Pretendimi: Kandidatja Kamala Harris manipuloi me IA pjesëmarrësit në miting
Verdikti: Satirë video / E pavërtetë teksti në postim
Inteligjenca artificiale është bërë pjesë e akuzave në fushatën e fundit
presidenciale në ShBA. Një video e një pritjeje të ngrohtë në Miçigan e
zv.presidentes dhe kandidates demokrate Kamala Harris u bë virale në rrjetet
sociale me pretendimin se pamjet ishin gjeneruar nga inteligjenca artificiale për të
shtuar numrin e pjesëmarrësve në tubim.
Video është ndarë gjithashtu në 12 gusht nga një profil shqiptar e shoqëruar me
tekstin: “Ja si mashtrojne me pritjen e Kamales”.
Verifikimi i mëtejshëm konfirmon se video është ndarë fillimisht nga një profil i huaj, i cili është kujdesuar të vendosë në një cep të saj logon “Satire”.
Mitingu në Miçigan ngjalli debate për shkak të pjesëmarrjes masive në pamjet e publikuara. Fotoja e përhapur fillimisht u postua më 7 gusht nga Bhavik Lathia, një drejtues i fushatës së Harris, i cili tha se imazhi i ishte dërguar nga Ben Sarle, drejtori digjital i Miçiganit. Pavarësisht kësaj, disa përdorues të rrjeteve sociale, të cilët e ndanë imazhin, pretenduan se turma ishte e falsifikuar dhe se fotoja ishte gjeneruar nga AI.
Imazhet e publikuara nga media “Getty images”
Për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit, në një postim të datës 11 gusht në Truth Social, Donald Trump, kandidati republikan për president, akuzoi se fotoja ishte manipuluar nga AI dhe sugjeroi se Harris po ndërhynte në zgjedhjet amerikane, duke thënë: “Ajo duhet të skualifikohet sepse krijimi i një imazhi të rremë është ndërhyrje në zgjedhje.”
Në një postim tjetër, Trump deklaroi: “Ja ku e kapëm me një turmë të rreme. Atje nuk kishte asnjë njeri!”
Fushata e Harris iu përgjigj akuzave të Trump në një postim në X (Twitter), duke theksuar se fotoja tregonte një turmë reale prej 15,000 personash në Miçigan. Një zyrtar i fushatës i tha Reuters se imazhi ishte shkrepur nga një anëtar i stafit të fushatës dhe nuk ishte modifikuar me IA.
Media të tjera gjithashtu kanë dokumentuar tubimin, duke treguar një numër të madh mbështetësish në vendngjarje. Pretendimet se fushata e Harris ka përdorur Inteligjencën Artificiale për të fryrë numrin e pjesëmarrësve në tubimin e Miçiganit janë të pavërteta. Provat nga burime të ndryshme mediatike tregojnë se fotoja reflekton një turmë reale.