Pretendimi: Albin Kurti takoi Kamala Harris gjatë Konventës së Partisë Demokratike në ShBA
Verdikti: I pavërtetë
Udhëtimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti drejt SHBA-së në 19 gusht, për të marrë pjesë në Konventën Demokratike në Chicago, ishte një lajm i promovuar gjerësisht në Kosovë. Në periudhën kur marrëdhëniet me diplomatët amerikanë në Prishtinë nuk janë në momentet më të mira të tyre kjo vizitë mund të konsiderohej një mbështetje direkte nga Washingtoni për kreun e qeverisë.
Me këtë arsyetim duket se është përhapur në disa portale në Kosovë (botasot.info dhe “ina-online.net) lajmi për një takim direkt të Kurtit me zv.presidenten Kamala Harris.
Ky lajm është publikuar në 22 gusht edhe nga disa portale në Shqipëri, duke shpërndarë edhe një foto ku Kurti dhe Harris shfaqen në një pozë miqësore së bashku me bashkëshortët e tyre.
Portale që e kanë publikuar lajmin
I njëjti tekst i lajmit përmban pasaktësi dhe lidhje të paqarta midis temave. Fillimisht raportohet për pjesëmarrjen e Kurtit në Konventën Demokratike në Chicago, e më pas artikulli kalon te një takim me presidentin francez Emanuel Macron.
Në fakt kryeministri Kurti nuk ka bërë asnjë njoftim për një takim të tillë me Kamala Harris gjatë qëndrimit të tij në SHBA. Pamjet që ai ka shpërndarë në rrjete sociale kanë qenë të shoqëruara me përmendjen e Kamala Harris në mbishkrim, por jo bashkëngitur me foto të të dyve.
“…Nata e parë e Konventës Kombëtare Demokratike, përgjatë punimeve të së cilës Zëvendës Presidentja e ShBA-ve, Kamala Harris, pritet të nominohet si kandidate e Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhshme të nëntorit”-shprehet Kurti në postimin në rrjetin social Facebook.
Me anë të një verifikimi në motorin e kërkimit të “Google Lens” mund të konstatohet se fotoja e përbashkët e dy politikanëve i përket vitit 2021, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, ku ishin ftuar shumë drejtues shtetesh. Kjo mund të jetë edhe arsyeja e përfshirjes në artikull të takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit francez Macron, si mikpritësi i aktivitetit në Paris në vitin 2021.
Ky pretendim është verifikuar nga kolegët tanë Hybrid.Info, të cilët kanë konfirmuar edhe më tej me burime zyrtare në Kosovë se nuk ka patur një takim të Kurtit me kandidaten demokrate Kamala Harris.