Reagimi i shoqërisë civile ndaj shënjestrimit publik të drejtoreshës së BIRN Albania

34

Organizatat e shoqërisë civile shprehin shqetësim të thellë për postimin publik të deputetit Ardit Bido ndaj Kristina Voko, Drejtore Ekzekutive e BIRN Albania.

Ky postim përbën linçim publik ndaj drejtueses së një organizate të pavarur që punon në fushën e medias, transparencës dhe llogaridhënies publike. Përmes shtrembërimit të një diskutimi të zhvilluar në Kuvend, postimi e paraqet një ndërhyrje legjitime dhe të bazuar në ligj si akt të dyshimtë, antikombëtar apo të lidhur me interesa të huaja.

Më 8 qershor, në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, gjatë dëgjesës me organizatat e shoqërisë civile mbi raportet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë AMA-n dhe RTSH-në, Kristina Voko ngriti një çështje të qartë ligjore:[1] detyrimin e transmetuesit publik për të ofruar informim dhe përmbajtje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë pakicat kombëtare dhe personat me aftësi ndryshe.

Kjo është një çështje e njohur nga kuadri ligjor shqiptar dhe lidhet drejtpërdrejt me misionin publik të RTSH-së. Pakicat kombëtare kanë të drejtë të informohen në gjuhën e tyre dhe RTSH-ja ka detyrim t’i shërbejë gjithë publikut, jo vetëm shumicës. Prandaj, paraqitja e kësaj kërkese si kërcënim ndaj interesit kombëtar është e pasaktë, e rrezikshme dhe diskriminuese.

Edhe më shqetësuese është mënyra se si postimi përdor përkatësinë etnike si mjet delegjitimimi. Në një shoqëri demokratike, askush nuk mund të sulmohet apo diskreditohet për shkak të origjinës, gjuhës apo përkatësisë etnike. Përdorimi i identitetit etnik për të goditur një përfaqësuese të shoqërisë civile dhe për ta paraqitur atë si “të huaj” apo “kundër interesit kombëtar” është i papranueshëm.

Ky rast ndodh në një kontekst veçanërisht të ndjeshëm, kur qytetarë, aktivistë, media dhe organizata të shoqërisë civile po ngrenë shqetësime për projektin e Zvërnecit dhe zonën Vjosë-Nartë, në kuadër të mobilizimit qytetar të njohur si “Flamingo Revolution”. Këto shqetësime lidhen me mbrojtjen e mjedisit, transparencën, konsultimin publik, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit.

Në këtë kontekst, përpjekja për t’i paraqitur zërat kritikë si “armiq”, “të huaj” apo të motivuar nga përkatësi etnike synon të zhvendosë vëmendjen nga çështjet reale të interesit publik dhe të krijojë klimë intimidimi ndaj shoqërisë civile, medias dhe qytetarëve që marrin pjesë në debat publik.

Shoqëria civile ka të drejtë dhe detyrim të marrë pjesë në dëgjesa parlamentare, të ngrejë shqetësime ligjore dhe institucionale, si dhe të kërkojë llogaridhënie nga institucionet publike. Pjesëmarrja në një proces parlamentar nuk mund të përdoret më pas si material për sulme personale, etnike apo për linçim publik nga përfaqësues të zgjedhur.

Sulme të kësaj natyre nuk mbeten pa pasoja. Kur një përfaqësuese e shoqërisë civile shënjestrohet publikisht nga një zyrtar i zgjedhur për shkak të origjinës apo qëndrimit të saj kritik, mesazhi që përcillet shkon përtej rastit individual: ai u thotë të gjithë atyre që ngrenë zërin, veçanërisht grave që drejtojnë organizata të pavarura, gazetareve dhe aktivisteve se pjesëmarrja në debatin publik mund të kthehet kundër tyre në formën e linçimit. Ky efekt frikësues dëmton vetë themelin e një shoqërie demokratike, ku kritika dhe llogaridhënia duhet të jenë të mundura pa frikë nga hakmarrja.

I bëjmë thirrje deputetit Ardit Bido të tërheqë postimin dhe të kërkojë ndjesë publike.

I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarit të Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të distancohen qartë nga çdo gjuhë që shënjestron përfaqësues të shoqërisë civile, medias apo qytetarë mbi bazë etnie, gjuhe, origjine apo qëndrimi kritik.

I bëjmë thirrje Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvendin e Shqipërisë të shqyrtojënë Kuvendin e Shqipërisë të shqyrtojnë këtë rast, pasi përdorimi i një dëgjese parlamentare për linçim publik dhe shënjestrim etnik cenon standardet e sjelljes së deputetëve dhe mund të dekurajojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile në proceset parlamentare.

I bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të vlerësojë këtë rast në kuadër të kompetencave të tij ligjore, duke marrë në konsideratë përdorimin e përkatësisë etnike si mjet shënjestrimi, delegjitimimi dhe linçimi publik nga një përfaqësues i zgjedhur.

Organizatat Nënshkruese

  1. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  2. Fondacioni Së Bashku
  3. Qëndresa Qytetare
  4. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
  5. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  6. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  7. Citizens.al
  8. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  9. Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  10. Faktoje.al
  11. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive (INAC)
  12. Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AWA)
  13. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners)
  14. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
  15. Qendra Amfora
  16. Civil Rights Defenders Shqipëri
  17. Lëvizja Europiane Shqipëri (EMA)
  18. Akademia e Studimeve Politike (ASP)
  19. Qendra “Aleanca Gjinore per Zhvillim” (GADC)
  20. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
  21. Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm — All Green Centre
  22. Shoqata Together for Life (TFL)
  23. Qendra ResPublica
  24. Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI
  25. Qendra “Education for Change”
  26. Shoqata “Përtej Barrierave”
  27. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (ADRF)
  28. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
  29. Të Ndryshem & Të Barabartë
  30. Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
  31. Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri
  32. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
  33. Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF)
  34.  

[1] Ligji nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, neni 3 dhe 14.

Ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin nr. 30/2023, datë 13.4.2023, parashikon në nenin 91, pika 1, se RTSH-ja, si transmetues publik, realizon shërbime radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit dhe të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë pakicat kombëtare. Po ky ligj, në nenin 47, pika 1/c dhe pika 2, parashikon masa të veçanta që ofruesit e shërbimeve mediatike duhet të ndërmarrin për të mundësuar ndjekjen e programeve nga personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose shikim, përfshirë gjuhën e shenjave, teletekstin, titrimin dhe përshkrimin me zë.

Ligji nr. 10 221/2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i ndryshuar, sidomos neni 1, që përfshin etninë, gjuhën, aftësinë e kufizuar dhe përkatësinë në një grup të veçantë si baza të mbrojtura; neni 3, që përkufizon gjuhën e urrejtjes dhe shqetësimin; dhe neni 32, që përcakton kompetencat e Komisionerit për shqyrtimin e ankesave dhe hetimeve administrative.