BallinaAktualitetGjuha e urrejtjes mes mitesh dhe faktesh

Gjuha e urrejtjes mes mitesh dhe faktesh

Noel Boci

“Lexoj shumë komente negative ndaj paraqitjes dhe formave trupore, pra body shaming, apo ofendime dhe etiketime të tilla si ‘e përdalë, ‘e degjeneruar’,… Lexoj shumë komente që mundohen të bëjnë persona të caktuar të ndihen keq apo të pasigurt për çdo gjë të mundshme, deri edhe te modeli i flokëve.”, – thotë një 20-vjeçare, studente e Gjuhësisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Kështu shprehen sot të rinjtë shqiptarë kur i pyet për gjuhën e urrejtjes.. 

Të rinjtë, duke pasur parasysh faktin që janë rritur dhe shoqërizuar në epokën e multikulturalizmit dhe zhvillimit teknologjik, natyrisht, kthehen në grupin më të prekur nga kjo dukuri. Të rinjtë e hasin shpesh gjuhën e urrejtjes nëpër komente në rrjete sociale si Instagram apo TikTok, apo edhe në video stigmatizuese dhe bullizuese ndaj individëve apo grupimeve të caktuara. 

Duke u përballur me këtë dukuri, të rinjtë shpesh ndihen të gjykuar ose të pamjaftueshëm për shkak të identitetit të tyre gjinor, seksual, etnik ose fetar. Ky presion i bën ata të dyshojnë te vetja dhe të përpiqen të përshtaten me pritshmëritë e shoqërisë, duke kufizuar shprehjen e lirë të personalitetit  në një moshë kur ata akoma janë duke formëzuar identitetin e tyre. 

Çfarë është dhe si manifestohet gjuha e urrejtjes?

Një nga dukuritë sociale më të përfolura në ditët e sotme është e ashtuquajtura “gjuhë e urrejtjes”. Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon atë si “çdo lloj komunikimi në ligjërim, shkrim ose sjellje, që sulmon ose përdor gjuhë keqadashëseose diskriminuese në lidhje me një person ose një grup []për shkak të fesë, etnisë, kombësisë, racës, ngjyrës, prejardhjes, gjinisë ose çfarëdo faktori tjetër të identitetit të tyre.”.

Në përditshmëri, kjo gjuhë fyese manifestohet përmes nofkave, talljeve dhe sulmeve në rrjetet sociale, duke bërë që individët të largohen nga vetvetja për të shmangur përballjen me urrejtjen. Rezultati shpesh është një tkurrje e identitetit personal dhe një ndjenjë e humbjes së lirisë për të qenë vetvetja, në mënyrë që të përshtaten, pra, të marrin një shtat që nuk u përket.

Më tej, shënjestër e kësaj urrejtjeje kthehen grupe të caktuara që, për një arsye apo një tjetër, janë “ndryshe”. Sipas Institutit Shqiptar të Medias, tri karakteristikat apo grupimet që vihen më shpesh në shënjestër nga gjuha e urrejtjes dhe diskursi diskriminues janë për shkak të gjinisë (41%), përkatësisë etnike (38%) dhe orientimit seksual (11%), ku shqetësuese mbetet sidomos urrejtja me bazë gjinore. 

Në raportin e kryer nga Faktoje para 3 vitesh rezultoi se “mediat shqiptare përhapin në mënyrë rutinë dezinformata për gratë, duke përfshirë politikanet, gazetaret, por edhe qytetaret private. Këto fushata dezinformuese frymëzohen nga perceptimi i publikut shqiptar mbi gratë dhe rolet gjinore, duke përfshirë bindjet mbi pozicionin e gruas në shoqërinë dhe familjen shqiptare. Nëpërmjet dezinformimit, mediat shqiptare shfrytëzojnë, por edhe riprodhojnë, narrativa të dëmshme dhe seksiste mbi gratë. Këto narrativa e drejtojnë opinionin publik drejt perceptimeve të padrejta për rolet gjinore, të tilla si : 1) gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe jo të marrin pjesë në jetën publike; 2) gratë duhet të sakrifikojnë veten për familjen; 3) gratë e meritojnë dhunën, veçanërisht nëse dyshohet se kanë tradhtuar partnerin; 4) dhuna është e natyrshme dhe detyrë e burrit; 5) gratë janë më pak inteligjente/të afta se burrat.”

