Pretendimi: Ky incident gjatë filmimeve provon se zbritja në Hënë ishte e manipuluar
Verdikti: E pavërtetë
Një video, e atij që ngjan si momenti i zbritjes së njeriut të parë në Hënë, po ndahet në rrjet si provë për të mbështetur teorinë e mashtrimit me misionet e NASA. Kjo sepse në një moment të videos, shfaqet astronauti duke u goditur nga një ndriçues skenik dhe menjëherë një trupë e tërë televizive vihet në lëvizje për të rifilluar xhirimin e skenës.
“Zbritja në Hënë, .. skena të cilën e kanë fshirë nga qarkullimi”, shkruhet në postimin që shoqëron videon.
Një prej pretendimeve më të përhapura në lidhje me shkeljen e Hënës është se misionet Apollo, të cilat dërguan dymbëdhjetë astronautë në Hënë, ishin një mashtrim i madh, i orkestruar në vende sekrete të shkretëtirës ose në studio filmi këtu në Tokë.
Verifikimi i imazheve të videos në motorin e kërkimit të Google Lens zbulon se kjo video është publikuar për herë të parë në faqen e internetit moontruth.com. Një shikim më i kujdesshëm do ta vërë re adresën e faqes në pjesën e poshtme të videos.
Pas zhurmës së krijuar dhe kërkesave për shpjegime, faqja përfundimisht publikoi një shënim duke pranuar: “Po, klipi është fals. Është xhiruar në një studio në Londër në pranverën e vitit 2002. Ajo u bazua në një ide të regjisorit Adam Steëart, i cili ishte një i apasionuar pas eksplorimit të hapësirës. Ai kishte lexuar faqet e teorisë së konspiracionit dhe vendosi të bënte një mashtrim bazuar në idenë se ulja në Hënë e Apollo 11 ishte e falsifikuar”.
Ndërkohë, verifikuesit e fakteve të Snope.com kanë zbuluar edhe dy detaje të tjera që rrëzojnë vërtetësinë e videos.
Së pari, astronauti në klip dëgjohet të thotë “Një hap i vogël …” (duke hequr fjalën “një” midis fjalëve “për” dhe “njeri”) ashtu siç bëri Neil Armstrong gjatë zbarkimit historik në korrik 1969.
Së dyti, në momentet e mbylljes së klipit, astronauti mund të dëgjohet duke i kërkuar falje “zotit Gorsky” për dështimin, një referencë për komshiun e pafat në martesë të Armstrong në një barcaletë të viteve ’90-të. Transkripti i plotë i komunikimit të astronatëve me bazën e NASA nuk përmban në asnjë moment një përshëndetje nga hëna për komshiun e Armstrong.