BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorArrestimi i Belerit dhe (de)helenizimi i Himarës

Arrestimi i Belerit dhe (de)helenizimi i Himarës

Dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore, policia arrestoi kandidatin e opozitës për kryebashkiak të Himarës, për shitblerje të votës. Ngjarja u shoqërua me reagim të ashpër nga qeveria greke dhe kundërpërgjigje nga Shqipëria. Ndërsa në rrafshin mediatik, në Shqipëri dhe Greqi pati një ‘përplasje narrativash’ që përhapi dizinformim dhe panik për helenizimin dhe dehelenizimin e Himarës, bashkisë që përfshin një nga perlat turistike të rivierës shqiptare. Nuk mbetën pa u përfshirë edhe konspiracionet gjeopolitike.

Barbara Halla

Arrestimi i Fredi Belerit, (përfaqësues i minoritetit grek dhe kandidati i krahut opozitar në bashkinë e Himarës), dy ditë para zgjedhjeve vendore, tërhoqi vemendjen jo vetëm të qeverisë greke, por edhe të mediave vendase, të cilat në javët e fundit kanë shkruar gjërësisht për ngjarjen. Por nëse në mediat shqiptare, arrestimi i Belerit është parë në prizmin e konsumimit të një vepre penale, siç është shitblerja e votave, apo përpjekja për të sabotuar koalicionin e djathtë, narrativa greke është fokusuar tek të drejtat e minoritetit grek. Në artikuj dhe opinione të shumta, arrestimi i Belerit është përshkruar si tentativë për të shtypur votën greke dhe pjesë e historisë së persekutimit të minoritetit grek në jug të Shqipërisë.

Nga njëra anë, kjo narrativë e mediave greke u përhap edhe në Shqipëri. Disa portale shqiptare kanë raportuar se Fredi Beleri ka bërë një deklaratë për mediat greke ku thotë: “Do ta rikthej Himarën helene dhe shkollat greke.” Ky lajm më pas u rimor nga kryeministri Rama, i cili gjatë një fjalimi elektoral në bashkinë e Kamzës tha se Beleri po garon me faqen e zezë për të helenizuar Himarën. Rama vazhdoi edhe më tej me deklaratën e tij, duke thënë se Beleri ka kërcënurar emigrantët se po nuk votuan për të do t’ua grisë letrat dhe do t’u heqë mundësinë për të shkuar në Greqi.

Këto deklarata janë bazuar në dukje mbi një intervistë që Beleri dha për gazetën greke Protothema. Mirëpo nga një verifikim i përmbajtjes rezulton se ky artikull është keq-përkthyer nga mediat shqiptare. Gjatë intervistës, Beleri dhe intervistuesi i referohen “helenìzmit të Himarës” që në këtë rast nënkupton popullësinë me origjinë greke të qytetit. Gazetari e pyet Belerin sa të rëndësishme do të jenë këto zgjedhje për Grekët e Shqipërisë, dhe në greqisht përdoret fjala “Ελληνισμό” përkthimi shkronjë për shkronjë i të cilit është Helenizmi, por në fakt do të thotë thjesht grek. Beleri përgjigjjet: “Grekët e Himarës duhet të tejkalojnë të gjitha pengesat që nuk u lejojnë të kenë punë të mira, të përdorin pronat e tyre, të drejta të cilat na janë privuar prej 60 vitesh, duke nisur nga edukimi në gjuhën e nënës në të gjitha nivelet, por edhe mundësia për të të luajtur një rol në procesin e integrimit të Shqipërisë [në BE].”

Në këtë intervistë, Beleri thotë po ashtu se nëse zgjidhet kryetar i bashkisë së Himarës, ai do të ndihmojë në rrugëtimin e Grekëve në Himarë, me mbështetjen e të gjitha forcave politike greke…që të ndihmojnë në bashkëpunimin dhe miqësine e të dyja vendeve. Pikërisht deklarata mbi rrugëtimin e grekëve duket të jetë pjesa që është portretizuar në mediat shqiptare si “helenizimi” i Himarës. Beleri vetë ka dhënë një deklaratë ku ka bërë të njëjtin sqarim. “Nuk kam thënë asnjëherë për helenizimin e Himarës, kam thënë tekstualisht nga greqishtja që në Himarë jetojmë si grekë ne minoritarët, këtu e shumë shekuj,” tha Beleri gjatë një interviste për TV Klan me datë 11 maj.  

