Pretendimi: Një mësues irlandez u arrestua pasi refuzoi të mësonte nxënësit për LGBT
Verdikti: Mungon konteksti
Arrestimi i një mësuesi irlandez, të kthyer në simbolin e grupimeve që luftojnë kundër të drejtave të lëvizjes LGBTQ+, po ndahet me interes në rrjetet sociale shqipfolëse. Një prej këtyre postimeve, interpreton këë arrestim si një ndëshkim ndaj “mësuesit pasi refuzon të mësojë propagandë për seksualitetin LGBT”.
Postimi shoqërohet edhe me pamjet e mbërritjes së policisë irlandeze në shtëpinë e Enoch Burke, për të ekzekutuar vendimin e një gjykate.
Arrestimi i Burke, një mësuesi të historisë dhe gjeografisë në rajonin e Westmeath, në Irlandë, është i vërtetë, por arsyet që qëndrojnë pas akuzave të tij janë të keqinterpretuara.
Akuza zyrtare që e ridërgoi mësuesin në burg është refuzimi I tij për të respektuar një urdhër gjykate që i kërkonte të qëndronte larg institucioneve të shkollës. Ky është arrestimi i tretë për mësuesin, i cili është bërë një figurë qendrore në një debat të gjatë dhe të nxehtë mbi lirinë fetare dhe të drejtat e komunitetit transgjinor në Irlandë.
Problemet e Burke me shkollën “Wilson’s Hospital” nisën në gusht të vitit 2022, kur ai u pezullua nga puna pas një përplasjeje publike me drejtoreshën e atëhershme të shkollës. Mësuesi kundërshtoi hapur përdorimin e emrit të ri dhe përemrit “they” (ata) nga një nxënës që kërkonte të ndryshonte gjininë.
Bordi i shkollës vendosi pezullimin e Burke për shkelje të rregullave të institucionit që ndalojnë paragjykimin dhe gjuhën e urrejtjes. Pavarësisht këtij vendimi, mësuesi nuk ndaloi së frekuentuari shkollën. Kjo tentativë e tij për të hyrë me forcë në ambentet e shkollës ka sjellë ndalimin e tij nga policia dhe nxjerrjen e një urdhëri gjyqësor, i cili e kufizonte atë të afrohej pranë kolegjit.
Në gjykatë, Burke akuzoi autoritetet për shkeljen e të drejtave të tij fetare, duke theksuar besimin e tij se ekzistojnë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. “Kjo është një tallje e drejtësisë,” i tha ai gjyqtarit, duke e cilësuar çështjen si një betejë për lirinë fetare.
Në shtator të vitit 2022, Burke u arrestua për herë të parë pasi shkelte urdhrin e gjykatës, dhe kaloi tre muaj në burgun Mountjoy në Dublin për mosrespektim të gjykatës. Edhe pse u lirua pas kësaj periudhe, Burke u arrestua përsëri në shtator të vitit 2023, pasi shkoi në shkollë në mënyrë të përsëritur duke sfiduar urdhrin e gjykatës. Ai u lirua përsëri nga gjykata në qershor të këtij viti, por gjyqtari theksoi se urdhri mbetej në fuqi dhe se ai nuk duhej të kthehej në shkollë.
Burke u informua se do të lirohej plotësisht nëse premtonte se do të respektonte urdhrin dhe do të qëndronte larg shkollës, por ai refuzoi të bënte një premtim të tillë. Ky refuzim vazhdoi edhe pas më shumë se 400 ditëve të kaluara në burg gjithsej.
Imazhet e Burke duke qëndruar jashtë shkollës, me një çantë lëkure në shpatull, janë bërë subjekt i memeve dhe kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare, duke e kthyer çështjen e tij në një simbol të luftërave kulturore që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera.
Kur Burke u lirua përkohësisht në qershor të këtij viti, gjyqtari i Gjykatës së Lartë shprehu shpresën se ai do të reflektonte mbi situatën dhe do të mendonte për pasojat e veprimeve të tij. Megjithatë, më 22 gusht të këtij viti, Burke u kthye përsëri në shkollën Ëilson’s Hospital për fillimin e vitit të ri shkollor, duke sfiduar përsëri urdhrat e gjykatës. Si pasojë, ai u arrestua për herë të tretë dhe u rikthye në burg, ku do të qëndrojë deri në një vendim të ri gjyqësor.
Kjo çështje mbetet një nga debatet më të nxehta mbi kufijtë e lirisë fetare dhe të drejtave të komunitetit transgjinor në Irlandë, duke treguar përplasjen mes bindjeve personale dhe ligjit në një shoqëri në ndryshim.