Pretendimi: Një fotografi tregon presidentin Trump duke vizituar një aeroplan që lëshon lëndë kimike
Verdikti: E pavërtetë
Teoria e gjurmëve kimike (chemtrails) është një nga ato konspiracione që pretendon se avionët spërkasin substanca të dëmshme mbi popullatën. Në internet qarkullojnë çdo ditë shumë prova të pretenduara për të faktuar këtë dyshim mbi vijat e bardha që lënë pas avionët në qiell.
Një prej tyre është dhe një fotografi e presidentit Donald Trump, i shoqëruar nga disa anëtarë të kabinetit të tij, teksa viziton një avion të mbushur me depozita të lëngshme.
Fotografia është ndarë në rrjet për të provuar se ish-presidenti është pjesë e planit për të spërkatur popullsinë me kimikate, por gjithashtu, edhe nga ata që besojnë se ardhje e Trump do të ndalojë këtë plan ogurzi qeveritar.
Zanafilla e postimeve që e lidhin këtë fotografi me teorinë e gjurmëve kimike datojnë në qershor 2017, kur faqja e internetit argëtuese Nevada County Scooper botoi një artikull që njoftonte se presidenti i SHBA Donald Trump kishte premtuar të mbyllte “programin chemtrail” të qeverisë pas turneut në një “avion chemtrail”.
Sipas këtij artikulli, presidenti po përmbushte një premtim për të përqëndruar financimet qeveritare në projekte të tjera si ndërtimi i rrugëve, përmirësimi i infrastrukturës elektrike dhe ndërtimi i murit në kufirin midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Informacionet e artikullit u shpërndanë në rrjete sociale nga ndjekësit e Trump duke u pranuar si të vërteta.
Përsa i përket origjinalitetit të fotografisë, sipas verifikuesve të fakteve të Snopes.com, pamjet janë marrë nga një vizitë e Trump në një Boeing Dreamliner në Charleston, Karolina e Jugut. Drejtori i Mediave Sociale të Shtëpisë së Bardhë të asaj periudhe, Dan Scavino Jr. e postoi këtë foto më 17 shkurt 2017.
Një shpjegim për rezervuarët në pjesën e brendshme të avionit në fotografi, të cilat teoricienët e konspiracionit mund t’i mendojnë si depozitat e gjurmëve kimike, është fakti që këto pajisje janë të mbushura me ujë.
Boeing i përdor këto depozita uji për të testuar avionët e rinj. Inxhinierët mund të transferojnë ujë midis rezervuarëve gjatë fluturimit për të zhvendosur peshën e ngarkesës ose pasagjerëve të simuluar. Qendra e gravitetit, ose CG siç e quajnë pilotët, është e rëndësishme për karakteristikat e fluturimit të çdo aeroplani.
Përsa i përket teorisë së gjurmëve kimike, shkencëtarët dhe ekspertët e klimës i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke shpjeguar se “chemtrails” janë thjesht një keqkuptim i llojeve të ndryshme të avujve që lëshohen nga avionët në lartësi të mëdha.