Portretizimi në mediat greke              

Megjithatë e drejta e komunitetit grek në Shqipëri ka qenë fokusi i mbulimit mediatik në Greqi të çështjes Beleri. Kjo narrativë për Himarën duket të ketë paraprirë edhe arrestimin e tij. Me datë 5 maj, Savros Tzimas shkroi për zgjedhjet në Shqipëri duke e përshkruar Himarën si ’maja e të gjitha betejave’ për minoritetin e fragmentuar grek. Sipas Tzimas, ndonëse Himara nuk njihet si zonë minoritare për arsye gjeopolitike, ajo ka një fuqi simbolike si për minoritetin Grek edhe për nacionalizmin shqiptar. Në këtë artikull, situata e minoritetit grek përshkruhet si e shkatërruar nga taktikat e qeverisë shqiptare. Këto taktika përfshijnë shpronësimin për arsye të turizmit që Tzimas i sheh si një përpjekje për të de-helenizuar fshatrat e zonës. Është e vërtetë që qeveria shqiptare ka përdorur taktika të ndryshme në jug për të zhvilluar Rivierën Shqiptare, megjithatë këto politika nuk duken të kenë pasur si synim minoritetin grek specifikisht, por të gjithë popullatën e zonës.

Tzimas përmend po ashtu problemin e votës së diasporës, duke folur për faktin që shumë nga mbështetësit e Belerit nuk kanë mundësi të vizitojnë Shqipërinë për të dhënë votën e tyre. Problemi i votës së diasporës përsëritet prej vitesh. Siç e ka analizuar Faktoje, në vitin 2017 Rama premtoi se vota e diasporës do të bëhej realitet për zgjedhjet parlamentare të 2021-it, premtim ky i pambajtur. Rreth 1.3 milionë shqiptarë që jetojnë në diasporë kanë të drejtën e votës, dhe rreth 30% e tyre janë në Greqi. Megjithatë, në mungesë të sondazheve të besueshme, nuk ka prova që diaspora në Greqi do të ishte e gatshme të votonte për Belerin në numra që do të ndryshonin rezultatin.

Kjo pikëpamje mbi të drejtën e shtypur të minoritetit grek është përkeqësuar në mediat greke pas arrestimit të Belerit. Gazetari grek Vassilis Nedos, në një opinion tjetër të botuar në gazetën Ekathimerini, e ka përshkruar arrestimin e Belerit si një veprim diktatorial dhe fitoren e tij si provë e jetëgjatësisë së minoritetit grek në Shqipëri. Në gazetën Ta Nea, shohim po të njëjtën narrativë ku arrestimi i Belerit dhe Pandeli Kokaveshit, janë përshkuar si një përpjekje për të frikësuar minoritetin grek që të votojë për kandidatin socialist. “Mbështetësit e Belerit thonë se zgjedhja e tij shihej si një pengesë kundër përparimit të pakontrolluar të interesave të fuqishme turistike, që shërben për shpronësimin e pronave të minoriteteve me qëllimin përfundimtar për t’i detyruar ata të largohen dhe përfundimisht dehelenizimin gradual të Himarës,” shkruan Ta Nea.

Ashtu si në Shqipëri, edhe mediat greke akuzuan Ramën se ka përdoruar pushtetin e tij për të ndëshkuar ata që votuan për Belerin—edhe kur këto lajme janë të paverifikuara. Në mediat shqiptare, shkruhet se më datë 17 maj, IKMT ka shembur në Himarë një hotel, për motive politike. Prindërit e pronarit, Fjorentin Beli, thanë për A2CNN se djali i tyre ishte numërues në qendrën ku u konfirmua fitorja e Belerit. Mediat greke shkruan diçka të ngjashme për shtëpinë e një mbështetësi të Belerit e cila ishte prishur po nga IKMT-ja edhe përse ishte tërësisht e ligjshme, sipas saj. “Urbanistika, ushtria, policia, të gjitha kanë ardhur, (se unë kam qenë në komitetin e Belerit) për të prishur shtëpinë time. Shtëpia është e ligjshme, e licencuar dhe të gjitha, nuk më kanë dhënë asnjë letër, asgjë, vetëm se unë mbështes Belerin.”- ka thënë pronari për mediat greke.

Kërcënimet e Mediave Greke

Pra, nëse në Shqipëri flitet për frikën e helenizimit të Himarës, në mediat greke paniku që ata ngrenë është tërësisht i kundërt: arrestimi i Belerit shihet si pjesë e një narrative më të gjerë dhe të vazhdueshme intimidimi dhe shtypjeje të minoritetit grek, pra një program de-Helenizmi i jugut të Shqipërisë. Në fakt, këto artikuj që përhapin panikun për të drejtat e minoritetit grek u përdorën nga mediat greke për të shtyrë qeverinë greke ndaj një përgjigjeje më të fortë ndaj Shqipërisë. “Athina duhet t’i bëjë Tiranës të kuptojë – në mënyrë të padiskutueshme – se Greqia nuk është një partner naiv që është gati të ndihmojë ata që nuk duan të ndihmojnë veten.”