Kjo reflektohet dukshëm në gjuhën fyese apo diskriminuese të përdorur, sidomos në rrjetet sociale, ku bie në sy edhe standardi i dyfishtë, ku gratë janë thuajse gjithmonë më të sulmuara se burrat, e vënë re kjo jo vetëm në mjedisin shqiptar, por edhe në realitetin evropian dhe atë amerikan, duke kundërshtuar mitin se këto shoqëri janë shumë tolerante.

Këngëtarja e mirënjohur amerikane Taylor Swift ka qenë shpesh shënjestër e komenteve fyese dhe diskriminuese me natyrë mizogjene. Në një kohë kur artistë meshkuj si Justin Bieber apo The Weekend pëlqeheshin apo vlerësoheshin kur shkruanin e këndonin këngë për lidhjet e tyre të mëparshme, Swift vazhdimisht kritikohej, me pretekstin se “ajo shkruan vetëm për ‘ish-at’”, ndonëse këngë me tematikë të tillë nuk përbëjnë as gjysmën e diskografisë së saj. Për më tepër, edhe fansat dhe mbështetësit e saj, Swifties siç njihen ndryshe, shpesh stigmatizohen dhe fyhen me epitete si “kult”, “të çmendur”, “të fiksuar”, sepse blejnë albumet e saj apo bileta për turnetë e saj dhe shkojnë në këto turne të veshur sipas stilit të saj. Ndërkohë, sjellje po aq të theksuara dhe emocionale dhe shpenzime po aq të mëdha duken edhe në fansa të artistëve meshkuj, apo akoma dhe më shumë në ndjekës dhe fansa të futbollit dhe thuajse asnjëherë këta nuk janë gjykuar negativisht, por, përkundrazi, janë etiketuar si “besnikë” apo “të devotshëm”.

Vetë Taylor Swift, në një intervistë në 2019, është shprehur: “Ekziston një fjalor i ndryshëm për burrat dhe gratë në industrinë e muzikës […] Kur një burrë bën diçka, është ‘strategjike’; kur një grua bën të njëjtën gjë, është ‘e bërë kastile’. Një burri i lejohet të ‘reagojë’; një grua di vetëm ‘ta teprojë’ […] Një burrë bën diçka? ‘I guximshëm dhe me vetëbesim’. Një grua vepron po njëlloj dhe konsiderohet ‘e vetëkënaqur’. Një burrë ‘i del zot vetes’, [kurse] një gruaje ‘i shpërthejnë nervat’.”

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj kësaj dukurie, shpesh, i çon individët në gjendje të rënduara psikologjike, marrëdhënie të kontraktuara me familjen dhe miqtë e, në rastet më të rënda, dëmtime ndaj vetes dhe vetëvrasje. Një rast i bullizmit në rrjet në Shqipëri është raportuar nga CRCA ku, një vajzë adoleshente nga Tirana, u bë viktimë e sulmeve në rrjetet sociale, pasi publikoi foto dhe video në platforma si Instagram dhe TikTok. Bashkëmoshatarë të saj nisën ta fyenin mre komente, krijuan profile false në emrin e saj dhe shpërndanë imazhe të modifikuara për ta turpëruar, duke çuar në përkeqësim të gjendjes së saj emocionale, izolim dhe mungesë në shkollë, derisa rasti u raportua nga prindërit në platformën iSigurt.al dhe u trajtua nga specialistë të sigurisë në rrjet dhe psikologë.

Ana tjetër e medaljes

Nga ana tjetër, sot duket sikur termi “gjuhë e urrejtjes” po përdoret edhe në mënyrë të gabuar nga grupime të ndryshme për të arritur qëllime të caktuara. Prof. asoc. Dr. Eljon Doçe, pedagog i Retorikës dhe i Semiotikës së tekstit, vë re se, shpesh, individë apo grupe të caktuara shfaqin tendencën për të “hiperinterpretuar” çdo fjalë apo nuancë kuptimore, me qëllim që individë të caktuar t’i paraqesë si fyes, qoftë duke i shtuar një prapashtesë “-ist”/“-fobik”. “Në një botë ku tashmë të ndihesh i ofenduar apo i kërcënuar është kthyer, në jo pak raste, në një marifet ligjor mjaft efikas për të nxjerrë lehtë dhe shpejt përfitime financiare, politike apo thjesht për të marrë vëmendje publike, duhet të kemi shumë kujdes me përdorimin e togfjalëshit ‘gjuhë e urrejtjes’.”, – vë në dukje prof. Doçe.

