Pretendimi: Zbulohet që McDonald’s përdor mish njeriu në produktet e tij
Verdikti: E pavërtetë
McDonald’s, një nga zinxhirët më të njohur të ushqimit të shpejtë në botë, është shpesh në qendër të spekulimeve dhe thashethemeve të pabaza. Një nga më të përhapurat prej tyre është pretendimi se McDonald’s përdor mish njeriu, me prejardhje nga fëmijët e trafikuar.
Ky pretendim qarkullon prej shumë vitesh në rrjet pa dhënë asnjë provë për të mbështetur një të dhënë kaq shqetësuese.
Verifikimi në motorët e kërkimit të Google me gjuhën e përdorur në postime zbulon se zanafilla e këtyre spekulimeve është një artikull i botuar në vitin 2014 në faqen e internetit Huzlers, me titullin “McDonalds ekspozohet për përdorimin e mishit të njeriut”!
Disa postime dhe artikulli i Huzlers përmendin mishin e njeriut që gjendet në ngrirësit e një fabrike në Oklahoma City. Teksti poshtë emrit të autorit në artikull thotë: “Besoni gjysmën e asaj që shihni dhe asgjë që lexoni në internet.” Publikimi është etiketuar si “satirë” dhe verifikuar më parë edhe nga Reuters dhe Snopes.
Themeluesi i Huzlers e ka përshkruar faqen e internetit si “fauxtire” në të kaluarën, një përzierje e falsifikimit dhe satires.
McDonald’s përgjigjet në faqen e tij të internetit në lidhje me ushqimet e tij, duke siguruar klientët se përdoret vetëm mish viçi dhe pule 100% i pastër, por kompania nuk ka preferuar të përgjigjet ndaj kërkesës së Reuters për koment.
Përsa i përket pretendimit se mishi i njeriut sigurohet nga trafikimi i fëmijëve, kjo insinuatë është propaganduar si pjesë e teorisë QAnon.
Lëvizja QAnon mbështetet mbi një teori konspirative që përshkruan ish-presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një rrjet elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.
Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një rrjet trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe qëlloi me armë.