Pretendimi: Kjo foto shfaq Papë Franceskun duke marrë rreze dielli në plazh
Verdikti: Gjeneruar me AI
Fotografitë e krijuara nga inteligjenca artificiale (IA) po bëhen gjithnjë e më të avancuara për të krijuar imazhe që ndahen në rrjet dhe tërheqin klikime dhe ndjekës. Një shënjestër e dashur e këtyre produkteve të gjeneruara me AI është dhe Papë Francesku, i cili prezantohet në poza jo të zakonshme për një udhëheqës fetar, duke ngjallur interes.
Një nga këto imazhe është dhe ai i Papës duke marrë rreze dielli në plazh. “Edhe Papa i “shmanget” vapës”, shkruhet në tekstin që shoqëron këtë foto të postuar në Facebook.
Verifikimi i mëtejshëm i fotos zbulon se ajo është gjeneruar nga një version online i softuerit më të avancuar të inteligjencës artificiale (IA), të quajtur “Midjourney”.
Nëse do t’a shohim foton me vëmendje do kuptojmë menjëherë që ajo është e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Karrigia e palosshme e Papës Françesk ka dy pale këmbë që zhduken në pjesën e poshtme ndërkohë që çadra e diellit duket sikur është e ngulur drejt e në barkun e tij.
Dobësia kryesore e IA-së fotografike është përshkrimi i duarve dhe këmbëve, kryesisht gishtave. Në këtë foto Papa ka 6 gishta në këmbë dhe vetëm tre gishta në dorën e majtë.
Këto krijime mbajnë gjurmë të artificialitetit të tyre dhe është e nevojshme të shihen me vëmendje para se ti besoni dhe shpërndani ato.