Pretendimi: Lideri i Hezbollah u vra nga një kokërr orizi që përmbante një mikroçip
Verdikti: E pavërtetë
Vrasja e Hasan Nasrallah, liderit të lëvizjes Hezbollah, vijon të komentohet në rrjetet sociale si një arritje tjetër e shërbimeve sekrete izraelite. Një prej këtyre skenarëve është dhe postimi që përfshin elemente fantastike si mikroçipet në një kokërr orizi që zbuluan vendndodhjen e Nasrallah.
Pavarësisht efikasitetit të shërbimeve izraelite, eleminimi i udhëheqësit të Hezbollahut nuk ishte një operacion kaq delikat sa pretendohet.
Vrasja e Nasrallah u krye nëpërmjet një sulmi ajror masiv të forcave izraelite në një kompleks nëntokësor në Dahieh, Beirut. Ky operacion, i cili përfshinte përdorimin e mbi njëqind municioneve për të mbërritur deri në tunelin nëntokësor, ishte rezultat i informacioneve të inteligjencës izraelite mbi aktivitetet e tij dhe të udhëheqjes së Hezbollah.
Një pankartë të Hassan Nasrallah, i cili u vra nga një sulm ajror izraelit në Beirut, gjatë një funerali simbolik në Bagdad, Irak. Fotografi: Thaier Al-Sudani/Reuters.
Pas sulmit, raportet tregojnë se katër ndërtesa banimi u goditën, duke shkaktuar jo vetëm vdekjen e liderit të Hezbollah, por edhe pasoja tragjike për civilët në zonë.
Inteligjenca izraelite kishte monitoruar me kujdes lëvizjet e Nasrallah dhe kishte zbuluar vendndodhjen e tij, e cila kishte qenë e mbuluar nga një masë e madhe sigurie. Të dhënat tregojnë se Izraeli kishte pritur një moment të përshtatshëm për të vepruar, duke ditur se Nasrallah do të ishte në një takim me anëtarët e tjerë të udhëheqjes së Hezbollah. Kjo tregon se informacioni mbi lëvizjet e tij ishte shumë më i thellë dhe më i saktë se sa mund të mendohet.