“Kufiri mes lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë publike për të mos cënuar grupe shoqërore të konsideruara si të margjinalizuara (për arsye etnike, seksuale, gjinore, politike, etj.), është bërë aq i ngushtë saqë, shpejt, askush nuk do të jetë i sigurt të shprehë një opinion apo pohim pa u përballur me linçime publike. Madje, nuk do kesh nevojë as të shprehesh e prapë të linçohesh, thjesht sepse nuk i bashkohesh një slogani popullor në rrjet.”, – shprehet pedagogu, duke theksuar kështu se si shpesh “gjuha e urrejtjes” kthehet në term mbrojtës për mohimin e mendimit ndryshe dhe, madje, përdoret haptazi pikërisht nga ata që pretendojnë se e luftojnë këtë dukuri. Jo rrallë, ata që dalin haptazi pro mbrojtjes së të drejtave dhe lirive nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të mbrojtur këto grupe vulnerabël. 

“Ti mund të shprehësh një pohim pa asnjë ngjyresë apo kumt politik si ‘Mua më pëlqen bifteku’ dhe të etiketohesh si i pandjeshëm ndaj kafshëve dhe pro therjes së tyre për kënaqësinë tënde, pra si mbështetës i një industrie që shfrytëzon vuajtjen e kafshëve, rrjedhimisht si dikush që rrit konsumin dhe, duke rritur konsumin, rrit çlirimin e gazeve serrë e kështu i bie që nuk beson në ngrohjen globale, si një individ pra me bindje të djathta… ndërkohë që ty thjesht të pëlqen bifteku!”, – përfundon prof. Doçe.

Si qëndron vërtet problematika në fjalë dhe si mund ta “shpëtojmë” gjuhën nga ky keqpërdorim?

Prof. Dr. Dhurata Shehri, pedagoge e Retorikës së Komunikimit Masiv dhe Analizës së Tekstit, argumenton se gjuhën e urrejtjes mund ta perceptojmë përmes disa procedimeve retorike të caktuara, të cilat, më pas, mund t’i “dekonstruktojmë” për ta “pastruar” gjuhën nga urrejtja:

“Metaforat e ngurtësuara, që e bëjnë figurën të duket si fakt, p.sh. ‘parazitë’, ‘virus’, ‘pushtues’, mund të zëvendësohen me metafora alternative humanizuese, si ‘rrjet’ apo ‘ekosistem’. Në rastin e entimemave, argumente të shkurtuara, por të ngarkuara ideologjikisht, si p.sh. ‘Ata po marrin vendet tona të punës’ me nëntekst ‘Ata janë të huaj dhe të rrezikshëm’, duhen ekspozuar premisat e fshehura, duke treguar se argumenti i urrejtjes është i paqëndrueshëm. Exemplum-et, pra shembujt e përzgjedhur, me funksion paragjykues e shpesh kriminalizues, mund të hidhen poshtë përmes shembujve pozitivë. Përsëritja e sloganeve si ‘ata janë armiqtë’, që ngulisin stereotipa dhe ushqejnë urrejtje, mund të zëvendësohet me përsëritjen e thirrjeve për barazi dhe solidaritet. Në rastin e sinekdokës, ku një individ i stigmatizuar paraqitet si përfaqësues i gjithë komunitetit, në vend të reduktimit të një grupi në një individ negativ, mund të përdoret përfaqësimi i shumëllojshëm. Ironia dhe sarkazma shpesh përdoren për të poshtëruar, duke e bërë urrejtjen të duket si ‘humor’ apo ‘kritikë e zgjuar’. Si kundërpërgjigje, ato mund të përdoren si mjete kritike për të zbuluar absurditetin e gjuhës së urrejtjes, duke e bërë të dukshme kontradiktën e saj.”, – argumenton prof. Shehri. “Diskursi i urrejtjes në vetvete është paradoksal, pasi ndërton kontradikta të qëllimshme si ‘Ata janë të dobët, por po na pushtojnë’, duke legjitimuar kështu frikën. Reduktimi propagandistik mund të sfidohet duke rikthyer kompleksitetin, duke treguar se realiteti nuk mund të përmblidhet në formula të thjeshta.”

M.Sc. Estela Pemaj, psikologe shkolle, shprehet se, për pakësimin e gjuhës së urrejtjes, duhet të kontribuojnë shumë faktorë.

