të shtresave të konsumatorëve, të cilët nuk kanë aktualisht llogari bankare, si dhe nxitjen e përdorimit më aktiv të llogarive ekzistuese të pagesave për atë grup konsumatorësh, të cilët kanë një llogari, por e përdorin minimalisht atë.” 

Kjo nënkupton se mbi 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin kanë të drejtë të hapin falas një llogari bazike në çdo bankë të nivelit të dytë për të marrë pensionin e tyre. Por hapja e llogarisë nuk është detyruese për ta. Përkundrazi, ligji detyron bankat që të hapin llogari bazike për pensionistët bazuar në kërkesat e tyre. 

Ndërkohë, pensionistëve vijon t’ju ofrohet mundësia për ta tërhequr pensionin pranë sporteleve të Postës Shqiptare.