Pretendimi: Një shekull më parë mund të arrestoheshe po të mësoje në shkolla që toka është glob
Verdikti: I pavërtetë
Mbështetësit e teorisë së tokës së sheshtë po shpërndajnë së fundi në rrjet një artikull gazete të vitit 1900 si provë se dikur në shkolla ishte e ndaluar të mësohej për planetin tonë si një glob. Postimi pretendon se mësuesit e dikurshëm rrezikonin të dënoheshin me burg në rast se nxisnin tek nxënësit idenë e një toke të rrumbullakët.
Ne verifikuam më tej këtë postim për të zbuluar se artikulli i publikuar në fundin e shekullit të 19-të është i vërtetë. Më konkretisht, artikulli i përket numrit të datës 21 prill 1900 të gazetës së Minesotës në ShBA, ‘The Cook County Herald”.
Çfarë nuk shpjegohet në postimin e plot 124 viteve më pas në Facebook është fakti që ky ishte një artikull gazmor për një histori të ndodhur në Britani. Një vit më parë, në 1899, Ebenezer Breach, një përkrahës i teorisë së Tokës së sheshtë, kërcënoi të padiste Sir John Gorst, sekretarin e arsimit të Mbretërisë së Bashkuar, për mësimin e teorisë së Tokës së rrumbullakët në shkolla. Ebenezeri pretendoi se padia mun të bazohej në të ashtuquajturin “Akt i Mashtruesve”. Askush nuk kishte dëgjuar më parë për këtë ligj të supozuar, madje as gazetarët që po ndiqnin historinë.
Disa gazeta amerikane e gjetën këtë histori shumë zbavitëse dhe shkruan artikuj për të në një ton sarkastik e humoristik. Me një hiperbolë të dukshme, ato e prezantuan Ebenezerin si “heroin” që luftonte kundër “të ligut” Sir John Gorst.
Por mjafton të lexoni fundin e artikullit për të kuptuar natyrën e vërtetë të tij:
“Në të dhënat e fundit, Sir John ishte ende i lirë, dhe po ashtu edhe Ebenezeri.”
Nuk ka asnjë provë që Sir John u ndëshkua për këtë “krim” të supozuar, dhe asnjë padi nuk u zhvillua ndonjëherë. Kërcënimi nuk u mor seriozisht nga askush, përfshirë edhe Sir John.
Në ditët e sotme, kjo ngjarje na tregon se, ashtu si sot, edhe atëherë, përkrahësit e teorisë së Tokës së sheshtë ishin një objekt gazmor në artikujt zbavitës të lajmeve.