 “Së pari, edukimi që në fëmijërinë e hershme nga familja. Fëmijët dhe adoleshentët sillen sipas modeleve që serviren nga familja. Shkolla luan një rol thelbësor nëpërmjet zhvillimit të tematikave edukuese dhe aftësive për jetën. Më shumë mësime mbi empatinë dhe kujdesin emocional. Promovimi kundër gjuhës së urrejtjes nga psikologët e shkollave qoftë nëpërmjet diskutimeve në klasë, por edhe përmes këshillimit individual të nxënësve që vërehen se kanë tendenca të paragjykimeve. Përdorimi i platformave edukuese qoftë nga rrjetet sociale, por edhe nga emisione televizive. Thirrja e të rinjve për pjesëmarrje në klube libri, ku diskutohen romane, ide, emocione. Po kaq efekt të rëndësishëm kanë edhe klubet e sportit, por në këtë rast duke edukuar fëmijët mbi emocionet e humbjes apo të fitores. Sepse për fat të keq, në lojë mësojmë shpesh gjuhën e urrejtjes. Duke kontribuar në secilën fushë, duke modeluar sjellje pozitive, do të formojmë individë me ndërgjegje dhe do dëgjojmë më pak forma të gjuhës së urrejtjes.”

Gjuha e urrejtjes dhe problematikat që sjell tek të rinjtë nuk mund të trajtohen vetëm përmes edukimit në shkolla apo edukimit formal. Ajo kërkon hapësira më të gjera diskutimi dhe modele komunikimi që arrijnë tek të rinjtë në mënyrë më të thjeshtë, duke përfshirë edhe ata që jetojnë në zona të varfra dhe të largëta, si dhe grupet e margjinalizuara që nuk kanë akses në informacion. Përmes bisedave të hapura, seancave informuese, trajnimeve konstruktive me bashkëmoshatarët që zotërojnë këtë njohuri, si dhe përmes emisioneve edukative në media, krijohet mundësia që çdo i ri të ketë qasje në informacion të besueshëm dhe të mësojë të dallojë gjuhën e urrejtjes nga komunikimi i shëndetshëm. Kjo qasje gjithëpërfshirëse jo vetëm fuqizon individët, por ndërton komunitete më të qëndrueshme dhe rezistente ndaj dezinformimit e polarizimit.

Fushatat edukative dhe ndërgjegjësuese si UNFPA me iniciativën “bodyright” apo fushata online “Fjala vret, peshoje/mendoje mirë” e UNFPA dhe UNDP në kuadër të projektit “Të rinjtë për Përfshirje, Barazi dhe Besim”, zbatuar në Ballkanin Perëndimor me mbështetjen e Fondit të OKBsë për Paqen, përbëjnë modele shumë efektive për të luftuar gjuhën e urrejtjes, sepse  fokusohen tek ndryshimi i mendësisë dhe sjelljes së njerëzve. Sipas bodyright, dhuna dhe urrejtja në rrjet burojnë nga norma shoqërore diskriminuese, që transferohen nga jeta reale në hapësirën digjitale, prandaj edukimi i publikut, sidomos i të rinjve, është thelbësor për t’i sfiduar këto stereotipe. Fushata përdor mjete konkrete si shpërndarja e materialeve në rrjete sociale dhe nxitja e diskutimit publik, duke i bërë njerëzit më të ndërgjegjshëm për pasojat e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës digjitale. Paralelisht, iniciativa të lidhura me këtë qasje në Shqipëri përfshijnë edukimin në shkolla, trajnimin e të rinjve për përdorimin kritik të informacionit dhe fushata publike, që synojnë reduktimin e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes. Kjo tregon se kombinimi i edukimit, ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së komunitetit krijon një model të qëndrueshëm, sepse nuk lufton vetëm pasojat, por edhe shkaqet e gjuhës së urrejtjes.

* * *

Në mbyllje, tingëllon mbase absurde dhe naive, por, për mendimin tim, zgjidhja kryesore qëndron tek arti dhe kultura. Kontakti me librin, teatrin, filmin dhe muzikën ndihmon në zhvillimin e dy vlerave themelore: empatisë dhe mendimit kritik. Duke u përballur me “tjetrin” përmes këtyre formave artistike, kuptojmë se njerëzit ndajnë përvoja dhe vlera universale, pavarësisht dallimeve. Kjo rrit aftësinë për të kuptuar të tjerët dhe për të parë realitetin siç është, duke mbrojtur shoqërinë nga ndikimi i gjuhës së vërtetë të urrejtjes. Ndaj dhe në përfundim, dua të risjell fjalët e autorit nobelist Orhan Pamuk “Gjëja për të cilën bën thirrje letërsia e mirëfilltë, nuk është forca jonë e gjykimit, është aftësia jonë për ta vënë veten në vend të një tjetri.”

Ky shkrim është realizuar me mbështetjen e iniciativës rajonale të Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, i financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Përmbajtja e këtij shkrimi dhe opinionet e shprehura në të janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women, ose Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img