.

.

BallinaPremtimeKur do nisë puna për 3000 banesat individuale?

Kur do nisë puna për 3000 banesat individuale?

Më shumë se 8 muaj nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit, asnjë familje nuk ka hyrë në shtëpinë e re individuale. Nga 3890 banesa individuale të planifikuara për t’u ndërtuar, puna ka nisur për vetëm për rreth 50 prej tyre, siç pohon qeveria dhe ato janë në zonën e Farkës, qarku Tiranë. Për 3000 banesat e tjera që i përkasin zonave më të goditura, ende nuk është kryer procesi i prokurimit.  Për Thumanën, Bubqin, Fushë Krujën etj. numërohen vetëm afatet e dështuara njëri pas tjetrit për nisjen e rindërtimit.


Në fund të muajit maj, ministri Ahmetaj dhe kryeministri Rama garantuan se brenda 45-60 ditëve e gjithë zona e dëmtuar do të ishte kthyer në kantier ndërtimi, përfshirë këtu edhe shtëpitë individuale.

 “Puna fillon në qershor, nga 20 qershori e tutje e gjithë zona e dëmtuar është kantier. Deri në fund të qershorit ne jemi në kantier me shkollat, me infrastrukturën, me shtëpitë individuale dhe jemi në fazë të avancuar me projektet e detajuara të ndërhyrjeve urbane” – garantoi Ahmetaj më 22 maj gjatë një takimi në Bubq.

24 maj, kryeministri Rama i dha qeverisë më shumë kohë duke përcaktuar si afat për futjen në kantieret e reja, përfshirë ato të shtëpive individuale, 45-60 ditë duke nisur prej asaj dite.

“Tanimë jemi në hapat e fundit të proceseve përgatitore të rindërtimit, dhe në 45 deri në 60 ditët e ardhshme do të jemi në kantieret e shtëpive të reja individuale dhe të shkollave, kopshteve dhe qendrave të reja shëndetësore.” – tha kreu i qeverisë.

Në zonat që pësuan goditjen më të madhe nga tërmeti duke nisur nga Durrësi, nuk është vënë ende asnjë tullë për ngritjen e shtëpive të reja. Nga 3890 shtëpi individuale të parashikuara për t’u ndërtuar nga Ministria e Rindërtimit, puna ka nisur vetëm për 50 prej tyre dhe ato ndodhen në zonën e Farkës, në periferi të Tiranës.

22 korrik, ekzaktësisht 59 ditë pas afatit prej maksimalisht 60 ditësh të vendosur nga kryeministri Rama, ministri Ahmetaj dha detajet më të fundit mbi ecurinë e procesit të rindërtimit. Në të 3 mijë njësitë individuale jashtë zonës së Tiranës, nuk kishte përfunduar ende procesi i prokurimit.

“Rindërtimi i banesave individuale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, janë alokuar 5.73 miliardë lekë. Është në proces, çështje ditësh mbyllja e prokurimit për njësitë individuale.” – tha ministri Ahmetaj.

 

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

Bashkia Tiranë, si njësi zbatuese për qarkun, ka lidhur kontratën për 53 banesa nga 120 që janë dëmtuar në zonën e Farkës, ndërsa për gjithë qarkun plani është të ndërtohen 890 banesa individuale.

3000 banesat e tjera, për të cilat ende nuk ka nisur puna i përkasin në fakt zonave që pësuan dëme më të mëdha nga tërmeti sesa Tirana dhe njësi zbatuese kanë FSHZH-në.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

Ashtu siç specifikohet në njërin prej materialeve të prezantuar nga ministri Ahmetaj, nisja e ndërtimit për 3 mijë banesat e FSHZH, ende në proces prokurimi, është planifikuar për në fillim të muajit gusht, në shkelje të afatit të vendosur më parë nga kryeministri Rama dhe vetë ministri Ahmetaj.

Ndër këto 3000 banesa përfshihen edhe ato të Thumanës, zona me humbjen më të madhe të jetëve nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Tani s’i bëjmë dot të gjithë besoj, por shumicën e atyre që kanë shtëpitë individuale, do bëjmë çmos ta çojmë me sukses deri për Vit të Ri. Do bëjmë çmos, ditë-natë, ditë-natë, ditë-natë. Me 3 turne, me 4 turne, nuk e di.” – deklaroi kryeministri Rama në 8 prill gjatë inspektimit në këtë zonë.

Por në 22 korrik, ministri Ahmetaj ndërsa ka dhënë të detajuar numrin e banesave individuale dhe kolektive që do të ndërtohen në Bubq apo Fushë-Krujë, për Thumanën bëri me dije vetëm numrin e përfituesve, rreth 16 mijë banorë.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

 

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020 

Faktoje” ishte në terren në Thumanë në mesin e muajit qershor dhe në fillim të muajit korrik, dhe rindërtimi i shtëpive jo vetëm që nuk kishte filluar, por as nuk ishin pastruar mbetjet inerte.

Për banesat e dëmtuara nga tërmeti janë bërë disa premtime nga qeveria. Fillimisht kryeministri Rama tha se të gjithë ata që kishin humbur shtëpitë do t’i kishin gati brenda vitit 2020, më pas që brenda këtij viti do të rindërtoheshin vetëm shtëpitë në zonat rurale. Së fundmi u premtua që fundi i këtij viti do të gjente gati së paku 4 mijë banesa individuale.

*Në foton e parë kryeministri Rama ndodhet në kantierin e një shtëpie individuale në Farkë

Lexo edhe: Ahmetaj për rindërtimin: 10 marsi do ketë kompanitë e para që do ndërtojnë shtëpitë individuale

Lexo edhe: Vonesat e procesit të rindërtimit vënë në provë zotimet e kryeministrit Rama

Lexo edhe: Fatkeqësia nga tërmeti dhe nga zvarritja e rindërtimit

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img