Pretendimi: Kjo foto tregon kontrollin e rreptë që iu nënshtrua ekipi senegalez i futbollit kur mbërriti në ShBA për Kupën e Botës 2026.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që duket se tregon trajnerin e ekipit të futbollit të Senegalit, Pape Thiaw, duke iu nënshtruar një kontrolli fizik. Imazhi shoqërohet me pretendimin se tregon kontrollin pas mbërritjes së ekipit në ShBA për Kampionatin Botëror të Futbollit 2026. Këto masa, pretendohet në postim se janë më të ekzagjeruara ndaj ekipeve kombëtare të vendeve myslimane.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo konfirmohet nga prania e gjurmës SynthID, detektuar nga Gemini, agjenti AI i Google.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Duket se imazhi i mësipërm është gjeneruar duke u bazuar tek pamje të vërteta të kontrollit që iu bë ekipit senegalez pas mbërritjes në ShBA.

Pamja e gjeneruar me AI (majtas) dhe pamjet e vërteta (djathtas)
Çfarë dallon mes pamjeve është ngjyra e fanellës së futbollistit senegalez, dhe fakti që, në pamjet e vërteta, kontrolli duket se bëhet vetëm me anë të një detektori metali, jo duke prekur fizikisht futbollistin.






