Pretendimi: Tërhiqet nga tregu medikamenti i Pfizer pas vdekjeve të papritura
Verdikti: Mungon konteksti
Kompania Pfizer ka qenë prej kohësh një nga prodhuesit më të njohur të medikamenteve në botë, por prozhektorët e opinionit publik janë fokusuar drejt produkteve të saj pas jehonës së vaksinave kundër Covid-19.
Një prej tyre është dhe Oxbryta (Voxelotor), një medikament që përdoret për trajtimin e anemisë hemolitike, apo shpërbërja e tepërt e rruazave të kuqe të gjakut. Së fundmi, autoritetet rregullatore në Itali kanë vendosur tërheqjen e këtij mjekimi të Pfizer nga tregu.
Një prej postimeve nga përdoruesit shqiptarë në Facebook, pretendon se kjo tërheqje ka ndodhur pas “reaksioneve të rënda anësore dhe vdekjeve të papritura.”
Duke verifikuar më tej këtë postim, zbulojmë se bëhet fjalë për një lajm të keqinterpretuar.
Imazhi që shoqëron postimin në gjuhën italiane nuk tregon një deklaratë për shtyp të Agjencisë Italiane të Barnave AIFA, por një artikull të botuar më 7 tetor 2024 nga Pravda.it, një faqe e cila, sipas analizave të ndryshme të pavarura, i përket një rrjeti “të strukturuar dhe të koordinuar” prej 193 faqesh që përhapin propagandën ruse në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi i vërtetë i rregullatorit të barnave në Itali ka konfirmuar se pezullimi i autorizimit të tregtimit për Oxbryta është një masë paraprake dhe se nuk ka ndodhur për shkak të vdekjeve të papritura. E njëjta masë paraprake është ndërmarrë në nivel të Bashkimit Evropian nga Agjencia Evropiane e Barnave EMA, “si një masë paraprake ndërsa rishikimi i përfitimeve dhe rreziqeve të Oxbryta është duke u zhvilluar”.
E kontaktuar nga kolegët italianë të verifikimit të fakteve Facta.it, AIFA konfirmoi se ajo që shkruhej në këtë postim është “lajm i rremë me përmbajtje mashtruese”.
Duhet theksuar se nuk janë regjistuar vdekje të papritura nga përdorimi i mjekimit më shumë sesa një çrregullim në nivelet e rruazave të kuqe para dhe pas trajtimit në disa pacientë.
Ky rast ilustron nevojën për t’u informuar nga burime të besueshme dhe për t’i verifikuar informacionet para se të besohen dhe shpërndahen.