Një video që po qarkullon në rrjetet sociale po përdoret për të theksuar një lidhje mes vaksinimit anti-Covid dhe vdekjes së  ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fjalë është e vitit 2021, dhe shkaku i vdekjes së Berlusconit ishte leuçemia.

———————————————-

Konspiracionistët anti-vaksinë vazhdojnë të shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit është ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, i cili ndërroi jetë në 12 qershor 2023. Pas lajmit të vdekjes së tij, një video po shpërndahet në rrjetet sociale shqipfolëse për të pretenduar se ai vdiq si pasojë e vaksinës anti-Covid.

Postimi shoqërohet me një video të një emisioni televiz ku shfaqet Antonio Tajani, zëvendëskryeministër, dhe në të njejtën kohë Ministër i Jashtëm i Italisë, që thotë: “Berlusconi po kalon një periudhë pushimi të detyruar sepse duhet të rimarrë veten nga Covid-19 dhe nga vaksina Covid-19 dhe kështu do të duhet të vazhdojë të pushojë për ca kohë.” Kjo është prova ku bazohet postimi për të ngritur pyetjen: Pse vdiq Berlusconi ?

Verifikimi i “Faktoje”, megjithatë, zbuloi se video e mësipërme është marrë nga puntata e emisionit “Dritto e Rovescio”, e transmetuar në 20 maj 2021.

Kjo pasi Berlusconi ishte shtruar në spitalin San Raffaele në Milano, më 11 maj 2021, si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhur me post-Covid. Berlusconi u infektua me Covid-19 në Shtator 2020, një përvojë që ai e përshkroi në atë kohë si “më e keqja e jetës së tij”. Berlusconi mori dozën e tretë të vaksinës anti-Covid në Nëntor 2021.

Ndërkohë, në fillim të prillit 2023, Berlusconi u shtrua në spital sërish, kësaj radhe si pasojë e një infeksioni në mushkëri dhe një forme leuçemie kronike. Mediat italiane raportuan se ai kishte nisur kemioterapinë. Në 10 qershor, një zëdhënës i Berlusconit tha për Reuters se ai ishte shtruar sërish në spitalin San Raffaele ku dhe vdiq, më 12 qershor 2023.