Një imazh që qarkullon në rrjet i atribuon filozofit dhe politikanit romak Marcus Cicero një sërë aforizmash që pretendohet se ai ka shkruar në 43 P.E.S. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se asnjë nga citatet nuk shfaqet në ndonjë nga shkrimet e filozofit që kanë mbijetuar deri në kohët e sotme.

—————————————

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahen nëntë vërrejtje të cilat i atribuohen politikanit dhe oratorit romak Marcus Tullius Cicero (106 PES – 43 PES).

Lexuesi skeptik vëren se gjuha dhe konceptet e përmendura janë pak si shumë moderne për të qenë të shkruara Para Erës Sonë. Për më tepër, duke qenë se Cicero ishte vetë avokat dhe politikan, ka pak gjasa që ai do të kishte denoncuar këto profesione si mashtrues dhe shfrytëzues.

Megjithëse shkrimet e Cicero që kanë mbijetuar deri në kohën e sotme kanë qenë burimi i shumë citateve që vijojnë të shpërndahen, aforizmat e mësipërme nuk bëjnë pjesë në ta.

Një kërkimveprat e plota të Marcus Tullius Cicero nuk shfaq aforizmat e mësipërme.

Duket se këto aforizma i janë atribuuar për herë të parë Ciceros në 2012, në një forum të lëvizjes Occupy Wall Street. Në këtë postim, autori nuk i është referuar ndonjë shkrimi të Ciceros, ku supozohet se janë shkruar këto vërrejtje.

As akademikët që i kanë dedikuar karrierën e tyre studimit të Cicero nuk e njohin këtë citat të pretenduar të tij.

Sean McConnell, autor i librit “Jeta Filozofike në Letrat e Cicero”, tha për AAP se nuk i shkonte mendja tek asgjë në punën e Cicero që mund të kishte frymëzuar këtë imazh. “është goxha e çuditshme,” tha ai.

Ndërkohë, Jon Hall nga universiteti i Otago, tha se nuk kishte parë ndonjë nga këto aforizma në veprat e Cicero, të cilat konsistojnë në 58 fjalime, 17 traktate dhe rreth 900 letra. 

Ai shtoi se pikëpamja e citatit nuk linjëzohet me mendimet e Cicero. “Në një pikë ai [Cicero] iu kundërvu disa planeve për t’u dhënë tokë të varfërve, dhe me sukses,” tha Hall. “Ai ishte tërësisht një burrë senatorial; dhe, edhe pse ai nuk vinte nga një familje tradicionale aristokrate, ai ishte gjithsesi i linjëzuar me konservatorët.”

Dr. Clifford Ando, nga Universiteti i Chicago, tha diçka të ngjashme për Check Your Fact. “Cicero ishte një mendimtar politik shumë konservator, dhe nuk shprehte cinizëm të këtij lloji mbi të pasurit dhe të varfrit, apo për avokatët” shpjegoi Ando. 

Njësoj, Dr. T. Corey Brennan nga Rutgers University tha se “shumica e këtyre pikave (1, 2, 5, 6, 7) më duken si e kundërta e pikëpamjeve të Cicero”

Anakronizmi në këto thënie u nënvizua nga studiuesit. Sipas Ando, “doktori nuk ishte ndonjë profesion i shquar në Romën e republikës së vonë, e njëjta gjë edhe për bankierët.” Brennan tha se pikat “4 dhe 9 janë anakronistike. Ideja që Cicero përmend ‘taksapaguesit’ si klasë është një tregues i sigurt se citati është i rremë. Për më tepër postet politike teknikisht nuk ishin me pagesë, megjithëse njerëzit sigurisht që përfitonin nga to.”

Dr. Ann Carol Vasaly nga Universiteti i Boston vërejti gjithashtu se “askush që ka ndonjë njohuri mbi Cicero nuk do t’i referohej si ‘Cicero i Perandorisë Romake’. Perandoria [27 PES – 476 ES], si periudhë kohore, i referohet peridhuës së Augustit e tutje. Cicero jetonte në periudhën e Republikës Romake [509-27 PES].”