Pretendimi: Parashqevi Simaku u kthye në Shqipëri. Publikohet foto e parë e saj me Behgjet Pacollin
Verdikti: E pavërtetë
Një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar në vitet 90-të, Parashqevi Simaku, theu përsëri zemrat e shqiptarëve pas publikimit në 12 dhjetor të një video ku shfaqej si e pastrehë në rrugët e New Yorkut.
Pas konfirmimit të mëtejshëm për dramën familjare dhe profesionale në emigracion të Simakut, një valë komentesh solidarizuese nga shqiptarët anembanë botës “pushtuan” rrjetin. Nisma të ndryshme për mbledhjen e fondeve për të mundësuar një jetesë më të denjë për artisten shqiptare u nxitën në Shqipëri dhe Kosovë.
Duke parë këtë interes të shtuar, në rrjet po shfaqen edhe lajmet e rreme që synojnë thithjen e klikimeve nga përdoruesit. Një rast i tillë është ai i kanalit në Youtube “Fakte Interesante”, i cili njoftoi rikthimin në Tiranë të Parashqevi Simakut falë ndihmës së ofruar nga biznesmeni dhe politikani kosovar Behgjet Pacolli.
Për ta bërë më të besueshme lajmin, premtohet publikimi i fotografisë së parë të Simakut të shpëtuar tashmë me Pacollin në Shqipëri.
Në brendësi të videos zbulohet shumë lehtë se kemi të bëjmë me një lajm dhe fotografi të montuar, që ka për synim të tërheqë interesin e përdoruesve dhe rrisë klikimet me qëllim përfitime të mëtejshme marketing nga kanali në Youtube.
Zanafilla e lajmet duket se është një postim në Facebook i Behgjet Pacollit, i cili u shpreh se bashkë me bamirësin Halil Kastrati dhe ish-konsullin e Kosovës në Kanada, Donat Syla, shprehim gatishmërinë për të vënë në dispozicion një banesë dhe për të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për transferimin e saj në Kosovë ose Shqipëri, duke i garantuar asaj punësim adekuat ose një pension mujor.”
Brenda disa orëve të mëtejshme pas verifikimit tonë të parë, kanali pretendon se Parashqevia është sjellë në Shqipëri falë ndihmës së një sërë artistësh dhe personazhesh të tjerë publikë si Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea, Luiz Ejlli apo aktivisti Arbër Hajdari.
Në të vërtetë, Parashqevi Simaku vijon ende të jetë në ShBA. Në të njëjtën ditë me publikimin e këtyre lajmeve sensacionale, janë publikuar prova filmike të sigurimit të strehimit të saj nga biznesmeni dhe aktivisti LGBT shqiptar që jeton në ShBA, Elton Ilirjani.
*pjesë e shkëputur nga videoja në instastory të Elton Ilirjani
Pretendimi që këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku ëshë rikthyer në Shqipëri është i pavërtetë.