Këto artikuj e përshkruajnë qeverinë greke si një figurë të dobët që e ka lënë veten të mashtrohet dhe manipulohet nga qeveria shqiptare, e sidomos Edi Rama, të cilin e përshkruajnë si një figurë gati autoritariste i cili është afruar me Erdoganin në dëm të interesave të Greqisë. “Vlen të kujtohet se Rama ka forcuar lidhjet e Shqipërisë me Turqinë dhe ka dalë në mbështetje të Ankarasë në kohërat e rritjes së tensionit në marrëdhëniet greko-turke,” shkruan Ekathimerini. Në një artikull tjetër, Rama përshkruhet si një figurë shumë e rëndësishme në bregun lindor të Adriatikut, i cili tashmë po afrohet gjithmonë e me shumë figurës autokratike të Rexhep Erdoganit.

Si përgjigje, këta gazetarë e nxisin qeverinë greke të tregohet e ashpër ndaj Shqipërisë: “Këto zgjdhje duhet të ngrenë alarmin në Athinë për faktin se jemi në një periudhë ku në Ballkan, të gjithë po kujdesen për minoritetet e tyre, duke i përdorur ato si mjete diplomatike në ndërrime të mundshme të ekuilibrit të fuqisë.” -shkruan Tzimas. Gazetarët e Ta Nea mbështetën edhe deklaratën e kryeministrit Grek Kyriakos Mitsotakis. Ata shkruajnë se nëse situata me Belerin nuk zgjidhet, Greqia duhet të bllokojë rrugëtimin e Shqipërisë drej Bashkimit Europian. Në të shkuarën, si me rastin e emrit të Maqedonisë së Veriut, qeveria greke nuk ka hezituar të përdorë fuqinë e vet votuese brenda Bashkimit Europian për të ndaluar progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe mundet shumë mirë të përdorë teknika të ngjashme edhe për Shqipërinë.

Në Parlamentin Europian, parlamentari Grek Nikos Papandreou ka thënë po ashtu: “Greqia ka mbështetur gjithmonë rrugëtimin europian të Shqipërisë si dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit, por veprime të tilla nuk janë në përputhje me procesin e qetë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne duhet të mbrojmë të drejtat e pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.”

Në një deklaratë të lëshuar nga partia e Panadreut, PASOK-KINAL, ata deklarojnë : “Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është një kusht themelor për rrugën europiane të vendit”, duke e bërë të qartë që çështja e arrestimit të Belerit mund të përdoret si një peng diplomatik nga Greqia ndaj Shqipërisë.

Reagimi i Qeverisë Greke për arrestimin e Belerit

Përtej deklaratës së ashpër të Mitsotakis, Ministri i Jashtëm Grek Nikos Dendias ka mbajtur një qëndrim deri diku më të moderuar ndaj situatës. Në ditët pas arrestit, ai ka thënë se Greqia dhe Shqipëria duhet të mbajnë marrëdhënie të mira fqinjësie. “Besoj fort në miqësinë greko-shqiptare dhe se këto dy vende janë shumë të afërta,” deklaroi Dendias për mediat greke, por në njëjtën kohë pohoi se do ta sillte problemin e arrestimit të Belerit në Këshillimin e Ministrave të Bashkimit Europian.          

Të hënën e 22 majit, Dendias u takua me homologen shqiptare Olta Xhaçka në Bruksel. Në një intervistë me median Greke ANT1, ndërkohë që gjykata e Apelit sapo i kishte zgjatutr afatin e paraburgimit Fredi Belerit, Dendias tha se zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me ndjenjën e drejtësisë publike dhe perceptimin europian të shtetit të së drejtës. “Ne nuk duam të sjellim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe  BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë.”-tha Dendias. Për momentin kjo tregon se çështja e Belerit do të vazhdojë të jetë një pikë mosmarrëveshjeje midis dy vendeve, dhe deklaratat e Denidas lënë të kuptojnë se Greqia mund ta ketë seriozisht kërcënimin se ky arrestim do të përdoret për të ngadalësuar negociatat e Shqipërisë për në BE.  Xhaçka ka thënë në Twitter se çështja e Belerit nuk është politike, por ligjore dhe se asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligji. Të njejtën deklaratë ka bërë dhe  kryeminisri Rama në javën e fundit.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img