Të gjeneruara këto imazhe të Trump në shoqërinë e vajzave të mitura

26

Pretendimi: Këto imazhe tregojnë presidentin amerikan Donald Trump dhe pedotrafikantin Jeffrey Epstein me një numër vajzash të mitura

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullojnë disa imazhe që duket se tregojnë presidentin amerikan Donald Trump dhe pedotrafikantin Jeffrey Epstein me një numër vajzash të mitura, shoqëruar me pretendimin se fotot ishin pjesë e dosjeve Epstein dhe ishin bërë publike nga Irani si hakmarrje ndaj kërcënimeve të Trump.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 15 nëntor 2025, përpara sulmeve Izrael-ShBA kundër Iranit në shkurt 2026.

Më tej, video në TikTok u botua disa ditë para se Kongresi amerikan të miratonte Aktin për Transparencë të Dosjeve Epstein më 19 nëntor 2025. Departamenti i Drejtësisë publikoi një numër të vogël dosjesh në shkurt 2025, por publikimi i parë i madh filloi më 19 dhjetor 2025, duke vazhduar deri më 23 dhjetor 2025. 

Më 30 janar 2026, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se u publikuan edhe 3 milionë faqe të tjera, duke e çuar totalin e dosjeve të publikuara në mbi 3.5 milionë.

Disa nga imazhet në video janë autentike dhe të publikuara gjerësisht. 

Për shembull, një foto e Donald Trump, gruas së tij të ardhshme Melania Knauss, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxëell në një festë në Mar-a-Lago më 12 shkurt 2000 shfaqet edhe në bibliotekën Getty Images. Imazhi i fundit që shfaqet në video tregon Trump dhe Epstein duke bërë shaka në një festë, dhe është marrë nga një video e vitit 1992, para arrestimit të parë të Epstein, e filmuar nga një ekip i NBC News në Mar-a-Lago. Ky filmim u rizbulua në arkivin e NBC dhe u ribotua më 17 korrik 2019, ndërsa Epstein ishte në një burg federal në New York, vetëm disa javë para vdekjes së tij.

Megjithatë, shumica e imazheve në video janë falsifikime të gjeneruara nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale. Ato tregojnë personazhe me lëkurë tepër të lëmuar që i bën njerëzit të duken si kukulla.Një imazh tregon një shëmbëlltyrë të Trump me gjoks të zhveshur me një vajzë të mitur me bikini, dhe pas tyre një burrë që i ngjan Epstein me një vajzë tjetër të mitur me bikini. Një imazh tjetër tregon figurën e Trump duke puthur faqen e një vajze të re, dhe burrin në sfond duke mbajtur një vajzë tjetër të re. Në të dyja imazhet dora e burrit në sfond tregon pesë gishta, pa llogaritur gishtin e madh i cili nuk është në foto, një shenjë kjo e përdorimit të programeve të gjenerimit të imazheve.